Menaxhim

A do ta sakrifikojë BE-ja Ballkanin për tranzicionin e saj energjitik?

Nga Gazeta “SI” – Komisioni Europian kërkon zinxhirë të qëndrueshëm furnizimi për materialet që BE-së i duhen në rrugën e saj drejt burimeve të rinovueshme të energjisë dhe ekonomisë së gjelbërt. Nxjerrja e litiumit, bakrit dhe mineraleve të tjera po shkatërron natyrën dhe po kërcënon komunitetet lokale. Administrata në Bruksel është përkushtuar për të ulër ndikimin në mjedis, por Ballkani Perëndimor dhe vende të tjera të botës së tretë, mund të durojnë më tepër.

Bashkimi Europian ka ambicie të mëdha për dekarbonizimin e sektorit energjitik që të mund të neutralizojë ndikimin në klimë deri në vitin 2050. Tranzicioni në energjinë e erës dhe të diellit apo të tjera burime, kërkon një sasi masive të materialeve si bakër, litium dhe elementë të rrallë tokësorë.

Ato duhet të nxirren dhe procesohen në sasi të paimagjinueshme, por teknologjitë ekzistente janë shumë larg “të gjelbrës” kur diskutohet për ndikimin në komunitet dhe natyrë. Për më tepër, kompanitë e nxjerrjes po përdorin ende lëndë djegëse që mbeten të domosdoshme për prodhim dhe transport pajisjesh.

Plani i “REPowerEU” nga BE, po rrit presionet për të ulur mbrojtjen ndaj mjedisit në kontinent, për të eliminuar nevojën e lëndëve ruse. Në këtë plan, KE prioritizoi energjinë e rinovueshme si mënyrë e largimit nga importet e Rusisë.

Iniciativa kërkon uljen e standardeve mjedisore për nxjerrjen e mineraleve, në mënyrë që kapacitetet e energjisë së gjelbër të mund të instalohen së bashku me energjinë e ruajtur që është e nevojshme për të balancuar furnizimin me energji elektrike. Pra, fermat solare dhe eolike varen nga moti për produktivitetin e tyre dhe mund të ketë shumë ose pak elektricitet në rrjet nga minuti në minut.

Interkonjeksionet dhe kapacitetet e forta transmetuese janë po ashtu element të rëndësishëm.

BE-ja kërkon minerale nga vende të treta

Brukseli po mbështetet tek vendet që I duken të qëndrueshme për tu mbështetur gjatë tranzicionit energjitik. Rregullat e mbrojtjes mjedisore në BE janë shumë strikte, por jo në Ballkanin Perëndimor.

Komisioneri Europian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton tha se BE-ja duhet të devijojë shfrytëzimet minerale, procesimin, rafinimin dhe riciklimin. “Ne preferojmë të importojmë nga vendet e treta dhe të mbyllim një sy në ndikimin mjedisor dhe social atje, të mos përmendim sasinë e karbonit gjatë importit. Por shfrytëzimi mineral në Europë nuk ka pse të jetë një biznes i pisët”, -tha ai.

KE po përgatit një legjislacion për materialet bruto që të rrisë produktivitetin, por me më pak mbrojtje mjedisore dhe aprovim më të shpejtë. Kjo ngushton dhe hapësirën për të kundërshtuar investimet që nuk respektojnë rregullat.

8 nga 20 projektet europiane për litiumin janë në Serbi

Harta e S&P Global për minierat në Europë, tregon një grumbull të përqendruar në pjesët qendrore të gadishullit ballkanik. Ato shtrihen në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe në perëndim të Bullgarisë.

Radusa, Valjevo, Kosjeris, Rekovac, Vranje-Jug, Badanja dhe Bela Crkva janë në fazat e para të zhvillimit dhe ajo në Jadar është në fazën e fizibilitetit.

Në Shqipëri ka tre miniera nikeli, aq sa edhe në Turqi dhe nga një një Kosovë, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Greqi.

A do të sakrifikojë BE-ja Ballkanin për tranzicionin e saj energjitik?

Nxjerrja dhe procesimi i litiumit, bakrit dhe nikelit mund të jetë shkatërrues për shëndetin e njerëzve, agrikulturën, burimet ujore dhe biodiversitetin. Ndërtimi i objekteve të tilla nënkupton zhvendosje masive, ndërkohë që ka një ndikim të rëndë edhe në zonat përreth.

Organizata Ambjentaliste e Serbisë, një lëvizje kundër projektit të litiumit në Jadar dënuan ministrinë e Minierave dhe Energjisë atje.

“A ka ndonjë vend më të përshtatshëm për të rrëmbyer burimet e tij për pak para dhe për të shfrytëzuar fuqinë punëtore të lirë sesa Serbia, e cila nuk ka ndonjë plan dhe strategji për zhvillimin dhe mbrojtjen e pasurisë së saj natyrore e interesave dhe shëndetit të qytetarëve të saj?”- pyet Organizata.

Aktivistja Bojana Novaković tha se media nuk duhet të justifikojë asgjësimin e tokave pjellore në emër të tranzicionit të gjelbër.

“Pyetini se pse nuk sakrifikojnë plastikën. Pse nuk sakrifikojnë pasurinë. Pse nuk sakrifikojnë kompleksin industrial ushtarak. Pyetini ata pse nuk po sakrifikojnë të gjitha mineralet dhe burimet që shkojnë në këto makineri mbeturinash fitimprurëse që dëmtojnë ujin, ajrin, ushqimin, tokën e pastër”.

Zyrtarët e lartë të qeverisë kanë rifilluar fushatën për nxjerrjen dhe përpunimin e mineralit të litiumit në Serbi, veçanërisht në favor të projektit Jadar. “Është fakt që rritja e kërkesës globale për litium tregon se ky produkt mineral përfaqëson bazën për një rritje të gjelbër dhe të qëndrueshme dhe se pa litium nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka agjendë të gjelbër, nuk ka teknologji të reja, nuk ka sistem të qëndrueshëm dhe të sigurt energjetik. “, -tha Ministria e Minierave dhe Energjetikës në Serbi./BalkanEnergyNews


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë