Gazeta Si - “Kam në pronësi një bar kafe në zonën e Mulletit, në të cilin kam filluar të bëj disa restaurime, si ndërrime pllakash. Pasi i kam mbaruar këto punime, në lokal erdhi një punonjës policie me uniformë, i identifikuar si shtetasi me iniciale B.G., me detyrë oficer pranë Stacionit të Policisë Farkë”.
Kështu e nisi rrëfimin dy vite më parë pranë SHÇBA-së, qytetari F.A., i cili tregoi se ka komunikuar me babanë e tij në lidhje me pedanën e restauruar.
Megjithëse familjarët i kanë treguar lejen e miratuar nga Njësia Administative Petrelë, punonjësi i policisë i ka thënë se ata duhej ta “respektonin”, duke nënkuptuar dhënien e vlerave monetare.
Duke urdhëruar më pas veprime të stimuluara dhe përgjime telefonike, sapo kallëzuesi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi, prokuroria nisi hetimet.
Në dosjen e dorëzuar dy vjet më pas, që e disponon Gazetasi.al, përshkruhet se ndonëse denoncuesi që u vu në dispozicion të veprimeve hetimore për të kryer veprime stimuluese, kreu telefonata kundrejt numrit të punonjësit të policisë, por ai nuk ju përgjigj dhe ju shmang takimeve me të.
“Nga përmbajtja e përgjimeve telefonike, ka rezultuar se në vijim, personi nën hetim F.A., me ndërmjetësimin e personit nën hetim A.M., që rezultoi të jetë punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve në Bashkinë Tiranë, ka kontraktuar persona të tjerë që ushtrojnë fuksione publike dhe në bashkëpunim mes palëve kanë kryer veprime konkrete me qëllim ndërtimin e tendës nga ana e kallëzuesit, kundrejt përfitimit të parregullt”, përshkruhet në dosje, ku palët u angazhuan për të marrë para edhe nga vendosja e një tende.
“Duke vlerësuar tërësinë e burimeve të fakteve dhe provave të mbledhura gjatë hetimit të kësaj çështje deri në këtë moment procedural, del se personi nën hetim është S.K., administrator i Njësisë Administative Petrelë".
Më tej, ajo që doli në dritë, kishte lidhje me implikimin e disa zyrtarëve të tjerë gjatë procesit të rindërtimit që kryen ndërhyrje, shpërdoruan detyrën e një sërë shkeljesh të tjera që u finalizuan në atë kohë me masa sigurie arrest me burg dhe arrest shtëpie, midis tyre edhe personit që u bë shkak të niste hetimi dhe që gjatë përgjimeve doli se po kryente veprime të tjera të kundraligjshme.
Por teksa në gjykata dhjetra qytetarë po dalin për masa sigurie, mbasi tentojnë të paguajnë ryshfet tek policët rrugorë dhe ndaj kapen në flagrancë, nuk mbeten pas as policët e korruptuar, që janë më të ekspozuarit, por jo të vetmit.
Ndonëse flitet se duke paguar mund të futesh në punë në shtet, mund të bëhesh shef apo të ngrihesh në detyrë përmes influencave të caktuara, se me tenderat mund të klasifikohesh në një garë të pabarabartë dhe se gjithandej me kuletën në dorë në spitale, përfiton trajtim shëndetësor, panorama e korrupsionit mbetet njëlloj shqetësuese. Po njësoj të paprekshëm mbeten edhe zyrtarë e drejtues që përherë dalin të palagur.
Agjenti i FAST
Ditën kur një oficer policie u paraqit tek kolegët e tij në komisariatin e Elbasanit, ai u identifikua si agjent ndihmës specialist në njësinë FAST Albania, pjesë e drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë.
Polici u tha kolegëve se po merrej me lokalizimin dhe verifikimin dhe kapjen e personave në kërkim, për të cilët sipas indicieve që disponon Gazetasi.al, paguhen shuma të konsiderueshme që ata mos të arrestohen.
Kjo kuotë, varion nga mujore, deri në vjetore dhe sipas të dhënave, këtë veprim vazhdojnë ta kryejnë njerëz të rëndësishëm në krimin e organizuar.
Polici S.F., sipas dosjes që iu tregua Gazetasi.al nga policia lokale e Elbasanit, u shpreh se nga burimet e tij, kishte marrë informacion se personi K.H., është person në kërkim për llogari të shtetit italian, në lidhje me veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
“Erdha në Elbasan, pasi doja ta njihja fizikisht këtë person. Shkova tek lokali që gjendet pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku vura re persona të ngjashëm me këtë person dhe m'u dukën si binjakë, se ishte e vështirë t'i dalloje. Takova njërin nga këta persona, që m'u prezantua si K.H., nuk iu prezantova si punonjës policie. Pas kësaj i dhashë numrin e telefonit, duke i thënë se kisha një bisedë për të diskutuar”, thotë polici që kishte për detyrë të kapte të kërkuarit.
Si ia morën armën të kërkuarit, i dyshuari tha: Më lër të takoj nënën
Polici insiston se këto veprime i ka kryer vetëm dhe kur është rikthyer prapë, ka hyrë brenda në lokal dhe aty e ka pritur personi nën hetim, duke i thënë se "unë jam K.H., që ai kërkonte".
Në këtë moment, personi nën hetim, S., deklaron se ky shtetas, së bashku me disa persona të tjerë, i janë afruar, duke i thënë se çfarë problemi kishte dhe në këtë moment, ai deklaron se u është prezantuar si punonjës policie dhe pasi ata janë bindur se ai ishte punonjës policie, i kanë thënë personit nën hetim, S., se ti je ai që për grupin tonë ke bërë sajesa.
Gjatë këtyre fjalëve, personi nën hetim, S., shpjegon se ai është goditur me grushte dhe shkelma, duke ia marrë armën dhe një telefon celular.
Ky i fundit deklaron se është munduar të mbrohet, duke u shmangur dhe pasi ka marrë makinën, është larguar, duke njoftuar eprorin e tij dhe pasi është takuar me të në Elbasan, është paraqitur për të bërë kallëzim në polici.
Në fashikullin që iu tregua Gazetasi.al dhe që hedh dyshime shumë të forta mbi policinë dhe elementë në radhët e saj, referohet edhe dëshmia e personit tjetër.
“Është bërë e mundur pyetja e personit nën hetim, K.H., i cili shpjegon se në datën 02.11.2021 rreth orës 20:00, në lokalin e tij “S....”, i cili ndodhet në afërsi të stadiumit “Elbasan Arena”, ka shkuar një shtetas rreth moshës 40 vjeç, të cilin nuk e njihte.
Ai shpjegon se është afruar tek ky shtetas dhe ai i ka thënë se ishte agjent i Interpolit dhe se në ngarkim të tij kishin ardhur disa letra nga Italia me pretekstin se personi nën hetim, K., kishte disa vite burg për të vuajtur në Itali.
Të tre, bashkë me një shokun e tij ,E.V., janë ulur në një tavolinë dhe personi nën hetim, K., i ka kërkuar punonjësit të policisë që ta linte të takonte nënën e tij, meqenëse do të shkonte në burg.
Në këtë moment personi, i cili i është prezantuar si agjent i Interpolit i ka thënë personit nën hetim. K., se mund ta rregullonin në një tjetër mënyrë.
Kur personi nën hetim, K., e ka pyetur se si mund të rregullohej kjo punë, personi i prezantuar si punonjës policie i Interpolit, iu ka thënë se kjo punë zgjidhet duke paguar 7.000 Euro.
Personi nën hetim, K., duke dyshuar tek ky person, i ka thënë se nuk kishte para dhe se po të donte të vinte të nesërmen, sa të merrte lekët borxh te persona të tjerë.
Pasi kanë rënë dakord, punonjësi i Interpolit është larguar. Personi nën hetim, K., menjëherë ka marrë kontakt me një kushëri të tij, i cili quhet A.GJ., i cili punon me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë nr. 4 Tiranë dhe shtetasin L.H., i cili punon si punonjës policie në Gardën e Republikës.
Këta persona, kur kanë dëgjuar shpjegimet e personit nën hetim, K., në lidhje me çfarë i kishte ndodhur, i kanë thënë këtij të fundit që të bënte kallëzim në polici, pasi veprimet e kryera nga personi i prezantuar si punonjës policie, shkelnin detyrat e punonjësve të policisë.
Po kështu, të nesërmen personi nën hetim K., deklaron se ka biseduar me avokatin e tij në shtetin italian, ku ky i fundit i ka thënë se ai nuk kishte ndonjë problem me shtetin italian dhe se e gjithë kjo duhet të ishte ndonjë mashtrim.
Qytetari: Ai foli me shefin
Në fashikull shpjegohet po ashtu se polici i FAST-it, që shkoi për të marrë paratë të nesërmen, ashtu siç e lanë me të, është vënë në dijeni se nuk duhet ta vazhdonte më tej këtë bisedë.
Qytetari që kujton se i kishte mbyllur me kohë problemet me drejtësinë, ka shpjeguar gjithashtu se ishte interesuar në polici për situatën dhe këtë ia bëri të ditur agjentit.
“Në këtë moment, personi nën hetim K., deklaron se ky person i ka nxjerrë dokumentin e policisë dhe në të njëjtën kohë ka marrë në telefon një person, të cilin e thërriste "SHEF", duke i thënë se personi nën hetim K., nuk e pranonte këtë zgjidhje.
Personi nën hetim K., deklaron se në këtë moment, duke parë mënyrën e sjelljes së këtij personi, ai i ka marrë dokumentin e policisë, i cili ishte me emrin e S.F., dhe më pas, pas ndërhyrjes së disa klientëve të tjerë të lokalit, të cilët e kanë goditur me grushte, i kanë marrë dhe pistoletën dhe telefonin me të cilin fliste.
Personi nën hetim, K., pasi personi është larguar nga lokali, i ka mbështjellë me një peshqir dhe ia ka dorëzuar policisë kur ata kanë shkuar në lokal.
A është e vështirë ta kërkosh të drejtën?
Por përballë një policie të dyshimtë, një gjyqësori që po zbrazet nga Vettingu dhe ndërkohë mjaft të tjerë në gjykata dhe prokurori përfliten për korrupsion, a është e vështirë ta kërkosh të drejtën?
Dhjetëra qytetarë denoncojnë zyrtarët për mos veprim apo shpërdorim detyre. Ka nga ata që kundërshtojnë dhe ende besojnë në gjykatë e drejtësi.
S.M., po drejtonte automjetin në aksin rrugor Sarandë-Livadh, kur më tepër se një vit më parë iu vendos një gjobë nga policia rrugore prej 70 mijë lekësh.
Qytetari ka vendosur të harxhojë pesëfishin, duke paguar një avokat dhe ka vetëm një qëllim, të ballafaqohet me Policinë e Shtetit, Policinë e Vlorës dhe Komisariatin e Sarandës për vendosje gjobe në mënyrë të padrejtë.
I licensuar në fushën e transportit të udhëtarëve, atij iu pasqyrua kundravajtja nga policia më 6 maj 2021 me argumentin: “Drejtuesi i mjetit nuk plotëson kushtet e përcaktuara në licencë, duke përdorur mjetin në linja të ndryshme me ato të cilat parashikohen në lejen e transportit, tërheqje e lejes së transportit”.
Por më pas, duke u bazuar nën një procesverbal, komisioni pranë drejtorisë vendore në Vlorë, me një vendim datë 4 qershor 2021, preu gjobën ndaj qytetarit me vlerën e 70 mijë lekëve, si dhe i pezulloi lejen e transportit për tetë muaj.
Duke hapur padi në Gjykatën Administrative Gjirokastër, qytetari nisi të shpenzojë me vetëm një arsye, të fitojë të drejtën që policia ia hoqi, sipas tij pa të drejtë.
Dy gjykata nisën ping-pongun, se cila prej tyre është kompetente, nëse është ajo e Vlorës apo e Gjirokastrës dhe paditësi vazhdon ende të presë.
Duke argumentuar territorin, Gjykata e Vlorës e refuzoi gjykimin, duke treguar kufinjtë me Gjirokastrën. Në dosjen që iu vendos në dispozicion Gazetasi.al tregon se çfarëdo vendimi të merret, ai tanimë është mjaft i vonuar, mbasi afati i pezullimit të patentës ka përfunduar dhe çështja i caktohet si detyrë Gjirokastrës.
“Pala e paditur, Komisariati i Policisë Sarandë është strukturë në varësi të palës së paditur Drejtoria Vendore të Policisë Qarku Vlorë, që do të thotë se edhe kjo e fundit ushtron funksionet, duke marrë vendime administrative në territorin e Bashkisë Sarandë dhe Himarë, territore të cilat përfshihen në kompetencat tokësore të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës datë 16.11.2012 “Për Ngritjen e Gjykatave Administrative dhe përcaktimin e kompetencës territoriale të tyre”.
Duke iu referuar nenit 11 pika 1 të ligjit nr. 49/2012, në vlerësim të gjykatës, akti administrativ objekt gjykimi vendimi nr. 975, datë 04.06.2021 i nxjerrë nga pala e paditur Drejtoria Vendore të Policisë Qarku Vlorë, e cila pavarësisht se ka selinë në Vlorë, nuk do të thotë se ky veprim administrativ është kryer në Vlorë, por ky veprim administrativ është kryer në Sarandë. Gjykata gjen me vend të theksojë se jo pa qëllim në nenin 11 pika 5 të ligjit nr. 49/2012, është vendosur si kriter i fundit përcaktimi i kompetencave tokësore të gjykatave administrative në bazë territorit të selisë/qendrës së organit publik, pasi sipas nenit 11 pika 1 përparësi, merr përcaktimi kompetencës tokësore të gjykatave administrative, nisur nga territori i kryerjes së veprimit administrativ nga organi publik, palë e paditur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.