Mendim

A duhet t’u druhemi investimeve arabe në Ballkan?

Përgjatë viteve të  fundit, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë gjithnjë e më aktive si partner investimi në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, një studim i realizuar se fundmi nga Universiteti i LSE-së në Londër ka ngritur alarmin se  investimet e Emirateve Arabe (UAE) në rajon  kanë një mungesë të theksuar transparence.

Përfshirja financiare e Emirateve Arabe në Europën Juglindore nuk është një fenomen i ri, por investimet e viteve 2000 në Kosovë dhe Bosnje, të cilat erdhën kryesisht si ndihma të jashtme pas luftës, janë kthyer tanimë në "portën hyrëse" të Abu Dhabit në rajon. Lidhjet e interesit që janë fuqizuar përgjatë dekadës së fundit, veçanërisht në Mal të Zi, Serbi dhe së fundmi në Bosnje, shkojnë sipas ekspertëve, përtej investimeve të biznesit.

Ambasada e parë e Emirateve të Bashkuara Arabe në Ballkan u hap në vitin 2012 në Mal të Zi, dy vjet pas ndërtimit të një qendre gjigante biznesi në Podgoricë nga Grupi Financiar “Abu Dhabi”. Si për të nxjerrë në pah lidhjen e ngushtë midis biznesit dhe politikës, selia diplomatike ndodhet brenda qendrës luksoze tregtare. Sektorët kryesorë të investimeve në Malin e Zi janë turizmi dhe bujqësia. Zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë theksuar se shpresojnë që Mali i Zi të jetë "porta e tyre" për në Ballkanin Perëndimor, një rajon ku duan të vendosin baza të forta industriale, para se të bashkohet me tregun e madh ekonomik të BE-së". Sipas “Vocal Europe”, Emiratet e Bashkuara nuk i kanë mbajtur të fshehta implikimet gjeopolitike në rajon, duke e bërë të qartë se po ndjekin një logjikë afatgjatë investimi, në mënyrë që të përgatitin vendin e tyre pas rënies së fuqisë ekonomike të naftës.

Plani  ndertitmit te "Waterfront" në Beograd

Nga ana tjetër, përfshirja në Serbi erdhi në vazhdën e fundit të investimeve arabe, por përfundoi duke qenë edhe më e fuqishmja. Në vitin 2013, Aleksandar Vuçiç njoftoi ndërtimin e një sërë biznesesh të profilit të lartë nga Emiratet Arabe dhe dhënien e kredie prej një miliardë dollarësh, të ndjekur nga investime të fuqishme në katër industri kryesore: bujqësi, ndërtim, transportin ajror dhe prodhimin e armatimeve. Përmirësimi i marrëdhënieve mes Abu Dhabit dhe Beogradit ka qenë vërtet mahnitës. Dikur kritik të veprimeve të Serbisë gjatë luftërave të viteve 1990, sot udhëheqësit e Emirateve shihen si ndër aleatët më të mëdhenj të Serbisë .

Megjithatë, investimet e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk kanë kaluar pa polemika në asnjë prej vendeve të Ballkanit. Ajo që i karakterizon këto marrëveshje është një mungesë e dukshme e transparencës, e shoqëruar me lehtësira të mëdha juridike për investitorët arabë. Akuzat për korrupsion, si dhe pretendimet se Milo Gjukanoviç dhe Aleksandar Vuçiç janë të lidhur me familjen në pushtet të Abu Dhabit, janë hedhur poshtë si të pakuptimta nga të gjitha anët, por kanë rritur skepticizmin e publikut ndaj investimeve arabe. Ky mosangazhim për investime transparente është shqetësues.  Ndoshta kjo vjen pasi kulturat e udhëheqësve të Ballkanit dhe atyre të Emiratet e Bashkuara Arabe, janë të ngjashme në shumë mënyra. Ky është një lajm i mirë për angazhimin e vazhdueshëm ekonomik të të dyja palëve, por lajm i keq për zhvillimin demokratik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe ne Serbi

"Sulltanati” i Emirateve të Bashkuara Arabe, ka zhdukur vijën midis publikut dhe privatit, ndërkohë që burimet shtetërore shihen si pronë personale e sunduesit dhe bashkëpunëtorëve të tij.  Tanimë Emiratet duket se se kanë gjetur një terren pjellor në vendet ballkanike, të karakterizuara kryesisht nga stanjacioni ekonomik dhe qeverisja e dobët. Ekspertët perëndimorë kanë ngritur shpesh alarmin se mungesa e transparencës së investimeve arabe mund të çojë drejt “blerjes” së elitave ekzistuese politike dhe atyre të biznesit nëpërmjet rrugëve klienteliste. Në këtë kuptim, investimet jo-transparente duhet të jenë me të vërtetë një shqetësim kyç për udhëheqësit e Ballkanit, pasi kanë potencialin për të minuar procesin e pranimit në BE.

Rritja e investimeve arabe në Shqipëri

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë sinjalizuar vazhdimisht se janë të etura për të përshpejtuar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha fushat ekonomike, duke përfshirë energjinë e rinovueshme, turizmin dhe bujqësinë.  Në vitin 2017, ministri i Energjisë Suhail bin Mohammed i kërkoi qeverisë shqiptare dhe sektorit të biznesit privat të marrin në konsideratë mundësitëpër investime dhe të propozojnë hapa praktikë për të kapërcyer pengesat me të cilat përballen Emiratet dhe Shqipëria. Gjatë forumeve të shpeshta ekonomike mes Shqipërisë dhe Abu Dhabit është theksuar vazhdimisht se marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve janë fuqizuar nga viti në vit.

Edi Rama vizitë pune në Emiratet e Bashkuara Arabe

Një vit me parë Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë pune në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku theksoi nevojën për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, si edhe ftoi sipërmarrësit e Emirateve të Bashkuara Arabe të investojnë në Shqipëri. Me interes nga të dyja vendet shihen investimet në fushën e turizmit dhe infrastrukturës, sidomos në portet detare. Në takim u diskutua edhe për mundësinë e vendosjes së një linje ajrore të Emirateve të Bashkuara, e cila do të lidhte dy vendet.

Pas vizitës së tij, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një tjetër, vizitë të shkurtër në Emiratet e Bashkuara Arabe për të diskutuar financimin e një sërë projektesh të rëndësishme për kryeqytetin dhe thithjen e investitorëve të huaj në Tiranë. Ai zhvilloi takime me gjigantët e "Masdar" dhe "Emaar", të cilët i ftoi të investojnë në projekte të ndryshme në Tiranë, si dhe i njohu ata me lehtësirat dhe klimën e favorshme e të bërit biznes në kryeqytetin shqiptar. Veliaj vlerësoi kontributin e dhënë nga miqtë e Fondit të Abu-Dhabit, për financimin e projektit të Bulevardit të Ri dhe Lumit të Tiranës dhe theksoi se kryeqyteti shqiptar është gati për një partneritet të ri për realizimin e projekteve të tjera zhvilluese.

Burimet:"Vocal Europe","REL"/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë