Nga Gazeta Si- Debati mbi piramidën e re ushqimore ka ngjallur diskutime jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Europë dhe vende si Shqipëria. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë, por thelbësore: a duhet Shqipëria të adaptojë këto udhëzime të reja ushqimore, apo të mbetet besnike ndaj modelit të vet tradicional të të ushqyerit?
Sipas dietologes klinike Blerina Bombaj, përgjigjja është jo, të paktën jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Bombaj thotë për Gazetasi.al se çdo popullatë ka karakteristikat e veta, nga klima dhe bujqësia, te kultura, zakonet dhe trashëgimia ushqimore. Europa, dhe veçanërisht vendet mesdhetare, kanë ndërtuar prej dekadash një model ushqimi të bazuar në studime të shumta shkencore, i cili nuk ka pse të zëvendësohet nga një piramidë e ndërtuar për një realitet tjetër kontinental por, shton Bombaj, sigurisht që mesazhet që kjo piramidë përcjell janë të rëndësishme dhe mund të përbëjnë një ngacmim për të rishikuar edhe Europa udhëzimet e veta në disa pika, jo në të gjitha.
“Piramida e re ushqimore, ndonëse vizualisht e ndryshme, nuk sjell ndryshime thelbësore në përmbajtje, përveç rritjes së rekomandimit për marrjen e proteinave, nga 0.8 gram për kilogram peshë trupore në 1.2–1.6 gram”, thotë Bombaj, duke shtuar se ky ndryshim konsiderohet substancial, por nuk justifikon një përmbysje të të gjithë udhëzimeve ekzistuese.
Dietologia tregon se edhe pse në pamje të parë duket se produktet shtazore vendosen në plan të parë, në brendësi të udhëzimeve ato vazhdojnë të limitohen për shkak të përmbajtjes së yndyrnave të ngurta.
Një nga pikat më të debatueshme të kësaj piramide është reduktimi i drithërave dhe legumeve, një rekomandim që, sipas Bombajt dhe një pjese të gjerë të komunitetit shkencor, nuk mbështetet në evidenca shkencore dhe është absurde që të adaptohen nga Europa dhe Shqipëria.
“Studimet tregojnë se konsumimi i fasuleve, qiqrave, thjerrëzave dhe drithërave integrale të papërpunuara si elbi, bulguri apo quinoa lidhet me përfitime të shumta për shëndetin kardiovaskular, metabolik dhe tretës”, thotë Bombaj, duke shtuar se në këtë kontekst, modeli mesdhetar i ushqyerjes mbetet një nga modelet më të studiuara dhe më të besueshme në botë. Ai promovon konsum të moderuar, shumëllojshmëri ushqimore, produkte sezonale, drithëra të plota, vaj ulliri, perime, fruta dhe legume, elementë që janë pjesë e identitetit ushqimor shqiptar.
“Të imagjinosh t’u thuash shqiptarëve të mos konsumojnë bukë, apo italianëve të heqin dorë nga pasta, nuk ka asnjë sens,” thekson Bombaj. Udhëzimet ushqimore duhet të jenë të përshtatura me realitetin e popullatës dhe jo të importuara mekanikisht nga modele të huaja.
Në përfundim, Shqipëria mund të marrë sinjale dhe ide nga piramida e re ushqimore, por pa braktisur bazën e udhëzimeve dietike të ndërtuara mbi modelin mesdhetar. Përshtatja ndaj kontekstit lokal mbetet thelbësore për një ushqyerje të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



