Mendim

A ishte e ligjshme vrasja e Soleimanit?

Nga Peter Singer* - Më 3 janar, Shtetet e Bashkuara vranë Qassem Suleimanin, një komandant të lartë ushtarak iranian, ndërsa ai po linte Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit në një makinë me Abu Mahdi Al Muhandis, udhëheqës i një grupi militant irakian.

Të nesërmen, në një konferencë speciale për shtyp, zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit thanë se Soleimani kishte qenë për 20 vjet "arkitekti kryesor" i sulmeve terroriste në Lindjen e Mesme dhe "kishte vrarë 608 amerikanë vetëm në Irak". DASH shtoi se Soleimani dhe Muhandis ishin cilësuar si terroristë nga Kombet e Bashkuara.

Por edhe në vitin 2003, inteligjenca amerikane tha se Iraku kishte armë kimike, por rezultoi se kishte gabim. Këto gabime çuan në pushtimin e Irakut, i cili i rriti përfshirjen e Iranit dhe Soleimanit në konflikt. Por le të supozojmë se këtë herë faktet janë siç thotë administrata amerikane. A ishte vrasja e Soleimanit e justifikuar?

Mund të fillojmë me supozimin se është e gabuar të marrësh jetën e një njeriu pa e çuar më parë një gjyq. As presidenti Donald Trump nuk do ta mohonte. Një vit më parë, ai tha se gjithmonë do ta mbronte të drejtën e jetës, teksa ishte duke iu përgjigjur drejtuesve të fushatës kundër abortit.

Por le ta supozojmë se e drejta për jetën mbron vetëm njerëzit e pafajshëm. Kush do të gjykojë pafajësinë? Nëse flasim për një shtet ligjor, duhet të ketë një hetim dhe një gjykatë që vendos që një i akuzuar është i pafajshëm ose jo. Që nga viti 2002, Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ka pasur disa suksese në ndjekjen penale të autorëve të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, por ndikimi i gjykatës është i kufizuar, pasi SHBA-ja ka refuzuar të bashkohet me 122 vendet e tjera që kanë pranuar juridiksionin e saj.

Pas vrasjes së Soleimanit, Agnès Callamard, një raportuese e posaçme për ekzekutimet jashtëgjyqësore, vuri në dukje se ICC-ja dhe OKB-ja nuk mund të mbikëqyrin vrasjet e kryera përtej kufijve të një vendi.

Ekzekutivi i posaçëm i OKB-së thjesht vendos, pa ndonjë proces të rregullt ligjor ose miratim, nëse një kriminel lufte duhet të vritet. Pranimi i një veprimi të tillë e bën të vështirë të gjesh ndonjë kundërshtim parimor ndaj vrasjeve të ngjashme, të planifikuara ose të kryera nga vendet e tjera. Këtu përfshihet vrasja në “Café Milano” e vitit 2011, e organizuar nga vetë Soleimani dhe ku agjentët iranianë planifikuan të vrisnin ambasadorin saudit në SHBA ndërsa ai drekonte në një restorant të njohur në Uashington, DC.

E vetmja gjë që SHBA mund të thotë në mbrojtje të vrasjes së Soleimanit është se sulmi i saj targetonte një kriminel dhe ambasadori saudit nuk ishte i tillë.

Vrasja e gjeneralit iranian Qasem Soleimani është pa dyshim ndërhyrja më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme që kur George W. Bush autorizoi pushtimin e Irakut në vitin 2003. Por a ishte ky veprim i ligjshëm?

Bota duket se ka filluar të marrë një përgjigje për këtë pyetje. Tashmë vrasja e Soleimanit bëri që Irani të sulmojë dy baza iraniane dhe të deklarojë se do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore. Inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike kishin konstatuar në mënyrë të përsëritur që Irani po i përmbahej asaj marrëveshje. Por tanimë ekziston mundësia që Irani të mund të përpiqet të prodhojë një armë bërthamore.

Gjithashtu, të dielën, Parlamenti i Irakut kërkoi dëbimin e trupave amerikane nga Iraku, lëvizje që ka qenë një qëllim afatgjatë i iranianëve. Hera e fundit që trupat amerikane u tërhoqën nga Iraku ishte në fund të 2011 nën administrimin e Obamës. Tre vjet më vonë, ISIS pushtoi pjesën më të madhe të Irakut.

Vrasja e gjeneralit Soleimani është jashtëzakonisht e rëndësishme. Protestat në Irak kundër ndikimit iranian që u zhvilluan në nëntor, tani janë zëvendësuar me protesta kundër Shteteve të Bashkuara. Në mënyrë të ngjashme, protestat e fundit në Iran kundër regjimit janë zëvendësuar me protesta kundër Shteteve të Bashkuara.

Konferenca për shtyp e 3 janarit, e mbajtur nga tre zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, duket se zbuloi shumë për mënyrën se si mendon administrata Trump. Në përgjigje të pyetjeve të përsëritura në lidhje me arsyen e vrasjes së Soleimanit, një zyrtar e krahasoi sulmin ndaj tij me rrëzimin e një aeroplani në vitin 1943 ndërkohë që transportonte admiralin japonez Isoroku Yamamoto, i cili po vizitonte trupat japoneze në Paqësor, një incident që ndodhi në mes të luftës, më shumë se një vit pasi japonezët sulmuan Pearl Harbour. Një zyrtar tjetër tha: "Kur i dëgjoj këto pyetje, me duket sikur përshkruani Belgjikën. Po flasim për regjimin iranian. Kemi 40 vjet që shohim aktet e luftës që ka kryer ky regjim në pesë kontinentet".

Nëse zyrtarët e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit besojnë se SHBA-ja do të hyjë në një luftë të drejtëpërdrejtë me Iranin, ashtu siç ishte me Japoninë në 1943, vrasja e Soleimanit ka kuptim. Sipas teorisë standarde të luftës, një vend mund të vrasë armiqtë e tij sa herë që ka mundësinë, për sa kohë që rëndësia e objektivit i tejkalon dëmet kolaterale të të pafajshmëve.

Por SHBA nuk është në luftë me Iranin. Kushtetuta e SHBA i jep Kongresit autoritetin e vetëm për të shpallur luftë dhe ai kurrë nuk i ka shpallur luftë Iranit. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi sugjeroi që Trump duhet të ishte këshilluar me Kongresin për vrasjen ose jo të Soleimanit.

Por vrasja e tij nuk ishte një akt lufte. Në aspektin ligjor, ai ishte një atentat jashtëgjyqësor që rrezikon të sjellë pasoja të jashtëzakonshme në Lindjen e Mesme.

*Peter Singer është profesor në Universitetin Princeton dhe themelues i organizatës jofitimprurëse “Life” dhe publikuesi i një sërë librash mbi gjeopolitikën. Në vitin 2013, ai u emërua si analisti i tretë bashkëkohor më me ndikim në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë