Shpyllëzimi në Amazonën braziliane ka rënë në nivelin më të ulët që nga nisja e matjeve në vitin 1988, sipas të dhënave të reja qeveritare. Megjithatë, e ardhmja e pyllit tropikal mbetet e pasigurt, ndërsa Brazili përballet me një garë vendimtare presidenciale mes presidentit aktual Luiz Inácio Lula da Silva dhe Flávio Bolsonaro, djalit të ish-presidentit Jair Bolsonaro.
Sipas të dhënave satelitore të Institutit Kombëtar të Kërkimeve Hapësinore të Brazilit, sipërfaqja e shpyllëzuar në Amazonë ra me 41,8% gjatë vitit të fundit, duke arritur në 3 335 kilometra katrorë. Që nga viti 2022, niveli i shpyllëzimit është ulur me 71,2%, kryesisht falë forcimit të kontrolleve dhe investimeve në institucionet mjedisore.
Përparim është shënuar edhe në Cerrado, biomën fqinje të savanës, ku shpyllëzimi ka rënë me 48,4% gjatë katër viteve të fundit, duke arritur nivelin më të ulët vjetor që nga viti 2001.
Rezultatet përbëjnë një ndryshim të ndjeshëm krahasuar me periudhën e qeverisjes së Jair Bolsonaros, nga viti 2019 deri në vitin 2023, kur shpyllëzimi në Amazonë u rrit me 59,5%, mes kritikave për dobësimin e kontrolleve mjedisore dhe lehtësimin e veprimtarive nxjerrëse.
Megjithatë, mbrojtja e këtyre arritjeve varet nga drejtimi politik që do të marrë vendi. Lula e konsideron Amazonën një pasuri strategjike të Brazilit dhe një element thelbësor në luftën globale kundër ndryshimeve klimatike. Ndërsa Flávio Bolsonaro mbështetet te sektorë të lidhur me shfrytëzimin e tokës dhe burimeve natyrore, duke ngritur shqetësime mes organizatave mjedisore për të ardhmen e pyllit.
Dallimet mes kandidatëve shtrihen edhe te marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe mënyra se si Brazili do të menaxhojë pasuritë e tij natyrore.
Për organizatat mjedisore, shifrat e fundit dëshmojnë se frenimi i shpyllëzimit është i mundur, por ruajtja e këtij progresi kërkon vazhdimësi politike.
Marcio Astrini, sekretar ekzekutiv i organizatës Climate Observatory, paralajmëroi se rezultati i zgjedhjeve do të jetë vendimtar: Brazili duhet të zgjedhë mes vazhdimit të përpjekjeve për t’i dhënë fund shpyllëzimit dhe rrezikut të humbjes së pyjeve të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje