Art dhe Kulture

A do të bëhet qershori muaji i Kosovës në Berlin?

Një javë e mbushur me kulturë, muzikë dhe film nga Kosova ndriçoi Berlinin, duke përfunduar me një festival unik. A do të bëhet kjo një traditë e përvitshme?

Java e Kulturës së Kosovës në Berlin përfundoi të premten më 14 qershor me shfaqjen e filmave të Samir Karahodës "Pa Vend" dhe Dea Gjinovcit "Sans Kosovo". "Pa Vend" tregon historinë e klubit të pingpongut të Prizrenit pas luftës, duke ndjekur udhëtimin e dy lojtarëve të rinj që bartin tryezat e pingpongut nga një vend në tjetrin për të mbajtur gjallë sportin e tyre të dashur. "Sans Kosovo" kthehet edhe më larg në historinë e Kosovës dhe tregon historinë e një studenti fizike në Universitetin e Prishtinës i cili, pas përfshirjes në protestat studentore për autonominë e Kosovës në Jugosllavi, detyrohet të arratiset nga vendi. Filmi tregon ndikimin e mërgimit në jetën e tij dhe të vajzës së tij, e cila përpiqet të kuptojë këtë pjesë të identitetit të saj.

Në Kesselhaus në arealin kulturor Kulturbrauerei në Prenzlauer Berg, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, mbajti fjalën hyrëse më 12 qershor 2024. Ajeti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përkrahjen e Gjermanisë në rindërtimin e Kosovës. Ky event ishte në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin, organizuar për të shënuar 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Një natë e veçantë në Kesselhaus

Ngjarja kulmore e Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin ishte koncerti i Vjollca Robelli-Mripas, mbajtur pikërisht në ditën e çlirimit, më 12 qershor. Ambasadori Faruk Ajeti, në fjalën e tij, kujtoi se qindra mijëra shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre duke lënë pas një vend të shkatërruar: "Unë isha një prej tyre. Ashtu si shumë prej jush. Po të më kishte thënë dikush se pas 25 vjetësh do të flisja në Berlin në një koncert jazz-i nuk do ta kisha besuar. Por ia dolëm!", tha Ajeti. Ai falenderoi Gjermaninë për ndihmën që i jep vazhdimisht Kosovës: "Së bashku me miqtë tanë gjermanë arritëm jo vetëm të kthehemi, por edhe të rindërtojmë një vend tërësisht të shkatërruar që është bërë një shembull demokratik, i pavarur, sovran dhe multietnik jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën."

Më pas, personazhi kryesor i mbrëmjes, Vjollca Robelli-Mripa, e cila, si Ajeti, ka kaluar pjesën më të rëndësishme të fëmijërisë në atmosferën shtypëse të regjimit të Sllobodan Milosheviçit, do të këndonte një këngë për ato vite, nëntëdhjetat. "90s" ku flet ndër të tjera edhe për ngjarjen më traumatike në jetën e saj, vrasjen e shokut bashkëmoshatar 13-vjeçar: "Një djalë i traumatizuar, i frikësuar për jetën e tij/ Kur policia e qëlloi dhe ai vdiq."

Në Kesselhaus në arealin kulturor Kulturbrauerei në Prenzlauer Berg, DJ Galouchë, alias Mevlude Kosumi, performoi më 12 qershor 2024. DJ Galouchë, e njohur për miksazhin e saj të zhanreve të ndryshme, përfshirë tinguj eksperimentalë dhe tradicionalë nga Kosova, krijoi një atmosferë të veçantë dhe energjike. Ky event ishte në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin, organizuar për të shënuar 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

AJO dhe DJ Galouchë - dy gratë që i bënë të gjithë të kërcenin

Këngëtarja e njohur kosovare e ka shkruar enkas në anglisht, për të sensibilizuar për padrejtësitë që ndodhin në botë, çmimin më të lartë të të cilave e paguajnë fëmijët, siç i tha nëna e katër fëmijëve, DW. Në këngë, Vjollca Robelli-Mripa, e cila quhet me emrin artistik "AJO" sensibilizon: "Sot, diku ende rrjedh gjak, por ti je i verbër, nuk e shikon, je shurdh, nuk e dëgjon."

Repertori i koncertit përbëhej, veç këngëve të kompozuara prej saj, edhe nga këngë të gëzuara qytetare shqiptare, si "Oj Zogo" apo "Lule Lule". Këto dhe performanca e mëvonshme e DJ Galouchë, alias Mevlude Kosumi, e lindur në Rosenheim tëBavarisë, entuziazmuan publikun në sallë dhe i bënë të kërcenin së bashku, nga frekuentuesit e rregullt të jetës së natës së Berlinit e deri te deputetët e Bundestagut dhe diplomatët e huaj të akredituar në Berlin.

Java e Kulturës kishte filluar të hënën, më 10 qershor, me një ekspozitë fotografike të Arjan Mavriqit, në Ambasadën e Kosovës. Fotografi i njohur i jetës së egër prezantoi bukuritë natyrore dhe faunën e egër të Kosovës, duke ndarë me vizitorët sfidat dhe momentet e kapjes së këtyre imazheve të rralla. Kjo ishte Java e parë e Kulturës së Kosovës në Berlin, dhe ambasadori Faruk Ajeti ka vendosur ta bëjë këtë ngjarje të përvitshme.

Në Ambasadën e Kosovës në Berlin, fotografi i njohur Arjan Mavriqi shpjegon ekspozitën e tij të fotografive të jetës së egër para të ftuarve që e dëgjojnë me vëmendje më 10 qershor 2024. Mavriqi prezantoi bukuritë natyrore dhe faunën e egër të Kosovës, duke ndarë sfidat dhe përvojat e tij në kapjen e momenteve të rralla. Ky event ishte në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin.

Diaswhora Festival: Një aktivitet ndryshe

Aktivitetet e Berlinit që përkujtojnë çlirimin e Kosovës nuk përfunduan të premten. Të dielën, më 16 qershor 2024, një grup alternativ i Berlinit organizon në ambientet e kinemasë ACUD një festival pak më ndryshe. Diaswhora, një bashkim fjalësh mes "diaspora" dhe "gra", organizohet nga Jehona Jahaj, një aktiviste shqiptare dhe themeluese e "Marrja Zezë". E lindur në Kosovë dhe rritur në Berlin, Jahaj ka si vokacion atë që ajo e quan "shërimin ndërbreznor", prandaj edhe ka futur në program jo vetëm filma, . Në ekip janë edhe Enver Hadzijaj, drejtor arti, artist dhe mësues në AMD Academy of Fashion & Design në Berlin, si dhe Leart Rama, regjisor filmash dhe artist zëri nga Kosova (Katarzë Films dhe BLISS).

Motoja e Festivalit: How long are you staing? Edhe sa do të rrish?

Edhe ky festival dëshiron të jetë i pari dhe të jetë i përvitshëm. Nëse kjo ndodh, atëherë gjasat që qershori në vitet e ardhshme të bëhet muaji i Kosovës në Berlin nuk janë të pakta./DW


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë