Stefania Palma – Gjykimi më i bujshëm në historinë e Malajzisë nis sot (të martën) në Gjykatën e Lartë të Kuala Lumpur.
Najib Razak, ish kryeministër, përballet me më shumë se 40 akuza penale të lidhura me entitete qeveritare dhe me skandalin 1MDB (Kompania 1Malaysia Development Berhad), fondin e investimeve shtetërore prej të cilit Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DoJ) pretendon të kenë humbur 4.5mld $.
Gjyqi shënon një rrënim të ri për z. Najib, i cili pësoi një kthim kursi të thektë për fatin e tij kur humbi zgjedhjet e përgjithshme përballë ish-aleatit të tij Mahathir Mohamad në maj të vitit të kaluar.
Ish lideri i partisë Malaizjane Umno shërbeu si kryeministër për nëntë vite. Tanimë, nëse rezulton i fajshëm, Z. Najib mund ta kalojë jetën mbrapa hekurave.
Ja si ngjau gjithçka

2009
I dëshiruar për të katapultuar ekonominë malajziane nga kurthi i të ardhurave mesatare në në grupin e vendeve me të ardhurave të larta, një nga lëvizjet e para të z. Najib, si kryeministër, do të ishte lançimi i 1MDB, një fond investimesh shtetërore (Korporatë publike investimesh) me detyrën për të shpënë përpara zhvillimin e Malajzisë. Fokusi i investimeve qe në energji të gjelbër dhe turizëm.
2009-2015
Falë lidhjeve me investitorë të Lindjes së Mesme dhe bankave më të fuqishme si Goldman Sachs dhe Deutsche Bank, fondi shtetëror i investimeve 1MBD grumbulloi miliarda dollarë për projekte dhe joint ventures (bashkëinvestime). Por borxhet kërcyen dhe u bënë të pamenaxhueshëm, duke detyruar qeverinë malajziane të niste të ripaguante në mënyrë të fshehtë detyrimet e borxhit të 1MDB.
2015
Ky vit shenjoi nisjen e shqyrtimit më të rreptë të kontratave të 1MDB-së. Raportet dokumentuan se Z. Najib ka marrë transferta në llogarinë e tij bankare personale prej 681mln dollarësh, të cilat pretendonte se vinin prej qeverisë Saudite e etur për të forcuar një vend muslyman modern në një kohë të islamizmit ekstrem. Sipas DoJ, kjo ishte një prej shumë transaksioneve “të pastrimit të parave” në të cilën u derdhën para në llogari bankare për të turbulluar origjinën e marrësit: 1MDB.
2015-2018
Si rezultat i transferimit të 681 milion dollarëve, autoritetet, përfshirë hetuesit zviceranë dhe ata të Singaporit, si dhe DoJ nisën një hetim ndërkombëtar për 1MDB (Korporatën Malajziane të Investimeve) për të përcaktuar fluksin e parave cash të supozuara që dolën prej fondit shtetëror. Në vitin 2017, DoJ lëshoi një dokument bombë që përshkruante se si shpërdoroheshin paratë e 1MDB në të gjithë globin para se të përdoreshin për të blerë pasuri të patundshme luksoze në SHBA, vepra arti të çmuara dhe bizhuteri artizanale me porosi.
Maj 2018: muaj çmendurie

Mahathir Mohamad
10 Maj
Nonagenarian Mahathir Mohamad mundi mbrojtësin e tij Najib Razak në një fitore elektorale të jashtëzakonshme përmes një platforme që kërkonte të dënonte korrupsionin pas skandalit të 1MDB. Sistemi politik malajazian u trondit në thelb. Koalicioni Barisan Nasional, i udhëhequr nga Z Najib , humbi pasi për dekada të tëra ndikoi politikën e vendit. Dhe Anëar Ibrahim, udhëheqësi jetëgjatë i opozitës së Malajzisë, i cili ishte burgosur me akuza për të cilat ai pretendonte se ishin nxitur politikisht nga Z. Najib dhe nga z. Mahathir – gjatë kohës kur Mahathir ishte kryeministër, u lirua nga burgu pas fitores zgjedhore si një anëtar kritik i koalicioni fitues.
12 Maj

Z. Mahathir iu deshën vetëm 48 orë për të ndaluar z. Najib dhe gruan e tij, Rosmah Mansor, prej largimit nga vendi, si pasojë e hetimit të ardhshëm të ashpër në lidhje me 1MDB. Të dhënat se Z.Najib dhe gruaja e tij kishin planifikuar të largoheshin nga Malajzia me një avion privat, qarkullonin në një manifest udhëtarësh. Ata kurrë nuk arritën të dilnin nga vendi. Zyra e emigracionit të Malajzisë kishte listën e zezë të personave që nuk duhet të linin vendinm pjesë e të cilës ishte edhe çifti.
18 Maj
Policia malajziane ndërmori veprime. Forcat policore hynë në pronën e familjes së Najibit, ku konfiskuan 275 milionë dollarë mallra luksozë, mes të cilëve 284 kuti me çanta, 30 milion dollarë cash në monedha të ndryshme dhe një koleksion bizhuterish. Në mesin e objekteve të tjerë u gjetën edhe 14 kurora.

Korrik 2018
“Mendoj se gjithçka është çështje kohe,” është kjo mënyra se si e shikon arrestimin e ish kryeministrit Najib, Maria Chin Abdullah, një deputete që kaloi dekada në luftën ndaj abuzimeve të të drejtave të njeriut nga qeveritë autoritare të Malajzisë.
Komisioni malajzian kundër korrupsionit me një lëvizje shokuese që do të dukej e krejt e pamundur dy muaj më parë, e ndaloi z. Najib një natë përpara se prokurorët e goditën ish kreun e qeverisë përmes shumë akuzave penale të lidhura me SRC International, një ish degë e 1MDB-së.
Gusht 2018
Deri në gusht, prokurorët e Malajzisë, të udhëhequr nga Tommy Thomas po mblidhnin akuzat kundër ish kreut të qeverisë, një prej të ncilave është pastrimi i parave.
4 Tetor 2018
Dy muaj më vonë, autoritetet malajziane vendosën zonjën Rosmah në qendër të vëmendjes, duke e akuzuar atë për pastrim parash dhe evazionin fiskal.
Kritikët e saj e mirëpritën ngjarjen. Aspak e shqetësuar prej skandaleve që përfshinë familjen e saj, zonja Rosmah vazhdonte të shijonte pasurinë e saj.
11 Tetor 2018
Vetëm disa ditë pasi gruaja e tij zvarritej në gjykatat e Kuala Lumpurit, Z. Najib shfaqej i papenduar në një intervistë të marrë nga Financial Times. Ai mohoi të gjitha gabimet dhe fajësoi të tjerët për humbjen e tij në zgjedhjet e majit. I pyetur rreth gjykimit që pritej në 2019-ën, ai tha se e mirëpriste mundësinë për të pastruar emrin e tij.
Shkurt 2019
Z. Najib përballet me më shumë se 40 akuza për shkelje të besimit, pastrimit të parave dhe abuzimit të pushtetit të lidhur me entitetet shtetërore dhe 1MDB.
Ish udhëheqësi ka qenë në një luftë të vazhdueshme, duke forcuar praninë e tij në mediet sociale për të shpëtuar imazhin e tij.
Por beteja gjyqësore e sotshme do të jetë e ashpër, me z. Thomas – i njohur për luftën e tij kundër korrupsionit dhe për kritikën e thekshme e të hapur të Umno, partisë së Najib, ndërsa ai ishte në pushtet , duke punuar ngushtë me prokurorinë.
*Burimi: Financial Times, Përshtati: Sabina Veizaj
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




