Bota e “Avatar” do të zgjerohet me një tjetër kapitull. Disney ka përfshirë filmin e katërt të sagës së njohur të James Cameron në kalendarin e publikimeve të ardhshme, duke parashikuar daljen e tij në kinematë botërore në dhjetor të vitit 2029.
Lajmi u bë i ditur nga media “The Direct”, sipas së cilës projekti u prezantua gjatë aktivitetit “Upfronts Argentina 27”, që u zhvillua në Buenos Aires.
Vazhdimi i sagës kishte qenë në pikëpyetje për shkak të performancës financiare të filmit të tretë, “Avatar: Fire and Ash”, i cili grumbulloi rreth 1.4 miliardë dollarë në mbarë botën. Megjithatë, kjo shifër ishte më e ulët se ajo e filmit paraardhës, “Avatar: The Way of Water”, që arriti të ardhura prej 2.32 miliardë dollarësh.
Regjisori James Cameron kishte paralajmëruar më herët se realizimi i një filmi të katërt do të varej nga rezultatet në arkë, ndërsa kostot e larta të prodhimit mbeten një nga faktorët kryesorë në vendimmarrjen e Disney-t. Skenari i projektit është tashmë i përfunduar.
Pavarësisht kësaj, vetë Cameron kishte lënë të hapur mundësinë që saga të mos vazhdonte. Në një intervistë për “Entertainment Weekly”, në dhjetor të vitit 2025, ai ishte shprehur se shpresonte për vazhdimin e saj, por nuk ishte i sigurt nëse kjo do të ndodhte.
Edhe në një konferencë për shtyp gjatë çmimeve “Saturn”, regjisori e kishte përshkruar “Avatar 4” si një projekt të mundshëm, por jo plotësisht të garantuar, duke theksuar se ende nuk ishte marrë një vendim përfundimtar për vijimin e sagës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje