Politike

“Më keq do shkojë”, Spiropali: Jam e para grua e përjashtuar

Elisa Spiropali, në një dalje për mediat këtë të mërkurë, ka folur për herë të parë për largimin e saj nga grupi parlamentar i PS-së.

Spiropali ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga mandati i saj i deputetes, pasi, sipas saj, ka dhënë kontribut për atë parti.

Ajo tha se socialistët e duan, duke shtuar se, nëse duhet të matet popullariteti, atëherë i sfidon me hapjen e garës brenda PS-së, pas 17 vitesh.

“Nuk e di a më do apo jo Edi Rama, unë di që më duan socialistët, sepse kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër. Jam një e majtë, një socialiste, një progresiste e bindur në vlerat e mia. Nëse duhet një garë, atëherë të hapet gara në PS pas 17 vitesh. Ne nuk kemi kryetar të përjetshëm, sado ta duam, sado i mirë të jetë, sado të ketë bërë për vendin. Statuti nuk është Bibël”, tha Spiropali, duke shtuar se nuk heq dorë nga mandati.

Ndërkohë, më herët Spiropali u shpreh se është e para grua që përjashtohet nga grupi parlamentar i PS-së.

Ajo tha se ndjen përgjegjësi dhe faj për përqendrimin e qeverisë dhe pushtetit në një dorë, sipas saj, ndërsa shton se ndjen krenari për të shkuarën e saj.

“Kam dhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit, të konsoliduar ekstremisht në një dorë, të partisë, qeverisë dhe të pushtetit të një njeriu. Kjo është përtej Edi Ramës dhe raportit personal, por është në themel të asaj që nxori në rrugë ata flamengot. Ishte ajo nevojë për të nxjerrë në rrugë ata të rinj. Janë më të forta se mungesa e legjitimitetit dhe e besimit, dhe kur kjo mungon, s’ka rëndësi sa mandate ke, mund t’i kesh të gjitha. E ka treguar historia botërore që pushtetet nuk mbahen nga muret, por nga respektimi i të drejtave. Mbaj edhe faj, por edhe krenari për të shkuarën time. Unë isha e para që reagova dhe një herë po e them, jo nga konvenienca politike, por se ashtu e ndjeva. Në atë moment, marrëveshja e re për Shqipërinë që unë propozova kishte elemente jo armiqësore për partinë time. Nuk dua të bëj parashikuesen, por më keq do të shkojë nëse ne nuk duam të reformohemi”, tha ajo.

Spiropali tha se faktin që është e para grua në 35 vite që përjashtohet, po e merr si dekoratë.

“Nuk ka asgjë për t’u habitur për sa kohë ata që duhet të ikin rrinë, dhe ata që duhet të rrinë ikin. Mendoj se do kemi shumë për të parë ende. Këtë qëndrim e kam mbajtur edhe pak para protestave të flamengove.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë