Nga Gazeta Si - Në programin biologji kimi në Universitetin e Gjirokastrës ka vetëm 2 studentë të regjistruar, Histori-Gjeografi 1 student, menaxhim digjital 3 të regjistruar. Biologjia në Vlorë ka vetëm 1 student dhe dega “Udhërrëfyes turistik për rajonin e jugut” ka 3 studentë. E njëjtë paraqitet situata edhe në Universitetin e Shkodrës, Elbasanit dhe Korçës ku degë të ndryshme kanë numër të ulët regjistrimesh, më pak se 5 studentë.
Rënia drastike e regjistrimeve në rrethe ka nisur prej vitesh dhe duket se nuk po mbaron.
Universiteti i Elbasanit ka një rënie të studentëve me 56.4 për qind nga 2017, ai i Korçës 47.7 për qind, i Shkodrës 54 për qind, i Gjirokastrës 15.4 për qind ndërsa i Vlorës, 60 për qind më pak.
Por, pse nuk preferohen Universitetet dhe a duhet të rishikohen programet që prej vitesh kanë numër të ulët regjistrimesh?
“Situata e universiteteve të rretheve patjetër që është një shqetësim i madh dhe është alarm. Gjatë viteve është vënë re një trend shumë negativ dhe vit pas viti humbasin student”, thotë Gevio Tabaku nga "Qëndresa Qytetare".
Ai tregon për Gazetasi.al se numri i ulët i studentëve, aq sa lidhet me tregun e punës, aq lidhet edhe me faktin e sigurisë së punës në këto degë.
“Nëse një student futet në një degë që është prioritet kombëtar dhe merr bursën prej 40 mijë lekësh në muaj, për shembull, pse duhet të futet në atë degë kur rroga pasi të mbarojë studimet do jetë pak më shumë se kaq”, thotë Tabaku.
Arsyeja ka të bëjë tërësisht me emigrimin masiv të të rinjve por edhe me përzgjedhjen e degëve që të sigurojnë emigrim, thotë Tabaku.
Si shembull kemi degët e infermierisë dhe mamisë ku kuotat plotësohen thuajse plotësisht pikërisht sepse diploma e tyre shërben si pasaportë për tu larguar nga vendi.
Gjithashtu, sipas Tabakut, është edhe cilësia e universiteteve kur të Tiranës shihen nga studentët si më të mirë në krahasim me të rretheve.
“Universitetet e rretheve janë pothuajse njësoj në programe studimi dhe në esencë, e mira do ishte që të krijohen universitete rajonale”, sqaron Tabaku, duke shtuar më tej se këto universitete rajonale të jenë më të profilizuar dhe t’u ofrojnë studentëve shqiptare një zgjidhje më të volitshme.
Kështu, në Shqipëri nuk do të kishte 2 studentë biologjie në Gjirokastër dhe 1 student në Vlorë!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.