Analize

A ishte Miroslav Lajçak një ‘ogur i keq’ për Kosovën?

Nga Megi Iskurti- Udhëtimi i tij i parë drejt Prishtinës në rolin e emisarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, nuk nisi fort mirë.

Në qershor të 2020-s, atëbotë kohë pandemie, Miroslav Lajçak bashkë me shumë pasagjerë të tjerë mbeti për disa orë i bllokuar në aeroportin e Zyrihut pasi Tirana nuk autorizonte uljen e fluturimit nga Zvicra.

Mediat në Kosovë në një reagim me vrik, nuk ngurruan ta konsideronin atë si një ‘ogur të keq’.

Por ngarkimi i tij me këtë mision edhe ashtu nuk qe pritur gjithaq me entuziazëm nga një pjesë e spektrit politik dhe institucional porse Brukseli jepte garanci se emisari i ri do të ishte neutral dhe nuk do të ndikohej nga qëndrimi i shtetit të origjinës së tij. Sllovakia e Lajçak nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.   

“Misioni i tij është i paracaktuar të dështojë”, vëreu ish-presidenti Hashim Thaçi i cili ndonëse më vonë i ka zbutur disi qëndrimet, atëkohë refuzoi të merrte pjesë në negociatat e udhëhequra nga ai. Deklarata e tij gjeti jo pak mbështetje në radhët e politikanëve të Kosovës.

Me gjithë organizimin, ndërmjetësimin me tërësej të një sërë takimeve të nivelit të lartë dhe atyre në nivel kryenegociatorësh, sot pas katër vitesh, kur mandati i tij është në përfundim, figura e Lajçak, ashtu si në krye të herës, shikohet me skepticizëm.

Prishtina zyrtare e ka sfiduar jo pak herë hapur rolin e tij dhe e ka kritikuar vazhdimisht për njëanshmëri ndaj Serbisë.

Standarde të dyfishta? Pse Kosova e konsideron Lajçakun si të njëanshëm?

Në vazhdën e ngjarjeve të fundit në veri, nga tensionet për targat, ato për kryetarët e komunave veriore e deri te sulmi terrorist i Banjskës, qëndrimet e Lajçak kanë qenë shpesh 'nën sitën' e kryeministrit Albin Kurti i cili ka deklaruar se nuk e barazon dot emisarin europian me Bashkimin Europian.

Ndonëse jo prej fillimit, gjatë rrugëtimit të tij si kryeministër, Kurti erdhi duke e ashpërsuar retorikën e tij ndaj Miroslav Lajçak.

Fillimisht, ishte insistimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Kosova por paralelisht, kurrfarë presioni për njohje reciproke nga Serbia.

Mandej, tensionet në Zveçan gjatë protestave që shpërthyen në katër komunat ku pati zgjedhje komunale, ku ndonëse demonstruesit serbë plagosën 30 ushtarë të KFOR, sanksionet iu vunë Kosovës.

Së fundmi, sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë. Asnjë sanksion për Serbinë dhe asnjë hetim i përfunduar nga ndërkombëtarët.

Kaq mjaftuan që më 13 dhjetor, gjatë një debati të organizuar nga Këshilli Atlantik, Kurti të kritikonte me tone të ashpra diplomacinë perëndimore për “përkëdhelje” të presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe njëanshmëri ndaj Serbisë.

“Në vend të shkopinjve, presidentit të Serbisë i janë ofruar karota. Sa më shumë telashe të bëjë në rajon, aq më shumë para kërkon dhe merr nga BE-ja.

Sa më shumë të lëvizë drejt Rusisë dhe Kinës, aq më shumë Bashkimi Europian e ndjek me fonde. Ndërkohë, që prej ardhjes së tij në pushtet, Serbia vetëm sa është rikthyer në autokraci”, tha Kurti ndërsa shtoi se ndërkombëtarët duhet t’i dalin për zot marrëveshjes së fimosuar në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në një kohë kur sipas tij, Beogradi zyrtar e shkel dhe nuk ndëshkohet.

'Në vend të shkopinjve, presidentit të Serbisë i janë ofruar karota', deklaroi Kurti

Megjithatë, qëndrimet e Lajçak shpesh kanë ngritur pikëpyetjet nëse faji duhet t’i atribuohet tërësisht atij. Fakti që Këshilli i BE-së dhe më pak Parlamenti Europian kanë folur me superlativa për punën e tij, ka bërë jo pak herë që diplomatët të pyesin veten nëse institucionet prej nga merren vendimet më të rëndësishme, po e ndjekin procesin seriozisht.

Lajçak ‘nën optikën’ e BE-së dhe suksesi i planit franko-gjerman

Nëse punën 4-vjeçare të Lajçakut e shohim më sytë e Bashkimit Europian, nuk mund t’i kursejmë atribute për propozimin e planit franko-gjerman.

Një marrëveshje e dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt të vitit të shkuar pikat e së cilës përmbajnë respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Lajçak e ka konsideruar këtë marrëveshje si mënyrën më të mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Për të, ky plan përmbajtësor, siç ai ka pëlqyer t’i referohet, mund të sjellë përparime shumë konstruktive.

Megjithëkëtë, qysh prej fillimit, edhe pa propozimin e këtij plani, Bashkimi Europian ka qenë mbështetësi më i zëshëm i Lajçakut dhe nuk ka ngurruar kurrë t’u replikojë akuzave të Kosovës për pozicionim të tij.

Përfaqësuesit i Lartë i BE Josep Borrell emisari Miroslav Lajçak

Rasti i fundit, ishte deklarata e Peter Stanos, zëdhënësit të BE-së, i cili tha se nëse janë vetë palët ata që nuk duan të lëvizin, Lajçak nuk mund t’i detyrojë ata.

“Roli ynë si lehtësues në dialogun Kosovë-Serbi, është që të lehtësojmë, ndihmojmë që të bëhen europianë dhe të gjenden zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që Kosova dhe Serbia nuk ishin në gjendje ta bënin këtë deri tani, nuk është dështimi i Lajçak.

Ai ka bërë më të mirën në emër të përfaqësuesit të lartë dhe BE-së, me mbështetjen e plotë të 27 vendeve të BE-së”, deklaroi Stano në mbrojtje të tij.

Tashmë, pasi bilanci i rezultateve të tij është vënë në peshore dhe ndërsa Kosova gjendet në nivelin më të ulët diplomatik, sytë për rotacionin e ardhshëm janë hedhur drejt listës së Josep Borrell.

Nuk dihet ende mesiguri nëse pasardhësi i tij mund të jetë ish presidenti slloven Borut Pahor ashtu siç zërat në qarqet diplomatike sugjerojnë.

Megjithatë, është pak por e sigurt që krejt ndryshe nga qëndrimi i Sllovakisë së Lajçak karshi Kosovës, Sllovenia e Pahor e ka mbështetur fort atë dhe ka lobuar jo pak për forcimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë