Rend dhe Ligj

Mirazhi i drejtësisë dhe saga Dritan Dajti, njeriu që kërcënoi hapur gjyqtarë e prokurorë

Pak para orës 14:00 të 7 korrikut 2009, pushuesit në afërsi të pistës “Iliria” në zonën e Durrësit u tronditën nga një seri të shtënash me armë zjarri. Pak minuta më vonë u mësua se bëhej fjalë për një shkëmbim të armatosur mes efektivëve operacionalë të Policisë së Shtetit me të shumëkërkuarin Dritan Dajti.

Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj, që të gjithë pjesë e grupit operacional të Policisë së Shtetit që ra në gjurmët e Dritan Dajtit, në atë kohë të kërkuar për vrasjen e një biznesmeni që në vitin 1999, e që ndodhej në arrati që prej 2004, mbetën të vrarë në misionin për prangosjen e tij.

Gjatë të shtënave, nga plumbat e Dajtit mbeti i vrarë edhe miku i tij, Ledio Mara, ndërkohë që vetë autori u plagos. Ai u arrestua disa momente më vonë. Me prangosjen e tij dhe me zemëratën publike që shpërtheu pas masakrës u perceptua sikur drejtësia do të hidhte “në det” çelësat e qelisë për të. Të gjithe gabuam!

Saga e proceseve gjyqësore në ngarkim të Dritan Dajtit do të merrte udhë që në seancën e parë. Akuzat që rëndonin ndaj tij ishin mjaft të rënda dhe në përfundim të hetimeve prokuroria kërkoi 4 burgime përjetë. Por, ajo që nuk kishte parashikuar as prokuroria, as gjykata dhe ndoshta as publiku, ishte strategjia e Dritan Dajtit. Autori i masakrës “lozi shah” me drejtësinë. Ai refuzoi që të mbrohet nga një avokat duke e detyruar Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda që t’i drejtohej listës kryesisht të avokatëve, pra listës së avokatëve që caktoheshin nga shteti për të garantuar mbrojtjen e Dritan Dajtit.

Vetë Dajti refuzonte avokatët dhe herë me kërcënime publike në seancë dhe herë falë “namit” që kishte fituar, avokatët e përzgjedhur nga gjykata nga lista fillestare refuzonin njëri pas tjetrit që ta mbronin në procesin gjyqësor.

Në mungesë të avokatëve dhe përballë refuzimit të të akuzuarit për të patur një të tillë, seancat gjyqësore dështonin njëra pas tjetrës duke u shtyrë pafundësisht. Kupa u mbush në 2013, kur Gjykata për Krimet e Rënda i drejtohet publikut duke fajësuar Këshillin Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për dështimin e proceseve gjyqësore ndaj Dritan Dajtit.

“Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda i është drejtuar Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë duke i bërë prezent situatën në procesin gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajti, e duke i kërkuar që të marrë përsipër përgjegjësitë e veta ligjore për zhbllokimin e saj. Kjo çështje vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të pamundësisë për të bërë të mundur prezencën e një mbrojtësi në seancë”, deklaronte në atë kohë Gjykata për Krimet e Rënda.

Gjykata zbulon se në letërkëmbimet që kishte patur me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, kjo e fundit e kishte vënë në dijeni në mes të prillit 2013 se mund të ndërhynte për t’i vendosur një avokat kryesisht Dritan Dajtit vetëm pasi gjykata të kishte thirrur të 119 avokatët e listës kryesisht.

Në momentin e shpërndarjes së kësaj deklarate, Gjykata e kishte plotësuar këtë kërkesë dhe 241 seanca gjyqësore në më pak se 4 vite ishin shtyrë për mosparaqitje, apo mospjesëmarrje të palës mbrojtëse.

“Tashmë janë thirrur të gjithë avokatët e listës së avokatëve kryesisht depozituar pranë Gjykatës dhe asnjë prej tyre nuk ka marrë përsipër të bëjë mbrojtjen e këtij të pandehuri. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme dhe kërkohet që secili të marrë përsipër përgjegjësitë ligjore për zhbllokimin e saj. Nga ana e jonë janë bërë të gjitha përpjekjet për të thirrur, kontaktuar gjetur e njoftuar të gjithë avokatët emrat e të cilëve gjenden në listën e avokatëve kryesisht”, thotë gjykata.

Si rrugëdalje nga ngërçi, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dy avokatë kryesisht, por në seancat e fundit të tyre, atëherë kur prokuroria duhej të jepte pretencën, avokatët tërhiqeshin dhe largoheshin nga salla. Sa më shumë shkonte procesi drejt përfundimit, aq më të drejtpërdrejta ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve shndërroheshin kërcënimet e Dritan Dajtit.

Në maj të 2014, nga ironitë me gjykatën, ku përgjatë pesë viteve përpjekje për të zhvilluar seanca deklaronte se nuk kishte mundësi financiare të paguante një avokat, e për këtë ishte i pambrojtur, Dajti kërcënoi në mënyrë të drejtpërdrejtë relatorin e çështjes, Idriz Mulkurti.

“I ke hapur vetes belanë më të madhe, mbaje mend. S’janë asgjë mushkonjat, që diskutove sot në gjyqin tjetër, nuk më bëhet vonë për asgjë, mbaje mend dhe do ta shohësh, po ta them këtë para gazetarëve”, deklaronte ai.

Pas këtij kërcënimi trupi gjyqtarët kërkuan mbrojtje nga policia dhe dy muaj më vonë dolën me një vendim ndaj Dritan Dajtit. Vendimi ishte katër dënime burg përjetë, që i vendosi kapakun sagës “Dajti” në seancën e 276-të, duke e bërë këtë proces më të gjatë në historinë e Gjykatës për Krimet e Rënda, që nga ngritja e këtij institucioni në vitin 2004.

Familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës e të shpallur “Dëshmorë të Kombit”, e përshëndetën vendimin dhe thanë se drejtësia u vendos. Por ata nuk kishin bërë llogaritë me Dritan Dajtin, që vendosi apelimin e vendimit.

Procesi këtu, edhe për shkak të kohës, edhe për shkak të agjendave të tjera të përditshmërisë së shqiptarëve u zhvillua larg prozhektorëve publikë deri kur befas, një trup gjyqtarësh të Apeleve të rrehteve, të komanduar në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda vendosën që t’i njihnin të drejtën e gjykimit të shkurtuar Dritan Dajtit dhe ta dënonin atë me 25 vite burgim.

I arrestuar që prej 2009 dhe me qëndrimin e pjesës më të madhe të kohës në paraburgim, ku një ditë paraburgim konvertohet në 1.5 ditë burg, Dritan Dajti pritet që të lërë qelinë brenda pak vitesh dhe të shijojë sërish lirinë, aq më tepër që vendimi në fjalë është i formës së prerë, pra përfundimtar.

Ndryshimi i ndëshkimit ka shkaktuar zemëratë në opinionin publik dhe atë nuk e lë pa e komentuar politika. Nga Partia Socialiste kanë heshtur, por nga Partia Demokratike akuzojnë drejtpërdrejtë Kryeministrin Edi Rama si njeriun që ka ndërhyrë në lehtësimin e dënimit ndaj njeriut që vrau 4 efektivë të policisë.

Por, ata që e vuajnë më shumë këtë kthesë janë me siguri familjarët e të rënëve. Pasi pritën për vite me radhë me medaljet “Dëshmorë të Kombit” të të afërmve të tyre, me këtë vendim këto medalje janë gjithçka që u ka mbetur.

Bëmat e Dritan Dajtit

Lindur në Tiranë më 17 nëntor 1971, Dritan Dajti ka qenë një nga personat më të kërkuar në Shqipëri. Ai u dënua fillimisht me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë së Tiranës për veprën penale të vrasjes së një biznesmeni në vitin 1999.

Emri i tij u bë e famshëm kur u arratis në mënyrë spektakolare nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës në fund të 2003, vetëm pak minuta para se të fillonte seanca kundër tij. Nga hetimet e mëvonshme rezultoi se gjithçka kishte qenë e planifikuar. Miqtë Dajtit kishin vendosur në tualetin e gjykatës një pistoletë. Me këtë pistoletë, ai kërcënoi policinë dhe prokurorin duke i hapur vetes dyert e arratisë.

Sipas hetimeve, ai u arratis me pranga në duar me një motor, që drejtohej nga një person tjetër. Deri në 2009, prania në listën e personave shumë të kërkuar nuk e pengoi që të vendoste një pasuri të majme, që dyshohet se është produkt i gjobvënies dhe shantazheve. Kjo konfirmohet nga këqyrja e apartamentit të tij në Durrës në katin e fundit të një pallati 6-katësh, të mobiluar në mënyrë të tillë që i jepte atij një fushëpamje të gjithanshme për t’u arratisur në çdo kohë që policia binte në gjurmët e tij.

Një vit e gjysmë pas arratisjes nga Gjykata e Tiranës dyshohet se ai arrin t‘i shpëtojë një aksioni dhe një postblloku policor në Durrës, në një automjet ku po udhëtonte së bashku me Emiljano Shullazin. E gjithë kjo mbeti në kuadër të dyshimeve dhe historive që qarkullonin herë-herës dhe asnjëherë nuk u provua nga policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë