Dosje

Dosja e plotë/ CEZ-DIA, ‘gjylja’ që fundosi Ilir Metën pas 34 vitesh në politikë dhe pushtet

Nga Gazeta Si - Korrupsioni dhe abuzimet në sektorin energjitik në 3 dekadat e fundit mbetet ende problem evident edhe pse për të është folur shumë. Historia me të fillon me emra të akuzuarish deri në nivel kryeministri.   

Pasoja; Deri në vitin 2007 Shqipëria renditej në vendin e dytë në Evropë pas Norvegjisë për burime ujore, por vuante rregullisht nga ndërprerjet e energjisë elektrike

As reforma e thellë që ndërmori qeveria e Sali Berishës pas ardhjes në pushtet në vitin 2005, nuk e zgjidhi krizën. Përkundrazi, formalisht tregu u liberalizua dhe në të hynë shumë operatorë të vegjël privatë, por në shumë raste kontratat dhe licencat  ishin nepotike, preferenciale, korruptive duke e gërryer më tej këtë sektor.

Rasti më i bujshëm është padyshim ai i shitjes në vitin 2009 të shumicës së aksioneve (76 për qind) të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) tek kompania e njohur çeke CEZ, e njohur për aktivitetin e saj në Evropën Qëndrore dhe Perëndimore.

Jo rastësisht, pakti u shoqërua në mënyrë simbolike edhe me aplikimin zyrtar të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE pas përmbushjes së pikave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, pikërisht gjatë presidencës çeke të unionit.

Por pas nevojës për të pasur mbështetjen dhe lobimin e Pragës në Bruksel, koha tregoi se prapa asaj marrëveshjeje fshiheshin interesa të tjera, të kultivuara nga njerëz shumë pranë politikanëve kryesorë të vendit tonë. Menaxhimi i OSHEE nga çekët rezultoi të ishte shumë i kushtueshëm dhe aspak efiçent.

Ndonëse ishte de fakto në prag falimenti, CEZ e shmangu këtë hap duke tentuar të rishesë aksionet e saj tek kompani të tjera të njohura në nivel ndërkombëtar. Në këto kushte, në fundin e vitit 2012 qeveria Berisha njoftoi zyrtarisht prishjen e njëanshme të marrëveshjes dhe ri-shtetëzimin e OSHEE.

Përmes një deklarate të dhjetorit të atij viti (2012), Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës tha se dëmet e shkaktuara Shqipërisë nga ana e “CEZ a.s.” janë mbi 1 miliardë dollarë. Po ashtu, METE akuzoi çekët se nuk ishin të përkushtuar për të zgjidhur problematikën e krijuar si pasojë e mospërmbushjes se detyrimeve kontraktuale.

Madje ministria pretendoi atekohe se kishte mësuar vetëm përmes medias njoftimin për nxjerrjen në shitje të aksioneve, dhe se as në mbledhjen e fundit të aksionarëve të “CEZ Shperndarje” në Pragë, përfaqësuesit të METE nuk i ishte komunikuar një qëndrim i tillë.

Qeveria 'Berisha' akuzoi CEZ se humbjet në vitin 2012 kishin arritur në 50 për qind, në një kohë që sipas kontratës duhej të ishin vetëm 24 për qind. Shifra totale e dëmit vetëm nga mosrealizimi i këtij objektivi ishte 160 milionë euro, shifër që përputhej me humbjet që deklaronte zyrtarisht kompania.

Po ashtu, niveli i investimeve në rrjet për vitin 2012 ishte vetëm 7 për qind. METE e akuzonte CEZ se e la OSHEE pa fonde financiare, pa pajisje dhe në një borxh të madh me kompanitë shtetërore shqiptare, në nivelin 300 milionë euro.

Përplasja e fortë përfundoi në dyert e arbitrazhit ndërkombëtar. Çështja mbeti pezull për shkak të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, që sollën edhe një rotacion të pjesshëm politik, për shkak se LSI e Ilir Metës doli nga qeveria Berisha vetëm 2 muajt e fushatës, për t'u bërë në shtator pjesë e qeverisë “Rama 1”.

Në qershor 2014, 3 ministra, ai i Energjetikës Damian Gjiknuri, i Financave Shkëlqim Cani dhe i Ekonomisë Arben Ahmetaj, njoftuan arritjen e një marrëveshjeje kompromisi me 3 pika me kompaninë CEZ. Përveç transferimit të menjëhershëm të 76 për qind të aksioneve shtetit shqiptar, pala çeke hiqte dorë nga kërkimi i shumës 103 milionë euro të paguar për blerjen e aksioneve në vitin 2009, si dhe nga çdo pretendim tjetër financiar që lidhej me vlerën e blerjes dhe investimeve fillestare.

Ndërkohë në vitin 2018, OSHEE, tashmë sërish 100 për qind shtetërore, merrte përsipër t’i paguante palës çeke një kompensim në vlerën 87.1 milionë euro me këste. Pakti solli reagimin e ashpër të Partisë Demokratike, që akuzoi Edi Ramën se i kishte falur qindra miliona euro një kompanie me reputacion ndërkombëtare dhe me asete miliarda euro.

Kryeministri u kundërpërgjigj me rezultatet pjesërisht të suksesshme të një fushate më shumë se 1-vjeçare për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura ndër vite nga individët dhe bizneset dhe shkëputjen e lidhjeve të paligjshme. Deri në atë moment u duk sikur debati do të fashitej në tollovinë e zakonshme të akuzave dhe kundër-akuzave që shoqërojnë politikën shqiptare.

Situata ndryshoi në fillim të vitit 2015. Në shënjestër u vendos Ilir Meta, protagonist i video-përgjimit me ish-ministrin e partisë së tij Dritan Priftin, që nxiti dorëheqjen e të parit dhe më pas 21 Janarin 2011 para godinës së Kryeministrisë.

Në fillim të marsit 2015, deputeti socialist Tom Doshi bëri bujë me deklaratën e tij se Meta kishte paguar njerëz për ta vrarë. PD tashmë në opozitë shfrytëzoi rastin dhe sulmoi ashpër ish-aleatin, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme si Kryetar i Kuvendit dhe ndjekje penale

Atëkohë, Rama ndëshkoi Doshin me përjashtimin nga grupi parlamentar i PS. Prokuroria nisi një hetim mbi ato pretendime, por vetë Doshi akuzoi kryeprokurorin Adriatik Lalla se si mik i Metës, nuk kishte kurrfarë vullneti për ta zbardhur atë ngjarje.  

Më 12 maj 2015, policia arrestoi biznesmenin Kastriot Ismailiaj, ish-administrator i mbledhjes së borxheve të kompanisë CEZ. Sipas prokurorisë, Ismailaj krijoi 6 kompani fiktive, mes të cilave “Adriatic Development Corporation Ltd”; “AIC” shpk.; (Albania Investment Corporation); “Asset shok”; “Dept International Advisory” dhe “VL Marketing Distribution”, nëpërmjet të cilave kishte krijuar një skemë mashtrimi për përfitime monetare në vlera të mëdha parash.

Në dosje thuhej se më datë 01.09.2010, kompania e tij “Debt International Advisory” Ltd dhe “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” Sh.A., kishin lidhur një marrëveshje për shërbimin e mbledhjes së të gjitha borxheve dhe kamatat që e kishin kaluar afatin prej 90 ditësh. Marrëveshja e parë nuk u miratua nga bordi drejtues i shoqërisë “CEZ Shpërndarje”, dhe midis këtyre palëve u nënshkrua një marrëveshje e dytë me të njëjtin objekt me një afat 2- vjeçar. Dhe në fakt marrëveshja në fjalë përfundoi në muajin tetor 2011. Por nga tërësia e të dhënave të administruara gjatë hetimit, prokuroria theksoi se qëllimi i vetëm i Kastriot Ismailajt, nuk ishte mbledhja e borxhit të shoqërisë dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave të shoqërisë “CEZ Shpërndarje”.

Përmes përdorimit të të dhënave të rreme dhe dokumenteve fiktive, ai akuzohej se kishte përfituar mbi 5 milionë euro. Një muaj më vonë, rrjeti i gazetarëve investigativë BIRN, botoi një artikull të gjatë, ku zbërthente pikat kryesore të dosjes Ismailaj, dhe hidhte dritë jo vetëm mbi abuzimet e mëdha të kompanisë çeke dhe Ismailajt, por implikonte edhe kryeparlamentarin e kohës Ilir Meta si përfitues direkt i parave që vinin nga këto abuzime.

Dokumentet e siguruara nga BIRN, tregonin se ish-kreu i bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hejsek dhe biznesmeni shqiptar Kastriot Ismailaj, ishin në qendër të një skeme mashtruese të mbledhjes së borxheve që i kushtoi kompanisë miliona euro. Portali citonte dëshminë e një ish-punonjësi të DIA-s, që në kushte anonimiteti e cilësoi skandalin si vjedhjen më të madhe të kryer ndonjëherë në Shqipëri.

Vetë Hejsek në dëshminë e tij dhënë autoriteteve shqiptare, pati deklaruar se kompania kishte kontaktuar ish-ambasadorin shqiptar në Pragë, Qazim Tepshi dhe nëpërmjet tij kishte vendosur kontakte me ish-Ministrin e Jashtëm dhe kryetarin e Kuvendit të asaj kohe, Ilir Meta. Hejsek e pranoi se Meta duke iu referuar Ismailajt, e konsideronte atë si dikë që gëzonte mbështetjen e qeverisë shqiptare

Në vitin 2010 ai u propozua pikërisht nga LSI si anëtar i Entit Rregullator te Energjisë, ndërsa ishte mik me Peter Roma, ish drejtues i CEZ në Çeki. Një akuzë e ngjashme për ndikim të padrejtë ndaj Metës kishte bërë në vitin 2011 edhe ish-Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Prifti deklaroi në një intervistë për Top Channel TV se Meta shkoi personalisht në Republikën Çeke për të negociuar kontratën për Ismailajn, një person që sipas tij ishte me precedentë penalë.

Në reagimin për mediat, Meta e pranoi njohjen dhe miqësinë me Ismailajn por mohoi të kishte ndërhyrë në çështjet e biznesit të këtij të fundit. Megjithatë në dosjen hetimore mbi Ismailajn, janë siguruar edhe shumë përgjime të komunikimeve të biznesmenit. Në media është zbardhur edhe një mesazh telefonik nga një numër telefoni që pretendohej se i përket Metës, dhe ku akuzohej se ai i kërkonte 200 mijë euro financime për fushatën zgjedhore të vitit 2009.         

Investigimi zbuloi se nëpërmjet zyrës së avokatit në Tiranë, “Haxhiaj & Hajdari”, Ismailaj regjistroi më 7 korrik 2010 kompaninë “Debt International Advisory”, DIA, në Ishujt e Virgjër Britanikë, BVI. Më 4 gusht të po atij viti kompania regjistroi një filial në Tiranë, ndërsa më 1 shtator 2010, DIA nënshkroi një kontratë me OSSH-në për mbledhjen e borxheve.

Më 25 nëntor 2010, bordi mbikëqyrës i shoqërisë, zhvilloi një mbledhje, ku neni i parë i rendit të ditës ishte kontrata e arkëtimit të borxhit me DIA. Por për shkak se kontrata e paraqitur në bordin e drejtorëve në mbledhje nuk kishte anekset e saj të bashkëngjitura, këshilli mbikëqyrës refuzoi ta votonte.

Edhe pse kontrata nuk ishte miratuar nga bordi, në të njëjtën ditë DIA faturoi CEZ Shpërndarje për 1 milionë euro dhe më pas për 500.000 euro. Hetimet rezultuan se i ashtuquajturi "Raport Identifikimi i Borxhit" i dërguar nga DIA në CEZ ishte një dokument fals.

Imeilet mes Hejsek-it dhe Ismailajt të siguruara nga prokurorët tregojnë se ai i ka kërkuar DIA-s të kryejë disa herë procesin e identifikimit të borxhit, “për të justifikuar faturat e lëshuara”. Në dokumentet e prodhuara si “Raporti i Identifikimit të Borxhit”, DIR, DIA pretendon se ka nisur procesin më 1 shtator 2010 duke angazhuar 360 persona në 40 zyra për të identifikuar debitorët derë më derë.

Megjithatë, të dhënat e marra nga prokurorët nga zyra e taksave tregojnë se DIA kishte maksimumi 122 punonjës. Një ish-punonjësi i DIA-s, që foli për BIRN, tha se CEZ nuk kishte nevojë për procesin e identifikimit të borxhit të DIA-s. “Paratë që iu paguan Ismailajt kishin për qëllim korruptimin e zyrtarëve shqiptarë në emër të CEZ”,- tha ish-punonjësi. Prokurorët shqiptarë zbuluan se aktiviteti i pastrimit të parave nga Ismailaj shtrihej nga Ballkani në Britani, Francë, Gjermani, Zvicër dhe Gjibraltar në Republikën Demokratike të Kongos, Pakistan, SHBA etj.

Ai bashkëpunoi për këtë me një bankiere amerikane që jetonte në Afrikë, Rebecca Gaskin Gain. Një artikull i botuar në vitin 2009 në gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, pretendonte se Ismailaj dhe Gaskin ishin të përfshirë në marrëveshjen e fshehtë të privatizimit të minierës Kipushi në Kongo nëpërmjet një kompanie zvicerane guaskë, “United Resources AG”. Ndërkohë si për ironi, në vitin 2015 Gaskin po bashkëpunonte me autoritetet shqiptare, duke i ndihmuar ata në çështjen e arbitrazhit ku Ismailaj kërkonte 130 milionë euro dëmshpërblim nga CEZ Shpërndarje.  

Në fakt DIA e Ismailajt nuk ishte e vetmja kompani që u angazhua në skemën e arkëtimit të borxhit të CEZ në Shqipëri. Një raport konfidencial i përgatitur nga firma e kontabilitetit BDO, thotë se CEZ Shpërndarje lidhi marrëveshje për mbledhjen e borxhit në vitin 2012 me të paktën 4 kompani të tjera, duke përfshirë “Mercl Consulting Sh.pk”, “CE2 Services Sh.pk”, “CE2 Debt Management Sh.pk” dhe “CE2 Debt Management Sh.pk”.

Nga fillimi i vitit deri në shtator 2012, këtyre kompanive iu paguan gjithsej 3 milionë euro, dhe totali për vitin 2012 pritej të ishte 4.4 milionë euro. Përqindja e fitimit për sasinë e borxhit të mbledhur ishte shumë e lartë, midis 28-50 për qind. Kjo çështje ishte prioritet për SHBA-në. Megjithatë Edi Rama e mbrojti edhe për një farë kohe aleatin e tij në koalicion, si në rastin e kësaj interviste të vitit 2015 për Zërin e Amerikës.

  

Opozita përfitoi sërish nga rasti për të sulmuar Metën. Ish-kreu i Financave Ridvan Bode, kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje.  

Në këtë skandal ka akuzë se është i përfshirë edhe djali ish kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Në një e-mail, ish drejtori i CEZ në Shqipëri, Hasek, lajmëron eprorët e tij në Pragë se do të takohen në Tiranë me kryeministrin Berisha dhe më pas edhe me djalin e ti. Në këtë rast pretendohet se ndërmjetës midis Hejsek dhe Shkëlzen Berishës ka qenë biznesmeni nga Kosova Nuel Kalaj.

E-maili i plotë i Josef Hejsek drejtuar Tomas Pelskac

Dërguar: E enjte, 28 Janar 2010, 22-40 PM

Nga: Josef Hejsek

Tek:Tomas Pelskac

Subjekti: Shqipëri-Përgatitja e takimit me kryeministrin

Rëndësia: E lartë

Mirdita Tomas,

Në anekse janë përgatitur dokumentet. Ne do të përmendim gjithashtu kërkesat tona ndaj qeverisë, sa është debia që duhet paguar tani, rregullimin e çmimit etj. Do të të pres ty me Nuelin në aeroport, në sallonin VIP. Me Nuelin sapo mbarova negociatat e tjera. I shpjegova në detaje se çfarë kërkojmë. Takimi me të birin, sipas Nuelit, është shtyrë për nesër pas ardhjes së PM (Kryeministrit). Çfarë duhet të presim nga kryeministri? Sipas Nuelit rezultatet në mënyrë të sigurt do të jenë pozitive dhe 90 % konkrete.

Ai më siguroi se për kryeministrin po punon një komision ndërministror i cili në mënyrë të specializuar po trajton problematikën tonë. (Mund t’ju konfirmoj që kam folur me disa anëtarë të komisionit që po merren me këtë marrëveshje). Rezultatet e tyre nuk janë akoma të mbaruara apo përfundimtare. Ai më siguroi se përfundojnë shpejt dhe pas kësaj do ulemi sërish. Si përfundim, sapo detajet e negociatave të jenë gati, do të fitojmë MR në Tiranë (Martin Roman). Gjithë të mirat.

Juristi i OSHEE në çështjet e arbitrazhit, Romeo Karaj, ka deklaruar se Nuel Kalaj dhe Kastriot Ismailaj kanë qenë sekserë në marrëdhëniet mes ERE dhe CEZ, pasi ka pasur luhatje të çmimit të energjisë. Kjo ka gjeneruar për ta fitime në dhjetëra miliona euro.

I vetmi që u dënua në gjithë këtë proces akuzash me 11 vite burg në vitin 2017 ishte Kastriot Ismailaj. 

Ai është liruar vetëm ditët e fundit pasi vuajti dënimin 8 viteve e gjysmë në qeli.

Mësohet se ai i është bashkuar bashkëshortes dhe fëmijëve të tij në Austri, që kërkuan dhe fituan të drejtën e azilit me pretendimin se kishin marrë kërcënime me vdekje në Shqipëri.

Në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetarin Flamur Vezaj nga Vjena në shkurt 2016, Vojsava Ismailaj flet për këto kërcënime

Madje ajo flet edhe për një takim të bashkëpronares së DIA-së Rebeka Gaskin me Ilir Metën dhe Kryeprokurorin Llalla, takim i cili u pasua me marrëveshjen për tërheqjen e DIA-s nga arbitrazhi. Vojsava Ismailaj tregon edhe rastet kur Ilir Meta, në atë kohë në krye të LSI-së dhe ministër, i kërkonte Kastriot Ismailajt shpërblim për uljen e çmimit të energjisë apo herë pas herë i kërkonte para për fushatë.

Më tej deputeti dhe ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Metës, Spartak Braho, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë, u dërgoi nga një letër drejtuesve të institucioneve kryesore, duke pretenduar se vendi rrezikonte të destabilizohej.

Në të ai përmend akuzat e Tom Doshit dhe Vojsava Ismailaj, që akuzojnë Metën si ideator të eleminimit të tyre fizik. Të dy ata u thirrën nga policia e Tiranës për tu marrë në pyetje duke mohuar akuzat e Brahos për thurjen e një komploti që do të çonte në destabilizimin e vendit.

Në atë kohë tensionet ishin të larta. Madje në seancën e 5 marsit 2015, Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë pasur një përplasje të ashpër në Kuvend. Duke iu referuar akuzave të Doshit, Berisha i kërkoi publikisht dorëheqjen, ndërsa Meta i kujtoi së në fillim të vitit 2011 ai u largua nga qeveria pikërisht për të mbrojtur djalin e tij Shkëlzen Berisha

Edhe disa vite më vonë, PS këmbënguli për ndëshkimin e fajtorëve të tjerë për abuzimet e CEZ-DIA, por duke e fokusuar objektivin tek Shkëlzen Berisha.

Por sot është Ilir Meta i vendosur nga SPAK përballë akuzave.

Dosja CEZ-DIA, është vetëm “gjylja” e radhës që po varet në këmbën e njërit prej protagonistëve kryesorë të klasës politike. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë