Kuriozitete

A është e vërtetë që ne të gjithë duhet të pimë më shumë ujë?

A duhet vërtet të konsumojmë tetë gota ujë në ditë, apo është një mit?

A është e vërtetë se ne të gjithë duhet të konsumojmë sa më shumë ujë apo se konsumimi i pakët i ujit në ditë na dëmton? Profesori i fiziologjisë mjedisore Lewis Halsey në Universitetin Roehampton thotë se ka pasur një "mbivlerësim shqetësimesh" për konsumimin e mjaftueshëm të ujit.

"Është e ndërlikuar," thotë Halsey. “Natyrisht që njerëzit mund të dehidratohen. Ne jemi krijuar për të pasur një normë mjaft të lartë të qarkullimit të ujit dhe një pjesë e nxjerrim duke djersitur dhe për këtë arsye duhet t'i rikuperojmë ato lëngje. Megjithatë, ne mundemi, të paktën në afat të shkurtër apo edhe afatmesëm, të humbasim mjaft lëngje dhe të jemi mirë.”

Halsey, i cili po hulumton ndikimin e djersitjes dhe konsumit të ujit në temperaturën e trupit, thotë se sasia e ujit që çdo person ka nevojë është e ndryshme për çdo person, duke hedhur poshtë edhe mitin “8 gota ujë në ditë”.

Njerëzit më të mëdhenj, më aktivë në përgjithësi kanë nevojë për më shumë. Nëse dikush ka nivele shumë të ulëta të yndyrës në trup, qoftë për shkak se është shumë i dobët ose shumë muskuloz, ai gjithashtu ka nevojë për më shumë ujë sepse muskujt mbajnë më shumë ujë se sa yndyra, kështu që indet e trupit të tyre kanë nevojë të hidratohen.

Ata që jetojnë në një klimë më pak të lagësht mund të kenë nevojë për më shumë, pasi "ata humbin më shumë ujë në frymëmarrje". Dhe për shkak se 20-30% e konsumit tonë të ujit vjen nga ushqimi, nëse dieta juaj përbëhet nga ushqime me më shumë kalori, mund t'ju duhet gjithashtu të pini më shumë.

Si e dimë nëse po pimë mjaftueshëm? “Pini kur keni etje”, thotë Halsey, në vend që të synoni të kapni një objektiv të caktuar.

Përjashtimi i tij i vetëm janë të moshuarit.

"Në mënyrë tipike, ata kanë një ndjesi të reduktuar të etjes, dhe kështu ata janë më të prekshëm ndaj dehidrimit kronik".

Një gjë që ai thekson është se ne të gjithë nuk duhet të ndihemi të detyruar të pimë vazhdimisht ujë gjatë gjithë ditës.

Në fakt, pirja e më shumë se një litër në orë mund të jetë e dëmshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë