Mendim

A e ka humbur shkrimtari ‘luftën’ me pushtetin?

Dhe pyetja themelore tashmë nuk është nëse pushteti do të bjerë.  Ai bie gjithmonë. Pyetja është nëse shkrimtari i sotëm do të mbetet, apo do të zhduket bashkë me përkohësinë që i shërbeu.

Gazeta “SI”- Historia nuk njeh asnjë rast serioz ku pushteti dhe shkrimtari të kenë bashkëjetuar në paqe. Çdo përpjekje për t’i paraqitur në harmoni është ose naivitet, ose propagandë. Jo sepse shkrimtari është natyrshëm konfliktual, por sepse pushteti, në çdo formë që merr ka alergji nga fjala e lirë. Sepse fjala nuk rrëzon me dhunë, por ajo çmitizon, minon dhe kundërshton.

Ndikimi i shkrimtarit në shoqëri në teori nuk është i menjëhershëm, por është i pandalshëm dhe linear. Ai vepron si një efekt domino i heshtur, si një burim krejt  i painteresuar, dhe i pakontrollueshëm e pikërisht për këtë  pushteti e urren.

Pushteti ndërtohet mbi bindje, rregulla dhe frikë; shkrimtaria mbi dyshim, mosbindje dhe çarje kuptimore. Aty ku pushteti kërkon uniformitet, shkrimtari shformon, i jep ngjyra e po ashtu alternativa. Aty ku pushteti flet për “rend”, shkrimtari dëgjon “heshtje të detyruar”. Aty ku pushteti shpall stabilitet, shkrimtari sheh kalbëzim. Prandaj kjo marrëdhënie nuk ka qenë kurrë dialog, por një luftë e hapur mes dogmës dhe mendimit të lirë.

Në historinë e Shqipërisë , pushteti pothuajse gjithmonë ka zgjedhur anën e gabuar. Nga Pjetër Bogdani te rilindasit, nga Musine Kokalari te Vilson Blloshmi, shteti ka luftuar librin. Ka djegur metaforën, ka ndëshkuar ironinë dhe ka kriminalizuar pyetjen. Sepse një poezi e mirë është më subversive se një miting politik. Ajo nuk bind turmat, por zgjon individët. Dhe individët e zgjuar janë armiku më i madh i pushtetit.

Regjimi komunist shqiptar e përkryu këtë frikë patologjike ndaj letërsisë. Ai nuk donte shkrimtarë, por stenografë ideologjikë. Themeloi Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve jo si hapësirë krijimi, por si aparat disiplinimi. Realizmi socialist u shndërrua në një manual steril, ku heroi prodhohej me porosi dhe ku letërsia reduktohej në parullë të stërzgjatur, më estetike dhe sigurisht me një gjuhë më të sofistikuar . Kush nuk pranonte këtë poshtërim estetiko-ideologjik përfundonte në burg, internim ose zhdukej në harresë.

Pushkatimi i poetëve për vargje dhe dënimi i romancierëve për metafora nuk janë “gabime të sistemit”, por thelbi i tij. Visar Zhiti, Musine Kokalari, Kasëm Trebeshina, Bilal Xhaferri, Genc Leka, Vilson Blloshmi dhe shumë të tjerë u ndëshkuan jo sepse shkruan keq, por sepse shkruan të lirë. Regjimi e dinte se një metaforë e ndaluar është më e rrezikshme se një armë.

Rasti i Pjetër Bogdanit është dëshmi se përplasja mes shkrimtarit dhe pushtetit nuk është një rastësi historike por një strukturë organike mbi të cilën këto dy “entitete” nuk bashkëjetojnë . Bogdani ishte klerik dhe dijetar i shekullit XVII e gjithashtu  ishte një shkrimtar që guxoi të ndërtojë mendim kritik dhe vetëdije kulturore në një realitet të sunduar nga pushtet absolut, fetar dhe politik. Çeta e Profetëve ishte një akt kulturor dhe politik, një përpjekje për të formësuar mendimin dhe gjuhën shqipe jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të pushtetit osman. Edhe pse kjo marrëdhwnie duhet parë në konteksin e kohës, sërish vërteton se pushteti i çfarëdolloj, e ka punën me pisk me shkrimin, e kryesisht me letërsinë.

Por pushteti ( si gjithmonë)  nuk ia fali këtë guxim. Pas vdekjes, trupi i Bogdanit u zhvarros dhe u përdhos në një akt barbar të pashëmbullt që simbolizonte dhunën e pushtetit por edhe mesazhin e tij kundër atyre që guxojnë.

E njëjta logjikë përndjekëse përsëritet në shekuj. Rilindasit u toleruan vetëm për aq kohë sa i shërbenin një projekti politik; sapo fjala e tyre rrezikoi të bëhej autonome, u mbikqyrën, u censuruan dhe u margjinalizuan. Një ndër rastet më brutale dhe më domethënëse i mbetet Musine Kokalari.

Musineja u dënua sepse ishte shkrimtare e lirë, mendje e pavarur dhe grua që refuzoi të nënshtrohej. Ajo nuk pranoi të bëhej shkrimtare e regjimit, nuk pranoi të shkruante sipas manualit ideologjik dhe nuk pranoi të heshtte. Për këtë arsye, u përjashtua nga jeta letrare, u burgos. Po ashtu edhe Lasgush Poradeci i cili e thyu lapsin në çastin kur verëu se letërsia shqipe kishte marrë tëposhten.

Roli i humbur i shkrimtarit të sotëm.

Por sot, pushteti nuk burgos më shkrimtarë sepse nuk ka më nevojë. Ai ka gjetur një armë më efikase: indiferencën. Heshtja institucionale është censura më elegante dhe më vrastare e kohës sonë. Shkrimtari që nuk i shërben narrativës zyrtare thjesht injorohet. Kjo është forma moderne e internimit: të jesh i lirë fizikisht, por i padukshëm në shoqëri.

Në Shqipërinë e pas 35 viteve tranzicion, shkrimtari është nxjerrë sistematikisht jashtë jetës publike. Jo rastësisht. Një shkrimtar aktiv, kritik dhe i dëgjuar është kërcënim për çdo pushtet mediokër. Prandaj sot kemi shkrimtarë pa ndikim, libra pa lexues dhe letërsi pa rrezik. Letërsia është kthyer në një produkt estetik të padëmshëm, të konsumueshëm, që nuk shqetëson askënd dhe nuk cenon asgjë. Thuajse një akt argëtues.

Lufta historike mes shkrimtarit dhe pushtetit është mbyllur për momentin  dhe shkrimtari ka humbur. Jo sepse pushteti është bërë më i fortë, por sepse shkrimtari është bërë më i butë. Dhe ky është problemi thelbësor i kohës. Shkrimtarë të cilët e kanë harruar misionin e tyre. Ata janë bërë më të kujdesshëm, më oportunist, më të etur për çmime sesa për të vërtetën. Në mungesë të një armiku të jashtëm, shkrimtarët sot luftojnë mes tyre për lavde, çmime  dhe vëmendje mediatike, duke e shndërruar jetën letrare në një farsë narcisiste.

Por të humburit e vërtetë nuk janë vetëm shkrimtarët, por edhe  lexuesit dhe shoqëria. Sepse një shoqëri pa letërsi subversive është një shoqëri e bindur. Dhe një shoqëri e bindur është terreni ideal për pushtetin.

Sot , shkrimtarët janë zëra të humbur në shkretëtirë të cilët bërtasin gjithë kohës dhe akuzojnë, shoqërinë që nuk lexon, shtetin që nuk mbështet dhe shpesh njëri tjetrin për sabotim. Por e vërteta është se shkrimtari sot e ka këmbyer realitetin e mosbindjes dhe iluminizmit me një realitet surreal, të rindërtuar prej vetë tyre, krejt jashtë realitetit.

Mjafton ti hedhësh një sy rrjeteve sociale, dhe aty do kuptojmë luftën e madhe krejtësisht mediokre të shkrimtarëve për sundim, sabotim e shpesh për mungesë meritokracie. Konkurse që më shumë prodhojnë pakënaqësira sesa produkte mirëfilli letrare. Subjekte që ripërsëriten, fjalë që rishkruhen dhe çmime që nuk vlerësojnë thuajse asnjëhërë letërsinë e mirefilltë. Një kaos virtual i cili identifikon qartë, edhe krizën në të cilën po kalon letërsia shqipe, kryesisht shkrimtari si individ.

Historia, megjithatë, nuk gabon në llogaritë e saj. Pushteti kalon gjithmonë. Shkrimtari ai i vërteti mbetet. Dhe pyetja themelore tashmë nuk është nëse pushteti do të bjerë.  Ai bie gjithmonë. Pyetja është nëse shkrimtari i sotëm do të mbetet, apo do të zhduket bashkë me përkohësinë që i shërbeu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë