Avokati i Popullit ka publikuar gjetjet paraprake nga monitorimi i protestës së 19 tetorit në Tiranë, duke evidentuar pretendime për dhunë policore, shkelje të procedurave për të miturit, kontrolle të telefonave celularë dhe mbingarkesë në ambientet e shoqërimit.
Sipas deklaratës, gjatë protestës policia ka shoqëruar 50 persona, 32 të rritur dhe 18 të mitur. Ndërkohë, në Bllokun e Sigurisë ndodheshin 109 persona të arrestuar, ndërsa në Spitalin e Traumës kanë marrë trajtim mjekësor 34 persona, mes tyre 21 punonjës policie, 7 protestues dhe 5 kalimtarë, sipas shifrave të raportuara.
Ekipet e Avokatit të Popullit kanë kontaktuar gjithsej 193 persona të ndaluar, të arrestuar ose të pranishëm në spital dhe kanë administruar 11 ankesa, 10 prej të cilave në Bllokun e Sigurisë.
Në Komisariatin nr. 1, pesë nga tetë të miturit e shoqëruar kanë pretenduar se janë dhunuar fizikisht dhe verbalisht nga punonjësit e policisë. Sipas deklaratës, dy prej tyre janë konstatuar shenja dëmtimi fizik. Një tjetër ankesë për dhunë ndaj një të mituri është regjistruar në Bllokun e Sigurisë.
Të rriturit e shoqëruar kanë pretenduar përdorim të sprajit me piper dhe gazit lotsjellës, goditje me bombola gazi, tërheqje zvarrë dhe dhunë fizike e psikologjike. Një person ka pretenduar se është goditur në një zyrë të Komisariatit nr. 4, ku, sipas raportimit, nuk ka kamera sigurie.
Gjithashtu, disa persona kanë deklaruar se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale pa vendim gjykate. Janë raportuar edhe raste të shoqërimit të personave që pretendojnë se kanë qenë kalimtarë të rastit, pa lidhje me protestën.
Monitorimi ka evidentuar se në Komisariatin nr. 1 të miturve nuk u ishte dhënë formulari i të drejtave në versionin për fëmijë, ndërsa gjashtë prej tyre ishin regjistruar në regjistrin e të rriturve. Mangësi në regjistrimin e të miturve janë konstatuar edhe në Komisariatin nr. 4. Po ashtu, në komisariatet nr. 2 dhe 4 janë evidentuar punonjës policie pa numra identifikues të dukshëm.
Avokati i Popullit ka ngritur shqetësime edhe për mbingarkesën në Bllokun e Sigurisë, ku ndodheshin 109 persona, duke përmendur mungesën e shtretërve, ujit, ngrohjes dhe kujdesit mjekësor.
Në përfundim të monitorimit, Avokati i Popullit kërkon identifikimin e detyrueshëm të punonjësve të policisë, uljen e menjëhershme të mbingarkesës në Bllokun e Sigurisë dhe vendosjen e kamerave në ambientet e shoqërimit dhe intervistimit, si dhe ruajtjen e pamjeve të 19 tetorit.
Institucionit të Policisë së Shtetit i kërkohet gjithashtu të mos kryejë kontrolle të telefonave apo të kërkojë fjalëkalime pa bazë ligjore, të garantojë praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut gjatë intervistimit të të miturve, si dhe të përmirësojë dokumentimin e shoqërimeve dhe kujdesin mjekësor.
Avokati i Popullit thekson se gjetjet janë paraprake dhe se hetimi administrativ vijon për rastet ku dyshohet për shkelje të të drejtave të njeriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje