Shendet

Sëmundjet autoimune, grave u thuhet se simptomat janë psikologjike

Një studim nga Universiteti i Kembrixhit dhe Universiteti i Anglisë Lindore zbulon pabarazi gjinore në diagnostikimin e sëmundjeve autoimune, me gratë që përballen më shpesh me diagnoza të gabuara dhe vonesa në trajtim.

Gratë me sëmundje autoimune kanë 74% më shumë gjasa se burrat që simptomat e tyre të diagnostikohen gabimisht si psikosomatike, ndërsa kanë gjithashtu më shumë gjasa t’u atribuohen shkaqe psikiatrike, sipas një studimi të publikuar në revistën The Lancet.

Hulumtimi përfshiu më shumë se 6 600 persona me sëmundje autoimune, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar. Rezultatet treguan se 43% e grave raportuan se gjendja e tyre ishte lidhur me shkaqe psikiatrike, krahasuar me 33% të burrave. Ndërkohë, 34% e grave thanë se simptomat u ishin konsideruar psikosomatike, kundrejt 22% të burrave.

Studimi zbuloi gjithashtu se gratë përballeshin me pritje më të gjata për të marrë një diagnozë. Ndërsa burrat raportuan më shpesh se diagnostikoheshin brenda më pak se tre muajve, për gratë periudha më e zakonshme ishte nga një deri në dy vjet.

Sëmundjet autoimune ndodhin kur sistemi imunitar sulmon gabimisht indet e shëndetshme të trupit. Ato mund të shkaktojnë simptoma të ndryshme, si lodhje të vazhdueshme, dhimbje muskujsh e kyçesh dhe skuqje të lëkurës, çka mund ta vështirësojë diagnostikimin.

Sipas autores kryesore të studimit, Melanie Sloan, diagnozat e gabuara mund të kenë pasoja afatgjata për shëndetin emocional të pacienteve dhe besimin e tyre te mjekët.

Studiuesit theksojnë se paragjykimet gjinore në mjekësi mund të ndikojnë në mënyrën se si vlerësohen simptomat, duke bërë që ankesat e grave të konsiderohen më lehtë si emocionale ose psikologjike.

Ata nënvizojnë se simptomat nuk duhet të atribuohen automatikisht stresit apo ankthit vetëm sepse shkaku i tyre nuk është menjëherë i dukshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë