Mode

L’Oréal: Ilaçet për humbje peshe po ndikojnë në shitjet e produkteve të bukurisë

Gjiganti i kozmetikës L’Oréal thotë se rritja e përdorimit të barnave për humbje peshe po ndikon në shitjet e produkteve të bukurisë dhe kujdesit për lëkurën. Kompania po zhvillon produkte që synojnë posaçërisht disa nga efektet e humbjes së shpejtë të peshës.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Nicolas Hieronimus, tha se tregu i bukurisë po tregon qëndrueshmëri në një kontekst sfidues global, ndërsa përdorimi i barnave GLP-1 përbën një fenomen të rëndësishëm për industrinë.

Gjatë një telefonate me investitorët, ai theksoi se rritja e përdorimit të këtyre barnave po ndikon në konsumin e produkteve të bukurisë, veçanërisht në segmentin e kujdesit për lëkurën.

L’Oréal, që zotëron marka të njohura si Maybelline dhe La Roche-Posay, njoftoi të enjten se shitjet në tre muajt deri në shtator u rritën me 7.7%, duke tejkaluar pritjet e analistëve.

Barnat GLP-1, të zhvilluara fillimisht për trajtimin e diabetit, si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro, kanë fituar popullaritet vitet e fundit për shkak të efektit të tyre në uljen e oreksit dhe humbjen e konsiderueshme të peshës.

Megjithatë, humbja e shpejtë e peshës mund të shoqërohet te disa persona me lëkurë të lirshme, përfshirë edhe në zonën e fytyrës.

Hieronimus tha se markat e L’Oréal, SkinCeuticals dhe Kiehl’s, ofrojnë produkte të projektuara për t’u përdorur krahas trajtimeve GLP-1, me synimin për të ndihmuar në përballimin e efekteve të lidhura me varjen e lëkurës dhe ndryshimet e tjera pas humbjes së shpejtë të peshës.

Kompania po zgjeron gjithashtu praninë në sektorin e estetikës klinike. Në dhjetor të vitit të kaluar, ajo rriti pjesëmarrjen në kompaninë dermatologjike Galderma në 20%.

Sipas Reuters, të dyja kompanitë kanë testuar produkte në prova të veçanta klinike te përdoruesit e GLP-1 që shqetësohen për lëkurën e lirshme.

Galderma zotëron produkte estetike të njohura, përfshirë Sculptra, një injeksion që synon të stimulojë prodhimin e kolagjenit, dhe Restylane, një mbushës dermal i injektueshëm.

Vitin e kaluar, kompania publikoi një raport mbi rritjen e përdorimit të barnave GLP-1 dhe shqetësimet për ndryshimet në pamjen e fytyrës. Sondazhi i saj me përdoruesit e këtyre barnave zbuloi se shumica dërrmuese kishin vënë re ndryshime në pamjen e fytyrës pas përdorimit të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë