Treg

A do mundet të dalë turizmi shqiptar nga intubimi?

Sabina Veizaj – Tek shumë syresh ekziston një ndjesi sikur të gjithë po sakrifikojnë në izolim duke paguar një faturë kaq të shtrenjtë lirie për të marrë një subvecionim po aq të shtrenjtë, sa ç’është ai i takimit të pamatë me detin.

Të gjithë po e ëndërrojnë çeljen e mundshme të sezonit turistik.

Një mikesha ime që operon në fushën e turizmit, edhe pse konfuze në idetë e saj në lidhje me mbarëvajtjen e biznesit dhe sektorit në tërësi, po më thoshte se është në mezipritje për të shkuar në plazh sëbashku me të bijën.

Kam vërejtur edhe që pyetjet e shumta të publikut italian në emisione të ndryshme ku janë të ftuar virologë, epidemiologë, infeksionistë kanë të gjitha një emërues të përbashkët “a do të mundemi të shkojmë këtë verë në plazh?”, pavarësisht se Italia ka përjetuar një dramë aq të madhe duke numëruar gati çdo ditë deri në 1 mijë viktima.

Të gjithë e dimë se asgjë nuk është më si më parë, që kur na janë bërë ves dy aksesorët e domosdoshëm maska dhe dorashkat sapo hedhim këmbën jashtë derës, por pak det e duam gjithsesi.

“Unë e di që do të shkojmë këtë vit në plazh dhe do të harrojmë gjithçka ka ndodhur”- më thoshte sot mikesha ime “por stresi për vijimësinë e ekonomisë do të na ndjekë gjatë”.

Kryeministri Edi Rama një mbrëmje më parë deklaroi në emisionin Opinion se ka kërkesa nga agjenci të mëdha nga Europa Lindore për pushime në Shqipëri sepse “e shohin vendin tonë si më të sigurt për të pushuar. Por kjo do të varet nga  situata dhe se si do të veprojnë edhe vendet e tjera”.

Por në fakt vendet e Bashkimit Europian kanë deklaruar se kufijtë nuk çelen deri në shtator dhe aktorët e sektorit e dinë mirë se çfarë do të thotë kjo për turizmin shqiptar.

Ata që operojnë në fushën e turizmit në vend e shohin me pesimizëm të ardhmen e afërt dhe afatmesme të sektorit.

“Nuk di kush është akoma nën efektin e alkhoolit të “sukseseve” të turizmit dhe vete e keqinformon edhe kryeministrin”, shprehet Kliton Gërxhani nga Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike.

Ai e vlerëson situatën aktuale për sektorin e turizmit si shumë të keqe dhe të rënduar. Gërxhani thotë se aktiviteti është zero “pasi nuk ka asnjë turist të brendshëm e jo të jashtëm jo e jo në kushtet kur lëvizshmëria është bllokuar.”

Ajo që Gërxhani shikon me rëndësi, janë  masat e rimëkëmbjes edhe pse parashikimet për sezonin që është në prag, edhe në skenarin më optimist nuk janë fort të kënaqshme.

Kliton Gërxhani, ATOA

“Skenari më optimist është që në fund të majit të lirohet lëvizja dhe të kemi qarkullim brenda vendit dhe në rajonin shqipfolës. Tregu i huaj po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në turizmin shqiptar, por mesa duket këtë vit për shkak të vendimeve të luftës anti Covid-19, do të jemi privuar nga ky treg. Por edhe sikur kufijtë të hapeshin, bota po lundron në të njëjtën varkë; frikë, papunësi, pushime të ezauruara”, shpjegon Gërxhani nga ATOA.

Kurse skenari më i keq për të është që 2020-ta të digjet, turizmi do të jetë i papërfillshëm,  me pak lëvizje në vjeshtë dhe më shumë se 50 % e bizneseve në sektor do të falimentojnë.

“Nëse  nuk do të kemi aktivitet në verë, gjysma e bizneseve do të falimentojnë, por edhe  sikur ti lënë pezull aktivitete konform ligjit dhe ti riaktivizojnë në mars të 2021, pas një viti kush do ti kërkojë teksa kanë qenë mbyllur?”- pyet Gërxhani.

Ai sugjeron se sektori dhe qeveria duhet të gjejnë sëbashku zgjidhjet për çlirimin e sektorit që është më i godituri nga situata e krijuar. Prandaj thotë Gërxhani duhet të lirohet ngadalë ky shtetrrethim duke nxitur turizmin e brendshëm, pastaj atë shqipfolës e mandej me vendet që do të happen të parët.

“Asgjë nuk është si më parë. Nuk mund të hysh 50 vetë në autobus, nuk mund të ulesh më 4 vetë në tavolinë, nuk mund të qëndrosh më me çadra afër me të tjerët. Kështu që në varësi të këtyre kushteve, edhe turizmi do të përshtatet, që do të thotë përgjysmim i të ardhurave, gjithmonë nëse ndodh që të kemi turizëm”, thotë ai.

Sipas tij më në fund do t’i kthehemi turizmit shqipfolës “që e kemi përbuzur përherë, por që zë pjesën më të madhe të tregut të sektorit në vend”.

Gërxhani, ashtu si Zak Topuzi parashikon që këtë verë 2020, turizmi do të jetë ai i fundjavave.

Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit

Zak Topuzi nga  Shoqata Shqiptare e Turizmit thotë për gazetën “Si” se janë anulluar 100% të gjitha rezervimet deri në fund të qershorit, kurse ato të korrikut dhe gushtit janë pezull, “por që  me siguri do të anulohen përderisa njerëzit nuk mund  të lëvizin për shkak të mbylljes së kufijve”

“BE ka vendosur kusht që kufijtë do të qëndrojnë të mbyllur deri në shtator. Skenari italian është ai që edhe pasi të jetë liruar lëvizja baret dhe restorantet do të lejohen dy muaj më pas. Pra turizëm nga tregu europian nuk presim këtë vit. Kurse pjesa  tjetër do të varet nga raportet tona me rajonin. 80 % e turistëve që vijnë në Shqipëri lëvizin me automjete. 60 % e tyre janë  nga rajoni. Këto statistika të Organizatës Botërore të Turizmit dhe shoqatave të ndryshme të fushës në rajon e gjetkë na bëjnë disi optimistë në këtë situatë të errët. Megjithëse Organizata Botërore e Turizmit përmes ëorkshopeve on line dhe leksioneve u sugjeron bizneseve të jenë të kujdesshëm këtë vit në investime dhe  gjithçka për shkak të situatës”, shpjegon Topuzi.

Ai thotë se në rastin që do të kemi turizëm këtë vit, hotelet janë të gatshëm, “po nuk është e lehtë sepse të gjithë janë të trembur. Të ardhurat kanë rënë, janë humbur shumë vende pune dhe shumë syresh kanë mbaruar edhe pushimet si pasojë e emergjencës. Situata është kritike kudo. Prandaj unë besoj dhe parashikoj që këtë verë do të ketë vetëm turizëm fundjave”

Kurse Kliton Gërxhani në këtë situatë sugjeron që të shihen tregje të tjera, që do të sjellin turizmin cilësor.

“Nuk do të ketë më target qesharak 10 mijë turistë. Por që të marrësh turistin cilësor, do të duhet të vendosim standartet. Turistët e huaj pas kësaj do të duan të vijnë në Shqipëri, jo sepse është lirë, por sepse ka standarte dhe janë vërtet shumë të kënaqur. Edhe sikur të duam, nuk do jetë më kështu siç ka qenë”, thotë Gërxhani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë