Nga Megi Iskurti –Pikëpyetja që ka qarkulluar këto ditë mes prodhuesve dhe tregtarëve vendas është nëse me valën e produkteve të tjera do të rritet edhe çmimi i bukës.
Ndërsa ekspertët e bujqësisë presin një rritje të mëtejshme, operatorët nga Shoqata e Prodhuesve të Bukës shprehen se gjithçka ka mbetur në dorë të pronarëve.
Gëzim Peshkëpia, kreu i kësaj shoqate, thotë për Gazetasi.al se me kostot e rritura, pronarët mund të zgjedhin të rrisin çmimet ashtu si në vendet e tjera të Europës.
“Çmimet janë individuale. Janë rreth 4 mijë furra buke në të cilat ne tashmë nuk mund të ndikojmë sepse është bërë shumë e vështirë për të ruajtur ekuilibrat.
Që nuk do të ketë ulje kjo është më shumë se e sigurt sepse kostot sa vijnë edhe rriten. Shqiptarët duhet të kuptojnë tashmë që një rritje me 10 apo 20 lekë që mund të bëhet, nuk është shumë duke parë se çfarë po ndodh me tregun europian”, thotë ai.
Si anëtar i Bordit të Konferedatës Europiane, Peshkëpia sjell për Gazetasi.al shembullin me çmimet e bukës në Gjermani, e cila sipas tij, kostot dhe standardin nuk i ka shumë ndryshe nga ne.
“Në Gjermani buka masive është 10 euro ndërsa një franxhollë kushton 5 euro. Gjermanët nuk e kanë standardin aq të lartë, çmimet dhe pagat po bëhen si në Itali.
Miellin e marrin njësoj si ne dhe kostot i kanë po si tonat. Kjo është një situatë globale së cilës duhet t’i përshtatemi tashmë”, shton ai më tej për Gazetasi.al.
Prodhuesit dhe tregtarët vendas janë të shqetësuar se, nga njëra anë, po furnizohen me çmime shumë të larta, ndërkohë në tregun e brendshëm po ushtron presion ulja e konsumit dhe reduktimi i popullsisë për shkak të emigracionit.
“Ka një rënie të lehtë të çmimit të grurit nga furnizohet Shqipëria, nga 350 USD për ton, në 320 USD/ton. Si rrjedhojë, furrat e bukës tani furnizohen me miell 78 lekë/kilogram nga më shumë se 90 lekë/kg në mars, por kjo ulje nuk është reflektuar te çmimi final i bukës.
Ikja e të rinjve që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj të brumërave, po ul konsumin, ndërsa vendi vuan nga mbiinvestimet në përpunim. Presionet nga tregjet e jashtme dhe tregu i brendshëm e kanë bërë edhe më të ashpër konkurrencën, duke bërë që grosistët të gërryejnë fitimet e veta”, shton ai.
Edhe Ervin Resuli, ekspert bujqësie pohon se nuk përjashtohet një rritje e mëtejshme e çmimit të bukës së bashku me çmimet e tjera të produkteve si bulmeti, mishi dhe zarzavatet që do të rriten më tej gjatë pjesës së mbetur të muajit shtator.
Ndërkohë nga ana tjetër, buka artizanale shqiptare po rrezikohet nga mungesa e puëntorëve.
“Me këto ritme në Shqipëri do të ketë vetëm bukë industriale”
Peshkëpia me shqetësim shprehet për Gazetasi.al se mungesa e punëtorëve po e rrezikon tërësisht bukën artizanale në Shqipëri.
“Ne jemi vendi i vetëm që bukën e bëjmë më brumë të ardhur në mënyrë artizanale por ka një mungesë të theksuar dëshire tek të rinjtë për të punuar në këtë sektor. Duhet kuptuar tashmë që ky është zanati që mban popullsinë.
Duhen masa institucionale, qeveria duhet të reagojë sepse po rrezikohemi shumë nga mungesa e punëtorëve pavarësisht se i kemi rritur rrogat me sa mundemi”, thotë ai për Gazetasi.al ndërsa shton se shumë shpejt, me këto ritme, tradita do të zhbëhet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.