Nga Gazeta Si- Për një popull të vogël të cilit thuajse gjithçka i është dashur ta fitojë me luftë, psikoza kolektive e të parit të gjithçkaje si një lloj lufte është e mundur. Sigurisht, duke qenë historikisht në rol mbrojtës dhe jo pushtues, edhe këngët e luftës apo të heronjve janë kryesisht për heronj të cilët kanë rënë duke mbrojtur dhe jo duke sulmuar, dhe kjo nuk të bën inferior.
Morali i njerëzimit nuk ka ndryshuar aspak nëpërmjet luftës, aq më tepër asaj pushtuese. Por duke qenë se lufta mbetet përherë një rrezik konstant, edhe në mungesë, ajo transportohet në ambiente apo hapësira të cilat kanë njëfarë rivaliteti. Një nga këto hapësira është edhe stadiumi. Futbolli që nga shpikja e tij e deri më sot mbetet një sport i luftuar i cili polarizon si rrallë sport tjetër edhe tifozeritë. Por tifozeria ka kodet dhe ligjet e veta edhe pse të pa shkruara të cilat shpesh janë në kundërshtim me institucionet e futbollit. Po pse gjithmonë ka kontradikta kaq të thella mes tifozerisë dhe asaj që quhet qeveri e futbollit? Pse futbolli çdo ditë e më shumë po kthehet në një sport rregullash dhe mesazhesh dhe po humbet lidhjen me tifozin e zjarrtë që jep shpirtin për skuadrën e zemrës?
I tillë është dhe rasti i këngës së famshme me titull “Mora fjalë” e cila në eliminatoret e kampionatit europian Gjermani 2024 u shndërrua në himnin e tifozerisë sonë. Fillimisht e sjellë në shkallët e stadiumeve nga tifogrupet e Kosovës dhe më pas e adoptuar më së miri dhe nga tifozët e Shqipërisë londineze dhe më gjerë, kjo këngë u shndërrua në himnin motivues të kombëtares sonë. Dhe ngjau sikur kënga ishte një lloj hajmalie për kombëtaren tonë pasi djemtë e kombëtares, nën këtë himn arritën një kualifikim mbresëlënës në europianin e këtij viti.
Kënga “Mora fjalë” është krijuar në vitin 2000 nga kompozitori shqiptar Naim Gjoshi dhe u këndua për herë të parë nga këngëtari Qazim Beka. Në vitin 2001, tre vite nga rënia e heroit Adem Jashari, kjo këngë u rikëndua nga këngëtarja Shkurte Fejza. Më vonë kënga pati dhe interpretues të tjerë si Adem Ramadani e deri te Elgit Doda. Po pse pikërisht kjo këngë arriti të fitojë zemrat e tifozëve dhe jo kënga zyrtare e kënduar dhe interpretuar nga artisti kosovar Capital T?
Këtu besoj e merr përgjigjen çdo kush. Sepse tifozëria është një grupim i cili mbështetet kryesisht mbi instikte dhe një psikologji masazh, që ushqehet nga tinguj apo fjalë që kryesisht ngazëllejnë por dhe nxisin dëshirën për sundim dhe triumf. Ata vendosin në bazë të zemrës dhe jo intelektit dhe logjikës. Se nervi i tyre e po ashtu vullneti i tyre është fitorja me çdo kusht ndaj kundërshtarit. Dhe e fundit, duke qenë pjesë e kësaj ane të Ballkanit, nacionalizmi buron nga padrejtësia, së paku në rastin e shqiptarëve. Dhe kështu duke u identifikuar me një hero si Adem Jashari, ata i demostrojnë kundërshtarit por dhe botës mbarë se edhe ne dimë të triumfojmë. Por tifozeria përbëhet nga individë dhe secili prej tyre ka një logjikë e cila e dikton, ndryshe do ktheheshim pas në mesjetë. Por pasioni i tyre për futbollin lidhet me karakterin e këtij sporti i cili pa tifozët, nuk do të kishte asnjë kuptim. Po pse atëherë Federata Shqiptare kërkon t’ ua presë këtë hov tifozëve?
Të kontaktuar me telefon, sekretarja e federatës bën me dije se nuk ka asnjë vendim zyrtar të bordit që vendos ta ndërpresë këtë këngë në stadiume. Përgjigje të saktë nuk ka dhe askush nuk tenton të të iluminojë sadopak së çfarë ka ngjarë? Pyetja ka vetëm një përgjigje, e cila ka mbetur me gjasë korridoreve të federatës. Por kureshtja shtyn për më tutje. E kontaktuar nga Gazetasi.al, këngëtarja Shkurte Fejza tregon se së pari ndalimin e këngës saj e ka marrë vesh nga mediat në Kosovë dhe më pas u pa nga të gjithë se në dy ndeshjet e fundit “ Mora fjalë” nuk ushtoi në altoparlantët e stadiumit Air Albania.
Dhe kaq duhej që lajmi të marrë dhenë. Aludim mbas aludimi e konfirmim mbas konfirmimi për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Indinjata e Shkurte Fejzës është legjitime ashtu si indinjata e tifogrupeve të cilët për vite me radhë kanë shpenzuar para për bileta dhe e kanë ndjekur kombëtaren “këmba këmbës”. Ajo çka nuk kuptohet në këtë rast është heshtja e federatës, e cila sigurisht e ka një shpjegim, duhet ta ketë një të tillë. Për mijëra tifozë, për miliona shqiptarë por edhe për heronjtë të cilët edhe pse të pakët, e kanë lavdinë me vete. Sepse edhe heshtja ashtu si e folura ka standardin dhe kohën e saj, por të heshtësh për fyerjet raciste ndaj shqiptarëve dhe të heshtësh sërish për ndalimin e një kënge e cila u shndërrua në himn nuk është njësoj. Ka vetëm një fakt që i përbashkon, të dyja rastet e heshtjes na dëmtojnë ne.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.