Sabina Veizaj – Ekonomia shqiptare përshkruhet me nota tejet pesimiste nga profesor Selami Xhepa, në një intervistë të dhënë për Gazetën “Si”.
Ai shprehet skeptik për vërtetësinë e shifrave optimiste të qeverisë për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, edhe sikur, thotë ai, t’i merrnim si të mirëqena ato shifra, shëndeti i ekonomisë së vendit analizohet përtej këtyre shifrave. Xhepa shprehet i shqetësuar për emigracionin masiv dhe trendin e ri të këtij fenomeni që po largon nga vendi sipërmarrës dhe kapacitetet intelektuale dhe ekonomike.
Eksperti në fushën e ekonomisë është kundër investimit përmes PPP-ve në mënyrën se si ka vepruar dhe po vepron qeveria aktuale, pasi sipas tij janë investime të rrezikshme për shkak të nxitjes përmes tyre të rritjes së borxhit publik dhe përkeqësimit të imazhit të Shqiëprisë në botë.
Xhepa mendon se borxhi publik në rritje është një rrezik që i kanoset Shqipërisë, që sipas tij në 15 vite duhet të reduktohet në 40% përmes një strategjie të rritjes së të ardhurave, por që qeveria në programin afatmesëm ka programuar reduktimin si të shpenzimeve, ashtu edhe të të ardhurave.
Ai e konsideron shumë të dobët ekonominë e vendit si për të realizuar investimet e premtuara në fushën e arsimit, ashtu edhe për të përballuar presionet nga faktorët e jashtëm.
Përtej shifrave të PBB-së, si e konsideroni shëndetin e ekonomisë së vendit?
Së pari, mendoj që indikacionet që masin shëndetin e një shoqërie shkojnë përtej treguesit të PBB-së edhe pse unë personalisht edhe për vetë këtë indikator që mat prodhimin e ekonomisë kombëtare kam dyshime për besueshmërinë e të dhënave. Por sidoqoftë edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, unë nuk mendoj që shëndeti i shoqërisë shqiptare nuk është përmirësuar, por mendoj që ka më shumë zhgënjim dhe më shumë depresion të shoqërisë dhe kjo shfaqet e manifestohet më së qarti tek flukset e larta të emigrimit dhe në veçanti tek një tipologji e re emigrimi.
Po largohen njerëz të edukuar, njerëz me ekonomi të konsoliduar, njerëz që përbënin një burim të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe një forcë udhëheqëse, lokomotivë për rritjen e konsumit, një treg i rëndësishëm për sipërmarrësit, një fuqi punëtore shumë e kualifikuar gjithashtu për sipërmarrjen në Shqipëri. Fakti që ky po shndërrohet në problem serioz që është vënë në dukje në mënyrë të herëpashershme nga komuniteti i biznesit, por është vënë në dukje njëkohësisht edhe nga studimet që janë bërë që matin fenomenin e emigrimit të shqiptarëve, është ndoshta treguesi më sintetik sa e besojnë qytetarët dhe si e lexojnë qytetarët përkthimin e kësaj rritjeje ekonomike në një mënyrë të prekshme për xhepat e tyre për mirëqënien e tyre.
“Unë nuk mendoj që shëndeti i shoqërisë shqiptare nuk është përmirësuar, por mendoj që ka më shumë zhgënjim dhe më shumë depresion të shoqërisë dhe kjo shfaqet e manifestohet më së qarti tek flukset e larta të emigrimit dhe në veçanti tek një tipologji e re emigrimi.”- Xhepa
Nga ana tjetër, reformat dhe shumë iniciativa ligjore që janë ndërmarë në fushën e ekonomisë kanë qenë shpeshherë problematike sa i takon raportit të shtetit me lirinë e individit, me lirinë e pronës, me vlerat fondamentale të sistemit ekonomik që ne po jetojmë. Nga ana tjetër disa reforma shumë serioze që lidhen me qeverisjen e ligjit, jo me atë të gjyqtarëve, gjithashtu kanë qenë në një lloj gjendje stanjacioni prej shumë kohësh, për pasojë ndoshta kjo shpreh gjithashtu më së qarti mosbesimin që vetë forcat politike kanë ndaj këtij procesi sepse fakti që kjo po zvarritet në mënyrë të përhershme, tregon që ka një interes serioz nga grupe të caktuara politike për ta penguar këtë lloj reforme, që do të ishte vërtet një çlirim për shoqërinë shqiptare, për shpresën e qytetarëve të vendit.
Gjithashtu gjendja e demokracisë së vendit është serioze dhe problematike. Sa kohë që siç po provohet se proceset politike e kanë deformuar vullnetin e qytetarit e për rrjedhojë nuk kemi një proces të pranuar nga gjithë shoqëria dhe nga i gjithë spektri politik.
Institucionet e vendit janë të dobëta dhe për pasojë po reflektohet edhe në raportet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me perceptimin për nivelet e larta të korrupsionit. Kanë prodhuar një lloj shoqërie gjysmë të lirë ku liria ka probleme serioze dhe ku demokracia e shtetit ligjor dhe funksionimi i shtetit të së drejtës ka probleme serioze. Janë pikërisht këto vlera që shqiptarët kanë pritur ti gjejnë të materializuara, por që fatkeqësisht pas 30 vitesh pluralizmi politik dhe një shoqërie demokratike, ajo që kishim shpresuar vazhdon të mbetet shumë e çalë.
FMN, KE, BB në raportet e vazhdueshme të vlerësimit të vendit, theksojnë rrezikun që i kanoset ekonomisë nga PPP-të si forma investimi jo transparente dhe skeptike përsa i përket përfitimit të shoqërisë. Nga ana tjetër qeveria këmbëngul se PPP-të janë e vetmja formë investimi për të kryer shpejt punët publike. Si e shikoni ju këtë mënyrë investimi dhe rregullimet ligjore që qeveria i ka bërë ligjit të PPP-ve?
Koncensionet janë format më të hershme që njerëzimi i ka përdorur, ndoshta që nga lashtësia, që në Romën e lashtë, ku institucionet shtetërore i japin një të drejtë zhvillimore një subjekti privat ku risku mbetet tërësisht tek investitori privat. Ku është investitori privat me investimet e tij dhe riskun e tij që zhvillon projektin dhe e administron këtë projekt në vazhdim. Për pasojë komuniteti dhe ekonomia përfitojnë një shërbim të modernizuar, një akses ndaj njw shërbimi që nuk e ka pasur, sigurisht që përmes pagesave sepse ky është një investim privat. Dhe sa kohë që financat publike nuk kanë asnjë lloj implikimi, kjo lloj e koncensionimit është një formë shumë e shëndetshme. Ndërsa kontratat e Partneritetit Publik Privat që qeveria e Shqipërisë është investuar fuqishëm veçanërisht duke filluar nga viti 2013-të sepse këto lloj kontratash përpara vitit 2013 nuk kanë ekzistuar.
“I gjithë rreziku i PPP-ve qëndron tek shlyerja e investimit që kryeht nga buxheti i shtetit. Pasi është buxheti i shtetit që paguan çdo vit shumat e caktuara të kontraktuara për këto lloj kontratash. Në këtë kuptim përfshirja e këtyre detyrimeve që kemi ndaj kontratave PPP është absolutisht e detyrueshme të jenë të përfshira në buxhetin e shtetit, apo në statistikat e borxhit publik shqiptar. Me gjithë borxhin e fshehur të PPP-ve, aktualisht borxhi publik ka shkuar në 85% të PBB-së” – Xhepa
Efektivisht kjo formë e re e ndryshuar e koncesioneve siç janë PPP-të ka nisur të marrë shumë jetë me ardhjen e PS në pushtet që nga 2013-të. Diferenca e kësaj metode me atë që unë përmenda është se i gjithë rreziku i shlyerjes së investimit qëndron tek buxheti i shtetit. Pasi është buxheti i shtetit që paguan çdo vit shumat e caktuara të kontraktuara për këto lloj kontratash. Në këtë kuptim përfshirja e këtyre detyrimeve që kemi ndaj kontratave PPP është absolutisht e detyrueshme të jenë të përfshira në buxhetin e shtetit, apo në statistikat e borxhit publik shqiptar. Në kushtet kur ne kemi një nivel borxhi gati 70% që nuk po ndryshon pavarësisht semantikave gjuhësore, një herë ndryshojmë emëruesin dhe një herë numëruesin, por në fakt borxhi vazhdon të mbetet problem shumë serioz i ekonomisë. Në qoftë se do të shtonim edhe këto kontrata që sipas vlerësimeve të FMN-së shkojnë në 15% të PBB-së, është e qartë që Borxhi Publik i vendit do ta kalonte 85% e PBB-së. Kjo do të ishte padyshim një sinjal dhe një kambanë e fortë alarmi dhe menjëherë institucionet e renditjes së riskut të Shqipërisë do të kishin vendosur një ndëshkim.
Dhe kjo u paralajmërua edhe në renditjen e fundit që bëri Standarts & Poor, pavarësisht se e la të pandryshuar gjendjen e Shqipërisë, në fakt edhe ata e nënvizuan që ky është një rrezik dhe nëse Shqipëria nuk merr hapat e duhur, ndoshta në misionin e radhës të vlerësimit për “credit risk worthiness”, do të ndryshojë pozicionin dhe do të ishte patjetër me pasoja serioze.
Arsyet sepse e bën qeveria; ajo e propagandon si mënyrë për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik, por mendoj që historia është shumë e dobishme për t’u lexuar. Në historinë e ekonomisë dhe zhvillimin e progresin e shoqërisë njerëzore nuk gjemë leksione ku kemi patur rrugë të shkurtra për të bërë një bum të kësaj natyre. Çdo lloj progresi dhe çdo lloj prosperiteti që fitohet me një mënyrë të pamerituar (dhe kjo është mënyrë e pamerituar), përgjithësisht ka dështuar e më shumë ka mbjellë zhgënjim, lot dhe dëshpërim se sa progres dhe zhvillim. Këtë e pamë tek kriza greke. Kjo është e fundit, por historia e ekonomisë është më shumë se 5000 vejçare. Unë nuk mendoj që ka një rrugë të shkurtër për të thënë që ne nuk mund të presim dot derisa t’i kemi paratë. Kjo është një mënyrë paksa diktatoriale, edhe për nga vetë të shprehurit sepse vetëm regjimet diktatoriale mendojnë në këto terma.
Shoqëria e ndërton progresin siç thotë populli; sa ke jorganin, aq shtrin edhe këmbët. Nuk mundet të përshpejtosh dhe të shpiesh përpara diçka në mënyrë të pamerituar. Përtej kësaj, praktikat që janë përdorur, kanë qenë në veçanti tërësisht problematike; e para nuk kemi patur asnjë lloj standardi transparence apo të leverdisë ekonomike në përzgjedhjen e projekteve dhe për faktin se me një kollajllëk të paimagjinueshëm bëhet zëvendësimi i një projekti me një tjetër, tregon se sa amtoreske është skema me të cilën përzgjidhen projektet. E dyta kanë qenë projekte të prokuruara jashtë çdo lloj standardi të transparencës dhe kërkesave që ka ligji për prokurimet publike, kostot e tyre kanë qenë gjithmonë shumë të fryra që në planifikim. Ndërkohë që eksperienca botërore tregon që nga planifikimi deri në realizimin e tyre diferencat janë me të paktën 30%. Kjo do të thotë që ajo që mund të presim është që, kontratat e prokuruara sot do të rezultojnë në përfundim të tyre me të paktën 20-30% më të larta nga sa ishin planifikuar.
Kanë probleme të kostove të larta të financimit. Borxhi që ngrihet nga sektori privat ka një kosto më të lartë se sa borxhi që ngrihet nga qeveritë. Kanë probleme serioze në monitorimin dhe menaxhimin e tyre, në negocimin e kontratave sepse duhet të kesh një ekspertizë shumë të sofistikuar për të nënshkruara kontrata të tilla, gjë që edhe vendet e zhvilluara nuk e disponojnë. Kurse sektori privat e ka. Prandaj këto lloj kontratash kthehen në problematike për vendet dhe janë tepër të rrezikshme. Kjo është arsyeja që prej kohësh, që kur ka nisur kjo mënyrë investimi, shumë eksponentë vendas dhe organizata ndërkombëtare kanë qenë skeptik edhe kundër këtyre kontratave.
Qeveria është përpjekur të rregullojë ligjin e PPP-ve duke hequr ofertën e pa kërkuar e në të njëjtën kohë për të potencuar investimet, ka vendosur të ngrejë Korporatën e Investimeve. Si i shikoni këto ndërhyrje? A do të reflektohen pozitivisht në ekonominë reale?
Ndalimi i PPP-ve të pakërkuara është një domosdoshmëri absolute. Ato duhet të eliminohen tërësisht. Nuk duhet të ketë kurrë kontrata PPP që të vijnë si propozime të pakërkuara. Nëse publiku ka interes dhe qeveria dëshiron të zhvillojë diçka shtesë në emër të publikut, duhet që ta kërkojë qeveria kryerjen e këtij lloj shërbimi mbi disa baza të rregulluara ligjore dhe të prokurimit publik të cilat duhet të përfshijnë standardet më të larta të transparencës të përzgjedhjes etj. Fatkeqësisht asnjë nga këto kërkesa ligjore, edhe të ligjit ekzistues nuk është respektuar në asnjë rast dhe kjo më lë të mendoj që edhe ndryshimet që janë propozuar i gjykoj të pamjaftueshme për të mbyllur këtë lloj praktike tërësisht përkeqësuese të gjendjes së financave publike, por nga ana tjetër do të rëndojë edhe më shumë imazhin e Shqipërisë dhe perceptimin që do të ketë Shqipëria si vend me nivele të larta të korrupsionit.
“Sa i takon Korporatës së Investimeve Publike në Shqipëri, e mendoj si një praktikë jo serioze; e para korporatat si krijime ndërmarrjesh shtetërore kanë provuar që kanë probleme serioze të standardeve të tyre të qeverisjes, transaprencës. Së dyti kjo do të ketë rreziqe të tjera të shtuara përderisa kjo ka natyrën e një korporate financiare. Pra ajo do të përdorë të gjitha asetet publike si toka, asete të tjera shtetërore të paprivatizuara si kolateral për të marrë kredi në tregjet ndërkombëtare.” – Xhepa
Sa i takon Korporatës së Investimeve Publike në Shqipëri, e mendoj si një praktikë jo serioze; e para korporatat si krijime ndërmarrjesh shtetërore kanë provuar që kanë probleme serioze të standardeve të tyre të qeverisjes, transaprencës. Së dyti kjo do të ketë rreziqe të tjera të shtuara përderisa kjo ka natyrën e një korporate financiare. Pra ajo do të përdorë të gjitha asetet publike si toka, asete të tjera shtetërore të paprivatizuara si kolateral për të marrë kredi në tregjet ndërkombëtare. Kredi e cila do të përdoret sipas standarteve që do ta vendosë një drejtor shtetëror, pra pak a shumë si një bankë shtetërore.
Do të vendosë mbi baza individuale dhe efektivisht do të kemi të bëjmë me tjetërsim të pronës publike me një sjellje private që efektivisht është një standard tejet jo serioz dhe problematik për Shqipërinë. Unë gjykoj do të ishte një nga praktikat më të dëmshme dhe një dëm serioz që do ti bëhej vendit. Do të kishim tjetërsim të pronës, do të kishim krijime investimesh në një mënyrë që nuk do të kishim mundësi kontrolli dhe monitorimi, ndoshta do të kishim krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta si në periudhën e fillimit të tranzicionit “90 ku të huajt do të vinin të krijonin join venture me korporatën shtetërore të cilat do të krijonin fenomene tërësisht negative që ne i provuam në vitet 90” që jo vetëm nuk e ndihmuan Shqipërinë, por prodhuan kosto financiare për vendin.
Do të kishim probleme me shlyerjen e kredive nëse investimet do të dështonin e për pasojë të gjithë asetet publike do të transferoheshin pa asnjë lekë tek kreditorët ose do të kishte implikime për buxhetin për hir të presionit publik se duhej të paguheshin si borxhe publike. Në të gjitha kuptimet e konsideroj këtë si një tentativë të rrezikshme që mund të bëhet në emër të promovimit dhe zhvillimit të pronave publike.
Kjo nuk është mënyra e duhur. Mënyra e duhur është të privatizohen pronat publike dhe të jepen për tu zhvilluar, pro mbi bazën e legjislacionit që e kemi në fruqi dhe nuk ka asnjë arsye për të bërë manovra të kësaj natyre që lë dyshime serioze.
A e shikoni borxhin publik në nivelet aktuale si të rrezikshëm për ekonominë?
Shqipëria dhe për vendet si Shqipëria që janë me prapambetje të theksuar ekonomike, gjendja e borxhit të qëndrueshëm publik, mendoj që duhet të jetë në kufijtë e 40% dhe kjo është besoj një nga konkluzionet e shumë studimeve dhe shumë autorëve.
Pavarësisht se nuk ka receta se gjendja e madhësisë së borxhit publik varet nga ritmet e rritjes së një ekonomie. Pra një ekonomi që rritet shpejt dhe ka aftësi paguese, prodhon më shumë dhe për pasojë ka më shumë mundësi që të shlyejë më shumë. Duke kuptuar kontekstin e një ekonomie të prapambetur, të një ekonomie që ka një rrugë të gjatë për tu bërë një ekonomi e zhvilluar, mundësia e goditjes nga kriza është shumë e fort e për pasojë nevoja për të për të përdorur politika stimuluese fiskale do të jetë gjithmonë prezente. Prandaj kjo është arsyeja që vetëm vendet që kanë nivele të ulta të borxhit kanë mundësi të përdorin politika të kësaj natyre, sa herë që krizat mund të godasin një vend. Ndërsa një vend që ka një borxh qoftë edhe 70 %, lëre pastaj 85%, imagjinoni sikur Shqipëria të goditej nga një recesion dhe që për pasojë e vetmja mënyrë siç kemi parë kohët e fundit edhe nga kriza e vitit 2007-2008, mbeten politikat kensianiste si instrumenta të rregullimit kundër ciklik apo për të penguar recesionin dhe për të rivendosur ekonominë në rrugën e rritjes.
Vendi do të ishte i detyruar të bënte huamarrje më të mëdha dhe për pasojë këto politika, jo vetëm nuk do të ishin më efektive, se nivelet shumë të larta të borxhit do t’i bënin tregjet që të kërkonin norma shumë të larta interesi, për pasojë këto politika do të ishin kundërproduktive. Kjo është logjika pse vende si Shqipëria kërkojnë të kenë nivele të ulta të borxhit publik, në mënyrë që të jenë të përgatitura për të korrigjuar goditjet ekonomike të ardhshme që ne i presim.
Ky është konteksti për ata që thonë nuk përbën rrezik borxhi 80%, 90%. Nuk ka receta, nuk ka një vijë borxhi të përcaktuar për të gjithë. Por vendet me ekonomi të fuqishme mund ta përballojnë një borxh të lartë, kurse vendet në zhvillim që kanë mundësi për goditje të mëdha, duhet të kenë nivele shumë të ulta të borxhit sepse edhe tregjet janë shumë skeptike ndaj tyre. Unë mendoj që Shqipëria brenda një periudhe 10-15 vjeçare detyrimisht duhet ta shpjerë borxhin publik në 40% të PBB-së, në mënyrë që ekonomia të rritet dhe zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme.
Si arrihet kjo?
Unë mendoj që kjo arrihet përmes rritjes së të ardhurave dhe jo shkurtimit të shpenzimeve.
Në fakt në planin tre-vjeçar që ka paraqitur qeveria konsolidimi fiskal i vendit është konsideruar në kahun e shpenzimeve. Duke ulur shpenzimeve publike, pra pritet që të shkojnë nën 29% të PBB-së. Ndërsa të ardhurat do të jenë gjithashtu nën 28% të PBB-së. Që ndo të thotë që do të rrudhet mundësia e qeverisë për të adresuar atë axhendë zhvillimore që ka vendi. Qoftë për problemet sociale, arsimi, pagat, shëndetësia, etj.
Ajo që parashikohet është se shpenzimet publike në të gjithë këta sektorë në nivele absolute do të jenë jo më shumë se sot dhe në disa sektorë do të vijnë në ulje; si bujqësia dhe arsimi madje. Kështu që nuk më duket që është qasja e duhur. Unë personalisht jam për një shtet të vogël. Nuk do të preferoja të kishim një shtet të mirëqënies sociale ku kontributi i shtetit do të ishte 50% i PBB-së siç është sot në Europë. Ky është një problem sot për vetë Europën. Por ama Shqipëria nuk mund të adresojë ato sfida të zhvillimit duke pasur një nivel kaq të ulët të të ardhurave buxhetore. Konsolidimi i ekonomisë dhe reduktimi i borxhit duhet të vijë përmes rritjes së të ardhurave, pa prekur shpenzimet publike që edhe sot janë në nivele shumë modeste.
Të flasim për protestën e studentëve. Në këndvështrimin ekonomik, a janë të realizueshme të gjithë kërkesat e parashtruara prej tyre?
Unë e përkrah absolutisht protestën e studentëve dhe jam një përkrahës i përhershëm i këtyre lloj lëvizjeve. Mendoj që shoqëria kishte vërtet për një tronditje sidomos bota universitare publike. Të mos harrojmë se shoqëria paguan gati 500 mln euro në vit dhe norma e kthimit të këtij investimi që bën shoqëria për ta është shumë deficitare. Në veçanti gjendja e arsimit të lartë është problem përtej retorikave dhe përtej asaj që është trumbetuar si reformë e rëndësishme në arsimin e lartë. Në fakt cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë vazhdon të mbetet problematika më serioze e shoqërisë.
Mënyra e mësimdhënies sigurisht që është e lidhur me financimin e kërkimit shkencor, infrastrukturës universitare, etj, por në përgjithësi të gjithë standardet e cilësisë së mësimdhënies në universitet janë më të përkeqësuara.
Në fakt edhe agjencia britanike që erdhi për akreditim nënvizoi probleme serioze në standardet e arsimit publik. Ishte hera e parë që arsimit të lartë publik iu kërkua të akreditohej dhe arsimi publik u pa që nuk e kishte marrë me seriozitetin e duhur, që nuk ishte përgatitur me një qasje strategjike, qasje programore, për mënyrën se si arsimi i lartë e zhvillon punën e vet. Në këtë kuptim, të gjithë këto procese nxorën në pah një sërë problematikash, por që nuk u vunë në rrugën e zgjidhjes.
Së dyti mendoj që ligji për arsimin e lartë u shndërrua në një ligj problematik sepse nuk kënaqi asnjërën palë; pra nuk kënaqi as palën e modelit anglosakson, por nuk kënaqi as palën tjetër kundërshtare që kërkon rrëzimin e ligjit në fjalë. Qe një ligj i kontestuar nga të gjithë palët dhe kuptohet që ka krijuar një pakënaqësi me të gjithë tregun e arsimit të lartë. Mendoj që ajo që po kërkojnë studentët në thelb është absolutisht shumë e drejtë, mbi të gjithw duhet të jenë të shqetësuar për standardet dhe cilësinë e mësimdhënies, për libra më të mirë, për pedagogë më të mirë, për rregull, për mbështetje me infrastrukturë, etj, etj. Nga ana tjetër ka disa kërkesa që besoj në kontekstin e ekonomisë së vendit janë të ekzagjeruara dhe të parealizueshme.
Pavarësisht se vetë qeveria e ka pasur në programin e saj investimin për arsimin në masën 5% të PBB-së, kjo është absolutisht e pamundur pasi të ardhurat e buxhetit janë 28% e PBB-së. I bie efektivisht një dy-fishim i buxhetit. Është e pamundur në kontekstin e tavanëve të shpenzimeve buxhetore që ne kemi si për shëndetësinë, për mbrojtjen sociale, për ekzistencën e vetë administratës dhe shoqërisë. Ka disa kërkesa që kanë nevojë të rishqyrtohen, por një mbrojtje më e mirë për arsimin e lartë është i domosdoshëm.
Akoma më e rëndësishme është reforma se sa mbështetja. Sepse nëse investojmë, fusim para në një sistem të pa reformuar, dobia ekonomike e këtyre parave është zero. Ne jo vetëm që nuk marrim , por do të vazhdojmë të thellojmë shkallën e shpërdorimit pa marrë asgjë mbrapsht si shoqëri.
Situata aktuale e ekonomisë shqiptare a mund të përballojë presionet e ndikimeve të jashtme (recesioni i Italisë nëse do të thellohet, BREXIT i paqartë, luhatja e monedhës evropiane, etj)?
“Një nga faktorët kryesorë pse Italia po kalon në recesion është për shkak të luftës tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës. Kjo luftë tregtare që zhvillohet mes dy të mëdhenjve duke ndikuar ekonomitë e shkallës së dytë, automatikisht në një afat më të gjatë krijon një efekt zinxhir në ekonomitë shumë periferike siç është ekonomia e Shqipërisë. ” – Xhepa
Shqipëria nuk jeton në izolim, padyshim që konteksti i ekonomisë së brendshme varet në një masë të gjerë edhe nga zhvillimet që ndodhin jashtë nesh dhe në veçanti nga ato që janë momente më pikante si për shembull nga ato që ndodhën me dy ekonomitë fqinje Italia dhe Greqia në 2008-ën, të cilat kanë një shkallë lidhjeje shumë të fortë e për pasojë intensiteti është gjithmonë më i fortë në raport me zhvillimet në tërësi në eurozonë, që gajtë këtij viti nuk pritet të jenë shumë interesante.
Por sërish përtej këtyre dy vendeve, fakti që këto dy vende ndikohen shumë nga proceset globale, e rrit akoma më shumë shkallën tonë të vulnerabilitetit.
Një nga faktorët kryesorë pse Italia po kalon në recesion është për shkak të luftës tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës. Kjo luftë tregtare që zhvillohet mes dy të mëdhenjve duke ndikuar ekonomitë e shkallës së dytë, automatikisht në një afat më të gjatë krijon një efekt zinxhir në ekonomitë shumë periferike siç është ekonomia e Shqipërisë. Këtu nuk ka receta se si mund të rritet vulnerabiliteti, por sa më shumë ta theksojmë integrimin në këto ekonomi, aq më shumë do të rritet vulnerabiliteti, por të vetmet përshtatje që duhet të bëjmë është të kemi shtëpinë në rregull. Që do të thotë; një vend si Shqipëria me një nivel të ulët të borxhit publik, do të goditej shumë më pak.
Një nga kanalet se si mund të goditej Shqipëria nga kriza italiane do të ishte: nëse tregjet financiare do ta shohin me skepticizëm financimin kaq të madh të borxhit të Italisë 140% e PBB-së, kjo do të thotë që do të shpinte në rritjen e normave të interesit në tregjet financiare ndërkombëtare që do të kishte pasoja edhe për ne e si rrjedhojë kostoja e financimit të borxhit tonë të jashtëm që është gati gjysma e borxhit total publik do të ishte shumë më e lartë. Sa më e madhe është pesha e borxhit, aq më e madhe është edhe goditja. Sa më në rregull ta kemi shtëpinë me borxh të ulët e të ardhura të larta, aq më shumë mbrojtje kemi në rast goditjesh që parashikohen të jenë gjithnjë e më të shpeshta e gjithnjë e më të ashpra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.