Sport

A do jetë derbi i kryeqytetit, dueli për titullin kampion?

Njëra e rikthyer nga “purgatori”, ndërsa tjetra duke filluar një revolucion. Partizani dhe Tirana, dy skuadrat më të mëdha të Shqipërisë, janë në prag të një sezoni që  premton të jetë shumë ndryshe nga herët e tjera. Janë dy skuadrat me më shumë trofe në futbollin shqiptar, por hera e fundit që njëra prej tyre ka ngritur lart një trofe kampionati është viti 2009, kur e fitoi Tirana. Për Partizanin, tashmë po bëhen më shumë se 25 vite që nuk e ka fituar Superligën.

Tirana e ringritur është gati

Skuadra e Tiranës para fillimit të ndeshjes miqësore me Apoloninë

Klubi bardhë e blu e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme periudhën e rënies për herë të parë në kategorinë e parë. Por ai vit në purgator kaloi shpejt dhe tashmë mund të quhet një ëndërr e keqe për të gjithë tifozët e Tiranës tashmë mund të jenë më të qetë, pasi skuadrën e tyre të zemrës do e shikojnë aty ku ishin mësuar gjithmonë ta shikonin, në elitë. Përgatitjet për sezonin në superligë nuk nisën me vrull dhe të nxituara, por e gjithë struktura e klubit kryeqytetas filloi të lëvizte dalë-ngadalë. Çdo gjë filloi nga konfirmimi i trajnerit, Ze Maria. Strategu brazilian bëri një sezon shumë të mirë në kategorinë e parë duke mos hasur vështirësi në ngjitjen në Superiore dhe e meritoi që të ishte në stolin e Tiranës edhe për këtë vit. Pas Ze Maria-s filluan blerjet e njëpasnjëshme.

https://www.facebook.com/kftirana.al/videos/2087980421458069/
Video prezantimi i një prej futbollistëve të blerë nga Tirana këtë verë, Edon Hasani.

Tirana ka ndërhyrë në të gjitha repartet gjatë kësaj vere, duke sjellë lojtarë të spikatur të kampionatit vendas, por edhe element cilësorë nga jashtë vendit, kryesisht afrikan. Me të gjitha lëvizjet në merkato, si nga fjalët e trajnerit Ze Maria, por edhe ajo që skuadra ka treguar në ndeshjet që janë zhvilluar, Tirana ka nevojë për një sulmues të konfirmuar, pasi Ngo nuk ofron garancinë e dëshiruar. Me plotësimin edhe të majës së sulmit besohet se “bardhë e blutë” do të jenë gati për një rikthim dinjitoz në Superligë. Tek Tirana ka pasur edhe një ndryshim në administratën e klubit, teksa roli i drejtorit teknik iu besua Arbi Laçit, i cili ishte dhe njeriu përgjegjës për merkaton e bardhë e bluve. Deri më tani nga emrat që janë afruar, por edhe atmosfera brenda grupit duelet sikur Tirana është në rrugën e mbarë, pavarësisht se do të jetë shumë e vështirë që të rivalizohet që në fillim për titullin. Por nuk duhet mohuar që për tifozët ultras të Tiranës nuk mund të flitet për gjë tjetër veçse lufta për titullin, fundja dhe vetë filozofia e atij klubi dhe asaj fanelle ta imponon një gjë të tillë. Me një kampionat që në fillim të tij po duket më i hapur se kurrë, Tirana do të kërkojë që të bëjë sa më mirë dhe të jetë gjithmonë në zonën e sipërme, por pse jo për ta tentuar edhe surprizën.

Partizani kërkon titullin me stil ndryshe

Skuadra e Partizanit para fillimit të ndeshjes me Maribor për Europa League

Në këto 5 vite të drejtimit të Partizanit nga presidenti Gazmend Demi kemi pasur disa ndryshime dhe revolucione në ekip. Më i fundit ka ndodhur këtë verë. Me largimin e kupolës drejtuese italiane, frenat e “demave” tashmë janë në duart e një njeriu të vetëm, Olsi Rama. Vëllai i kryeministrit të vendit, është emëruar drejtor i përgjithshëm i Partizanit dhe është njeriu i gjithë-pushtetshëm që vendos gati për çdo gjë në funksionimin e “klubit të kuq”.

Rama e filloi punën e tij në krye të Partizanit këtë verë duke vendosur në krye të bankinës një trajner që vinte jashtë tregut të trajningut vendas, por që ishte shqiptar, si Skënder Gega. Tekniku tropojan përmbushte shumë aspekte që e bënin të pëlqyeshëm në sytë e Ramës, por mbi të gjitha karakteri i tij shumë i  ashpër, që do ndihmonte në krijim e një disipline dhe rregulli që duket sikur mungoi në vitin e fundit te “klubi i kuq”. Pas uljes së Gegës në stol erdhi ajo performancë në Kupat e Europës, ku nuk munguan sinjalet pozitive. Partizani ka bërë largime të rëndësishme gjatë kësaj merkatoje, si ish-kapiteni Idriz Batha, Kotobelli e shumë të tjerë, por edhe afrimet në plan të parë duken cilësore. Ndryshe nga dy vitet e fundit te Partizani nuk ka pasur një bum të madh blerjesh dhe afrimesh me kontrata të majme, por është zgjedhur që të ndiqet një linjë e profilit të ulët me lojtarë të rinj dhe me prespektivë nga vendi, por edhe element premtues nga jashtë. Një pjesë e mirë e skuadrës së sezonit të shkuar është ruajtur, ose më saktë është ruajtur ajo pjesë e skuadrës dhe ata lojtarë që kryesisht erdhën në janar te Partizani, kohë kur klubin në dorë e mori Olsi Rama.

https://www.facebook.com/partizaniclub/videos/880144428846621/
Rubin Hebaj gjatë prezantimit me Partizanin

Një nga repartet, ku Partizani ka ngulmuar më shumë për të marrë futbollistë ka qenë sulmi. Në këtë repart, “të kuqtë” së fundmi kanë afruar talentin e kombëtares kuq e zi, Rubin Hebaj. Por edhe Soue apo Ekuban që po përfliten kohët e fundit do të ishin emra me shumë peshë për kampionatit tonë. Me këto emra të afruar dhe ata që po përfliten dhe me Skënder Gegën në stol, Partizani premton që të bëjë një sezon shumë ndryshe nga vitet e fundit.

Rivale për titullin?

Të dyja skuadrat kryeqytetase duket se janë gati që të sjellin në Tiranë titullin kampion pas më shumë se 9 viteve mungesë. Sërish duhet parë me dyshim kjo rritje e Tiranës dhe Partizanit, pasi edhe skuadrat e tjera nuk ka qëndruar në vend, duke përmendur këtu Skënderbeu, Kukësin, Flamurtarin apo edhe Teutën.

Është  e vërtetë që nuk është Skënderbeu i 8 viteve të fundit që ngjallte panik, por sërish korçarët e ka krijuar eksperiencën e nevojshme për t’ia dalë mbanë edhe në këtë lloj situate. Tek Skënderbeu ka shumë lojtarë të rinj të afruar në këto ditë, por ka edhe shumë të tjerë me eksperiencë që i garantojnë stabilitet skuadrës së Orges Shehit. Por edhe Kukësi që në dukje vijon të mbetet problematik  do të kërkojë ta fitojë këtë kampionat, qoftë edhe për hir të investimit të presidentit Safet Gjici. Me një teknik specialist në stol, si Armando Cungu, verilindorët janë sërish aty dhe do të duelojë për vendet e larta të tabelës. Ndërkohë edhe Flamurtari nuk duhet nënvlerësuar, pasi me një ekspert si Daja në stol mund të bëhet vërtet i frikshëm. Vlonjatët kanë bërë edhe disa goditje shumë të mira në merkato, duke afruar lojtarë shumë të mirë.

Me Dinamon e rënë, Tirana dhe Partizani janë ato që do të kërkojnë t’i rikthejnë nderin futbollit kryeqytetas, që duket sikur është shuar në këto vitet e fundit. Do ishte një kampionat shumë i bukur, nëse pas kaq shumë vitesh do të duelonin për të fituar titullin kampion, Tirana me Partizanin. Por edhe pse janë krijuar pritshmëri pozitive, dy kryeqytetaset duhet të kenë kujdes, pasi edhe rivalet janë aty sërish.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë