Prej ditësh po vemë re që izolimi po jep ndikimin e vet në çdo sferë të jetës, përfshi edhe në shëndetin mendor të njerëzve. Çfarë pasojash mund të ketë izolimi për psikologjinë tonë dhe a është vetmia ngjitëse?
Ekspertë të shëndetit mendor kudo në botë, bien dakord që përgjithësisht periudhat e izolimit, të bëjnë më të vetmuar. Në një studim të vitit 2009, i raportuar në librin “Vetmia” e psikiatrit gjerman Manfred Spitzer, tregohet se gati njësoj si pirja e duhanit, edhe vetmia është ngjitëse.
Studimi tregon se nëse miku juaj ndjehet i vetmuar, ka shumë gjasa që edhe ju të ndjeheni njëlloj në vitet e ardhshme. Psikologia Rosita Pustina shpjegon për Gazetën “Si” se vetmia mund të jetë e dëmshme si për shëndetin tonë mendor ashtu dhe atë fizik. Ajo shpjegon se njerëzit e vetmuar kanë tendencën të bëhen edhe më të vetmuar, por kjo nuk ka lidhje me izolimin social, por me faktin se vetmia është ngjitëse dhe këta persona e përhapin ndjenjën e tyre.

“Mendoj se pas kësaj njerëzit do të bëhen më pak individualistë dhe më altruistë, të dhembshur, bujarë. Gjithashtu, mendoj që koha në karantinë do të shërbejë për të njohur më mirë veten dhe gjërat që kanë me të vërtetë vlerë për gjithsecilin,” thekson psikologja.
Psikologja Pustina i tha Gazetës se izolimi mund të jetë stresues. Të qëndruarit në karantinë përballë një force të pakontrollueshme si pandemia, shkakton tek njerëzit një ndjesi pafuqie dhe pasigurie për të ardhmen. Periudha të gjata kohe ku asgjë nuk ndryshon mund të shkaktojnë një “luftë” të brendshme mes dëshirës për të bërë përpara dhe pamundësisë për ta bërë atë, gjë që mund të çojë në përjetimin e mendimeve dhe emocioneve negative.
Pandemia ka bërë që njerëzit të lidhen më shumë me botën brenda se sa atë jashtë shtëpisë. Ndërkohë që studime të shumta tregojnë se gjatë periudhave të tilla si izolimi nga një pandemi mund të sjellë shqetësime të ndryshme psikologjike si frika, çrregullimi i stresit postraumatik dhe pagjumësia.
“Njerëzit e kanë të nevojshme të kenë kontrollin dhe mundësinë e të marrit vendime. Në të tilla kushte është e këshillueshme kryerja e aktiviteteve stimuluese si praktikimi i sportit në shtëpi, ruajtja e kontaktit social me njerëzit e afërt,leximi, luajtja e lojërave të ndryshme. Gjithsesi, duhet theksuar fakti që izolimi dhe efektet e tij mund të ndryshojnë në vende të ndryshme në bazë të kulturës, stilit të jetesës, kushteve klimaterike e të tjera,” shpjegon psikologia Pustina.

Edhe pse mund të jetë i vështirë për psikologjinë e individëve, ekspertët e mjekësisë kudo në botë e shohin distancimin social si zgjidhjen më të mirë të mundshme për frenimin e pandemisë.
Psikologia Pustina tregon se ruajtja e distancës fizike në këto momente është esenciale, por kjo nuk do të thotë të ndërpresim kontaktet sociale, duke u izoluar në tërësi.
“Ashtu siç shprehet edhe epidemiologia amerikane Maria Van Kerkohove, falë teknologjisë ne sot mund të ruajmë kontaktin social në mënyra të ndryshme pa qenë të pranishëm fizikisht. Në këtë mënyrë ne jemi në gjendje të zhvillojmë brenda parametrave të pranueshëm nevojën tonë si qenie sociale, si dhe të kontribuojmë njëherazi në shëndet duke parandaluar përhapjen e virusit,” shton Pustina.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.