Art dhe Kulture

A duhet arti, të jetë i bukur apo i fuqishëm?

Përgjatë historisë së artit, artistët dhe publiku  janë gjendur para një dileme të madhe: A është qëllimi kryesor i artit të estetika, apo mesazhi i fuqishëm që provokon mendimin dhe ndjenjat?

Nga afresket madhështore të Rilindjes deri te instalacionet konceptuale të shekullit XXI, arti ka lëvizur mes këtyre dy poleve, bukurisë dhe ndikimit.

Disa argumentojnë se arti duhet të ngjallë afeksion vizual ndërsa të tjerë besojnë se forca e tij qëndron pikërisht në aftësinë për të sfiduar normat, për të ngritur pyetje dhe për të tronditur emocionet.

Arti klasik si ai i Greqisë dhe Romës së lashtë, por edhe ai i periudhës së Rilindjes është konsideruar tradicionalisht i bukur, sepse ishte ndërtuar mbi parime estetike të harmonisë, simetrisë, proporcionit dhe idealit njerëzor.

Arti klasik ishte i bukur, sepse bukuria nuk ishte vetëm një vlerë estetike por dhe vlerë filozofike, morale dhe shpirtërore. Ajo përfaqësonte një ideal: jo realitetin siç është, por siç duhet të jetë.

Në shekujt më të vonshëm, sidomos me ardhjen e modernizmit dhe më pas të avangardës, arti nisi të shkëputet nga koncepti tradicional i bukurisë.

Arti nuk kishte më për qëllim të kënaqte syrin, por të zgjonte mendjen dhe ndërgjegjen. U shndërrua në një mjet proteste, kundërshtimi dhe reflektimi social, ku rëndësia e mesazhit shpesh kalonte përpara estetikës.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se forma nuk kishte më rëndësi përkundrazi, forma u bë një mënyrë e re për të përcjellë ide të fuqishme.

Mënyra se si një vepër është ndërtuar, materiali i përdorur, hapësira që zë, disonanca vizuale apo thjeshtësia tronditëse të gjitha këto forma u përdorën si gjuhë simbolike të protestës dhe kritikës sociale.

“Guernica” e Pablo Picassos është një vepër e dhimbshme për luftën dhe shkatërrimin, ku forma e deformuar dhe ekspresive e trupave shërben për të shprehur tragjedinë.

Arti konceptual si ai i Marcel Duchamp me “shatërvanin” (një objekt i zakonshëm i vendosur në një galeri) sfidoi vetë përkufizimin e artit dhe bukurisë.

Arti feminist, anti-racist dhe queer art në shekullin XX dhe XXI ka përdorur trupin, gjuhën, simbolet e përditshme dhe teknikat eksperimentale si forma të vetëdijshme proteste ndaj sistemit dhe stereotipeve sociale.

Këtu, forma nuk është më vetëm për të qenë “e bukur”, por për të qenë provokuese, sfiduese, tronditëse dhe domethënëse. Ajo bëhet pjesë e mesazhit, një element që nuk shërben vetëm për përçimin e ideve, por edhe për të thyer rregullat tradicionale të perceptimit.

Një tjetër dimension thelbësor në debatin mes bukurisë dhe mesazhit është emocioni që arti synon të zgjojë te shikuesi. A duhet arti të jetë një përvojë e butë, që na afron me ndjeshmërinë, empatinë dhe humanizmin? Apo, përkundrazi, ai duhet të na trondisë, të na shqetësojë dhe të na shtyjë drejt reflektimit kritik?

Arti që zgjon ndjeshmëri ndihmon në ndërtimin e lidhjes njerëzore. Ai na lejon të përjetojmë emocionet e tjetrit, të ndjejmë dhimbjen, dashurinë, vuajtjen apo gëzimin në mënyrë të thellë.

Në këtë kuptim, arti ka një funksion shërues dhe bashkues, duke na bërë më të vetëdijshëm për botën që na rrethon dhe për veten tonë.

Por nga ana tjetër, arti që sfidon shikuesin ka një funksion tjetër po aq të rëndësishëm: ai na vendos përballë realiteteve që preferojmë të injorojmë. Na detyron të dalim nga zona e rehatisë. Në vend që të na qetësojë, na nxit të mendojmë, të pyesim dhe të rivlerësojmë bindjet tona.

Por këto dy dimensione nuk është e thënë ta përjashtojnë njëra tjetrën. Shpesh arti është edhe i bukur por dhe i fuqishëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë