Bota

Italia miraton ligjin për arsimin, ndalon burkën në shkolla dhe vendos kufi për nxënësit e huaj

Italia ka miratuar një reformë të re në arsim, e cila parashikon ndalimin e burkave në shkolla dhe vendosjen e një kufiri prej 30% për nxënësit me origjinë të huaj në klasat e vitit të parë. Masat kanë shkaktuar reagime dhe kritika nga partitë opozitare, të cilat i cilësojnë ato diskriminuese.

Kufiri prej 30% nuk do të zbatohet për nxënësit që kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës italiane. Ndërkohë, ndalimi i mbulimit të fytyrës prek veshjen e burkës dhe niqabit në ambientet e klasave. Reforma parashikon gjithashtu kurse të gjuhës italiane për prindërit e huaj.

Dhoma e Deputetëve miratoi përfundimisht të ashtuquajturin “Decreto Scuola” me 142 vota pro, 112 kundër dhe katër abstenime, pasi projektligji kishte marrë miratimin e Senatit më 20 nëntor.

Opozita kundërshtoi ashpër masat, duke argumentuar se problemet e vërteta të sistemit arsimor italian lidhen me mungesën e mësuesve, kushtet e shkollave dhe pagat e ulëta, dhe jo me numrin e nxënësve të huaj në klasa.

Deputeti i Lëvizjes Pesë Yje, Antonio Caso, deklaroi se rëndësi ka sigurimi i mësuesve dhe mjeteve të nevojshme për të garantuar të drejtën e arsimimit për të gjithë fëmijët. Edhe përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Irene Manzi, kritikoi kufirin prej 30%, duke thënë se ai rrezikon të ndajë nxënësit dhe të shpërfillë kontekstin e tyre shoqëror.

Nga ana tjetër, ministri i Arsimit dhe Meritës, Giuseppe Valditara, mirëpriti miratimin përfundimtar, duke e cilësuar votimin si një dëshmi të unitetit të shumicës qeverisëse.

Një tjetër pikë e debatueshme e reformës lidhet me librat shkollorë dhe universitarë në format digjital. Sipas ligjit të ri, botuesit do të duhet të ofrojnë versionet elektronike të librave me 50% të çmimit të versioneve të shtypura.

Shoqata Italiane e Botuesve kundërshtoi këtë masë, duke argumentuar se ajo mund të dëmtojë të drejtën e autorit, qëndrueshmërinë ekonomike të botuesve dhe vendet e punës në këtë sektor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë