Kuriozitete

A do të luajnë robotët futboll që të mundin fituesit e Kupës së Botës deri në vitin 2050?

Për tifozët e futbollit në të gjithë botën, kulmi i këtij sporti është finalja e Kupës së Botës. Po sikur ajo ndeshje në të ardhmen të ishte vetëm një lojë midis futbollistëve më të mirë dhe robotëve më të mirë?

Mund të duket e largët, por ky është qëllimi i një organizate që ka drejtuar një turne vjetor global të futbollit për robotë që nga viti 1997.

Themeluar nga një grup shkencëtarësh robotikë, Botërori Robot Soccer ose RoboCup i ka vënë vetes një qëllim ambicioz.

“Nga mesi i shekullit 21, një ekip futbollistësh robot humanoid plotësisht autonome do të fitojë një lojë futbolli, në përputhje me rregullat zyrtare të FIFA-s, kundër fituesve të fundit të Kupës së Botës”.

Ekipet e RoboCup përdorin tashmë robotë në formë njeriu me sisteme softuerike të avancuara të inteligjencës artificiale (AI) që u mundësojnë atyre të marrin vendime, të tilla si të gjuajnë apo të kalojnë.

Por a mund të jenë ndonjëherë këta robotë aq të mirë sa të mundin një skuadër njerëzore fituese të Kupës së Botës deri në vitin 2050?

“Është sigurisht e besueshme. Unë nuk do të vendosja bast për të, por as nuk do të vendosja bast kundër tij”, thotë Peter Stone, president i RoboCup dhe profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Teksasit në Austin.

“Tridhjetë vjet janë një kohë e gjatë. Shumë mund të ndodhin në atë periudhë kohore”.

Ndërkohë RoboCup ka një qëllim tjetër, të shërbejë si një mjet për të promovuar robotikën dhe AI.

Ekipet nga e gjithë bota marrin pjesë në konkursin global, i cili aktualisht ka një numër kategorish të ndryshme. Në Ligën Standard të Platformës, të gjitha ekipet përdorin të njëjtin robot kështu që fokusi është në zhvillimin e tyre të softuerit AI.

Ndërsa janë në Ligën Humanoid, ekipet hartojnë dhe ndërtojnë robotët e tyre, kështu që ata duhet të zhvillojnë AI-në e tyre dhe robotikën fizike.

Liga të tjera përfshijnë RoboCup Rescue, ku robotët konkurrojnë në skenarë kërkimi dhe shpëtimi dhe RoboCup@Work, duke përfshirë detyra të bazuara në punë të tilla si prodhimi dhe shpërndarja.

Sidoqoftë, të luajnë futboll është fokusi kryesor.

“Një sfidë është ndërtimi i një roboti që mund të vrapojë aq shpejt dhe lehtë sa një person, mund të gjuajë topin si Beckham, ose të bëjë manovrime”, thotë Stone.

Ndër ekipet që kanë konkurruar në RoboCup është Cyrus, një grup studentësh nga Universiteti Dalhousie i Kanadasë.

Në 2019 dhe 2020 nuk u mbajt asnjë turne fizik për shkak të pandemisë por në qershor Cyrus fitoi një kupë në internet, RoboCup’s Software League, ku skuadrat konkurrojnë brenda një loje kompjuterike.

Mahtab Sarvmaili, një anëtare e ekipit të Cyrus dhe studente e shkencave kompjuterike, thotë se ajo beson se është “totalisht e mundur” që sportet robotike të përhapen dhe të jenë fitimprurëse në të ardhmen.

“Kjo mund ose nuk mund të ndodhë, por si një vizion ambicioz ajo shtyn një komunitet global, krijues dhe entuziast të studiuesve për të zhvilluar futbollin AI drejt këtij qëllimi”, thotë ajo.

Në planin afatgjatë, megjithatë, edhe “avokatët” e sporteve robotike besojnë se mbajtja e vëmendjes së publikut mund të përbëjë një problem nëse robotët arrijnë një fazë ku mund të konkurrojnë me njerëzit.

Si shembull, Stone tregon se ndërsa publiku i gjerë ishte magjepsur nga fitorja e kompjuterit IBM Deep Blue mbi kampionin botëror të shahut Garry Kasparov në 1997, pak njerëz sot ndjekin ndeshje të tilla mes njerëzve dhe kompjuterëve.

“Gjithmonë ka një zhurmë kur komuniteti AI afrohet të takojë një nivel njerëzor në çdo lloj përpjekjeje. Ka shumë bujë rreth kësaj … por pas kësaj, çdo gjë zbehet”.

Një nga përdoruesit kryesorë të robotëve në botë, Amazon Robotics, u themelua fillimisht nga një fitues i mëparshëm i RoboCup, Raffaello D’Andrea.

Në 2003 ai krijoi firmën robotike Kiva Systems, e cila më pas u ble për 775 milion dollarë nga gjiganti i shitjes me pakicë Amazon në 2012 dhe u riemërua.

Sot Amazon Robotics drejton mijëra robotë në depot e Amazon në të gjithë botën, duke ndihmuar në mbledhjen dhe renditjen e porosive dhe dërgesave.

“Teknologjia që ai zhvilloi për RoboCup, e robotëve që lëvizin dhe godasin topin, është pikërisht teknologjia që formoi shtysën për Amazon Robotics”, thotë Stone.

Për disa, robotët në botën e sportit tashmë kanë një ndikim të një lloji shumë të ndryshëm.

Në qershor, firma robotike amerikane OhmniLabs dhe prodhuesi i makinave Volksëagen zbuluan Champ, një robot me një ekran televiziv të dyanshëm dhe altoparlantë dhe mikrofon që mund të lidhet me dikë në një vend tjetër.

Champ është krijuar në mënyrë që fëmijët që janë shumë të sëmurë për të marrë pjesë në një lojë futbolli ose në ndonjë ngjarje tjetër, me anë të robotit mund të shkojnë atje, shohin se çfarë po ndodh, dhe gjithashtu të flasin me lojtarët përmes tij.

Champ bëri debutimin e tij në një lojë në Meksikë në korrik, duke i dhënë mundësinë tifozes së re, Luna Perrone, e cila ka një formë të rrallë të kancerit të kockave, të përjetojë të qenit atje personalisht.

Por a do të gëzojë Champ pasi robotët e tjerë të mundin ekipin më të mirë të futbollit në botë deri në vitin 2050? Sandra Wachter, një eksperte e AI dhe robotikës në Universitetin e Oksfordit, thotë se vështirësia është se futbolli kërkon aftësi fizike dhe mendore.

“Të zbulosh një hapësirë për një mundësi goli mund të lindë brenda disa sekondave, dhe kapja e atij momenti kërkon veprim shumë të shpejtë. Shumë shpesh kjo kërkon një intuitë, besim, komunikim jo verbal dhe verbal midis anëtarëve të ekipit, diçka që mund të mos jetë pika më e fortë e robotëve. Në një moment, robotika mund të tejkalojë kapacitetin njerëzor kur bëhet fjalë për të luajtur futboll, por është e vështirë të thuhet nëse dhe kur do të ndodhë kjo”, tha Wachter.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë