Jete & Stil

A ishin romakët gjahtarët e parë të balenave?

Arkeologët kanë rënë rastësisht në gjurmët e eshtrave të balenave në një zonë në jug të Spanjës, ku 2 mijë vite më parë ekzistonte një qytet i tërë i ngritur nga romakët.

Rrënojat e qytetit Baelo Claudia sugjerojnë se në periudhën romake ai ka shërbyer si një stacion i madh grumbullimi dhe kriposje peshqish, që më pas eksportoheshin në cepat më të largët të perëndorisë.

Por, deri më tani nuk mendohej se romakët ishin gjahtarë balenash. Për herë të parë, baskët në shekullin e 11 njihen si populli që e shfrytëzoi gjuetinë e balenave për qëllime industriale.

Arkeologë duke hulumtuar rrënojat e qytetit Baelo Claudia

Zbulimi i mbetjeve të eshtrave të balenës gri në këtë zonë të Spanjës, që ndodhet në Ngushticën e Gjibraltarit ka ndezur një debat në komunitetin e historianëve dhe arkeologëve.

Ka nga ata që besojnë se flotat romake të peshkimit kanë qenë në gjendje që të kapnin edhe balena, por skeptikët thonë se eshtrat e balenave mund të kenë përfunduar aty në një periudhë të mëvonshme.

Gjetjet e arkeologëve do të studiohen më në detaj dhe duke përdorur teknologjinë, që përmes studimit të karbonit të gjetura në to përcakton përafërsisht moshën që kanë.

Depozitat e kripës të fotografuara nga lart mes rrënojave të qytetit romak

Qyteti Baelo Claudia, vendosur në anën spanjolle të Ngushticës së Gjibraltarit, që lidh Oqeanin Atlantik me Detin Mesdhe ka qenë një pikë e rëndësishme tregtie për perandorinë romake. Depozitat e kripës të zbuluar në të sugjerojnë se çdo ditë aty depozitoheshin dhe më pas kriposeshin tonelata peshk të sjellë nga flotat e peshkimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë