Sot në Bruksel do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku do të takohen liderët e Europës si dhe vendeve kandidate duke vënë në fokus strategjinë e forcimit të marrëdhënieve.
Të pranishëm do të jenë edhe presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Për herë të dytë, Serbia nuk do të jetë e pranishme në samit. Presidenti në detyrë dhe kryetari i Kuvendit, Aleksandar Çupiç, nuk do të marrë pjesë, gjë që është mirëkuptuar nga zyrtarët për shkak të periudhës tranzitore në Beograd pas zgjedhjeve.
Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Aleksander Vuçiç, bojkotoi samitin, si reagim ndaj moshapjes së grupkapitullit të tretë në negociatat e anëtarësimit në BE.
Udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian pritet të paralajmërojnë se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dyja palët në rrugën drejt integrimit evropian. Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të theksojnë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE, dokument që pritet të miratohet në fund të samitit.
Udhëheqësit do të vlerësojnë gjithashtu progresin në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor me BE-në, veçanërisht përmes Planit të Rritjes, si dhe do të diskutojnë mënyrat për ta zhvilluar më tej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje