Në rrugën kryesore te zona e quajtur “Kupola” në Laprakë në Tiranë, një fëmijë i vogël rreth moshës 4-5 vjeç po luante me qenin e tij pranë koshit të mbeturinave. Më pas shikoj nënën e tij që afrohet duke i bërtitur që të mos rrijë më aty. Në këtë zonë punojnë një grup qytetaresh të komunitetit romë dhe egjiptian. Kushtet në të cilat ata qëndrojnë, edhe sot kur i gjithë vendi është në mesin e një epidemie të madhe janë më se skandaloze.
Kur e pyeta Esmeraldën, nënën e djalit të vogël se pse i linte fëmijët të luanin tek plehrat, m’u përgjigj shpejt e shpejt “s’kam hall virusi unë ri, ca të bëj se na mësohet ai qeni e na vjen mbrapa se s’kemi bukë të hamë për vete e jo të mbajmë dhe atë”.
Sa më shumë eci drejt tregut duke parë dengjet me rroba të vjetra, aq më shumë shihet se pluhuri dhe papastërtitë ishin shoqërues të këtyre qytetarëve. Një tjetër grua e cila rregullon mallin e saj më pa çuditshëm se mbaja doreza dhe maskë dhe po bisedonte me shoqen e saj duke i thënë “sa frikë që kanë edhe këto, sikur s’kanë ardhur ndonjëherë këtu tek ne”. Duke i’u afruar i pyeta, po ju nuk keni frikë që nuk mbani as maska e as mjete mbrojtëse. Qeshën edhe më thanë se nuk kanë pasur frikë ndonjëherë se si ka gjetur gjë.
“Para ca ditësh unë pata çunin me temperature edhe kollë e as shkuam ne spital e as asgjë. E kaloi e tani nuk ka gjë më, do rrinim të shkonim nëpër spitale, punën kush do na e bënte,” më tha ajo.
Kur i thashë se duhet të bënte tamponin se mund të rrezikonte të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes dhe të gjithë vendin ku jetonte, së bashku me shoqen e saj qeshi dhe më tha “oho o goce ne të bëjmë naj punë të nxjerrim vaktin e bukës jemi në rregull”.
Për anëtarët komunitetit të tyre dukej se kishte probleme edhe më të mëdha. Tek ai vend kupton qartë se kujdesi ndaj higjienës as nuk është llogaritur asnjëherë dhe tashmë që nuk ka asnjë masë izoluese ata vazhdojnë shitjet e tyre normalisht.

Por a ka pasur ndonjë person të infektuar nga komunitetet rome dhe egjiptiane?
Për këtë gjë nuk kemi ende një përgjigje. Gazeta “Si” ka insistuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, por ashtu si çdo herë tjetër ka mbetur vetëm nën hijen e pikëpyetjeve. Ndërkohë shoqatat e komuniteteve rome dhe egjiptiane, tregojnë se nuk janë të informuar nëse ka pasur ndonjë qytetar të infektuar dhe njëjtë si para pandemisë një problem i madh për ta janë edhe produktet higjienike.
Shoqata “Lëvizja Rinore Egjiptiane & Rome” i tregoi Gazetës “Si” se shteti nuk i ka asistuar me mjete mbrojtëse apo ato higjienike.
“Vetëm organizatat kanë shpërndarë ndonjë gjë, por kuptohet që janë të pamjaftueshme për të gjithë njerëzit,” thonë përfaqësues të organizatës.
Kushtet e jetesës së këtyre njerëzve janë shumë të vështira jashtë normale. Në zonën që vizitova nuk kishte minimalisht as ujë dhe as tualet, e jo më të mendoje për të pasur mjete të tjera mbrojtëse dhe higjienike.

E njëjta gjendje është edhe në një pjesë tjetër të Tiranës, ku jetojnë qytetarët e komunitetit romë dhe egjiptianë. Që kur Gazeta “Si” i vizitoi këta qytetar në fillim të epidemisë në vendin tonë për ata nuk është bërë asgjë. Në mesin e thirrjeve të shumta për t’u kujdesur për higjienën vetjake, ndalimet e grumbullimeve, apo edhe përdorimin e masave mbrojtëse, për këta qytetarë nuk kujdeset askush, minimalisht as t’i informojë.
“Po do rrimë të lajmë duart orë e minutë, le që nuk kemi as shumë ujë po ca do na gjejë se kam dëgjuar edhe shumë të thonë që është gënjeshtër. Ne s’kemi dëgjuar asnjë të jetë prekur nga virusi këtu tek ne. Ehu kot nuk kanë thënë që jemi racë e fortë ne,” më thotë Enkeleida, një grua që shet në fillim të rrugës.
Ndërsa një grup tjetër që është mbledhur për të parë mallin e ri pak më lartë, duket se nuk shqetësohen për distancimin social. Për këta qytetarë jeta vijon njëlloj si par pandemisë, mes pa kujdesit të tyre, kushteve higjienike skandaloze dhe moskokëçarjes.
“Ne kemi hallin e bukës para e t’i na thu virusi, jo mi jo do vdesim për bukë,” tha një plakë e cila thërriste gjithë kohës “hajde rroba me 20 lekë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




