Sociale

Lumturia mund të mësohet…

Kërkoni gëzim te gjërat e zakonshme. Kërkojeni atë në çdo aktivitet që po kryeni aktualisht. Mund të jetë një shëtitje në lagjen tuaj, udhëtimi me tren, shijimi i aromës dhe shijes së kafesë apo çajit të mëngjesit, apo edhe thjesht ndjesia e mungesës së dhimbjes në trup, një vetëdijesim që pothuajse askush nuk e vëren. Po, ka shumë gjëra që nuk shkojnë mirë në botë, por nëse e trajnoni vëmendjen tuaj që të gjejë të kundërtën sa herë që e kapni veten duke u përqendruar te gjërat negative, mund ta përmirësoni jetën tuaj.

Është e lehtë të përqendrohesh te ajo që nuk shkon, që është jashtë vendit, e papërsosur ose që mungon. Në fakt, kjo duket se është e ngulitur thellë në natyrën tonë, duke e pasur zanafillën te përvojat më të hershme të njerëzimit për mbijetesë.

Ndër shekuj, ne jemi bërë ekspertë në identifikimin e gjërave që mund të shkojnë keq, ose në kujtimin e atyre që kanë shkuar keq, si një mënyrë për të shmangur katastrofën. Kjo ishte një aftësi thelbësore për mbijetesën e paraardhësve tanë që jetonin në shpella.

Ata që mund ta parashikonin skenarin më të keq kishin më shumë gjasa të mbijetonin sesa optimistët që nuk e bënin këtë. Prirja jonë për të dalluar rreziqet e mundshme ka ende dobi edhe sot. Megjithatë, përqendrimi ynë te aspektet negative mund të na pengojë lehtësisht të shohim atë që është e drejtë, e mirë dhe e këndshme.

Ruajtja e mendimeve dhe emocioneve pozitive është një sfidë që ia vlen mundi. Por kjo nuk ndodh vetvetiu, pasi përvojat me nuanca negative duket se nguliten lehtësisht në kujtesën tonë, ndërsa ato pozitive priren të zbehen e të harrohen shpejt.

Kështu ka evoluar truri ynë!

Nuk ka dy individë që, edhe nëse ndodhen në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, përjetojnë të njëjtën gjë. Faktorët personalë si mosha, vendlindja, prejardhja kulturore dhe faza e jetës luajnë rol në përvojën tuaj të brendshme ndërsa eksploroni botën e jashtme. Por edhe kur njerëzit krahasohen dhe përputhen në këto karakteristika, ajo që unë do ta quaja faktori i “pozitivitetit” mund të çojë në mënyra të ndryshme të vëzhgimit të çdo udhëtimi jetësor dhe të kujtimit të tij më vonë.

 Nëse keni një rrjedhë të vazhdueshme mendimesh dhe ndjenjash negative ose plot frikë, që qëndrojnë paksa nën sipërfaqen e vetëdijes, nuk jeni të vetmit.

Evolucioni i ka bërë disa prej nesh aq të shkathët në krijimin e këtyre copëzave pesimizmi, saqë mezi i vëmë re.

Herë pas here, përpiquni të kapni një mendim negativ dhe të ndërhyni me një mendim të kundërt: shpresë, mirënjohje ose kënaqësi. Nuk ka nevojë ta trilloni atë.

Thjesht shikoni përreth për diçka që mund ta vlerësoni, qoftë edhe diçka të vogël që përndryshe mund ta anashkalonit- si për shembull, fakti që trafiku ishte i rrallë gjatë rrugës për në punë këtë mëngjes, ose që u zgjuat sot pa dhimbje shpine!

Mundësitë për të kremtuar të mirat na rrethojnë. Zgjedhja juaj muzikore mund të jetë krejt ndryshe, ose mund të preferoni madje heshtjen! Shpeshherë nuk e dëgjoj muzikën, pasi shpërqendrohem nga çdo gjë tjetër që më zë mendjen.

Më duhet të zgjedh me vetëdije ta dëgjoj atë; atëherë përfshihem plotësisht dhe mbushem me një ndjesi pozitiviteti.

Duhet ta bëj këtë më shpesh dhe gjithashtu të përpiqem t’i kujtoj tingujt magjepsës që sapo dëgjova- në këtë mënyrë, ato do të nguliten më mirë në kujtesën time.

Mos harroni, është më e vështirë të rikujtosh dhe të mbash në mendje gjërat e mira. Për këtë, mund të falënderoni ose të fajësoni historinë tuaj evolucionare dhe paraardhësit tuaj që mbijetuan.

Por, mbajtja e një qëndrimi pozitiv çon në një ndjesi lumturie më të madhe; kjo përmirëson gjendjen shpirtërore dhe madje mund të normalizojë presionin e gjakut.

Hulumtimet mbi lumturinë mbështesin fuqimisht përpjekjet për të rritur nivelin tuaj të lumturisë. Pavarësisht nga stili i personalitetit, historia familjare apo temperamenti i lindur, lumturia është diçka që mund të mësohet.

Ajo është një nga të paktat cilësi që njerëzit mund t’i zhvillojnë përmes praktikës. Pikërisht ky koncept çoi në lindjen e lëvizjes së “psikologjisë pozitive”, të iniciuar nga psikologu Martin Seligman përmes kërkimeve të tij universitare në vitet ’90 dhe, më vonë, përmes librit të tij ‘Authentic Happiness’ (Lumturia Autentike).

Seligman dëshironte të largohej nga përqendrimi i ngushtë te sëmundjet mendore dhe patologjia, për ta zhvendosur vëmendjen te ana pozitive e spektrit të shëndetit mendor; ai synonte të fokusohej te tiparet pozitive që zotërojmë tashmë dhe të na mësonte se si t’i forconim ato.

Aftësia për të gjetur anën pozitive dhe për ta vlerësuar atë është diçka e arritshme për këdo. Mblidhini këto momente në kujtesën tuaj sapo t’i përjetoni dhe rikujtojini ato më vonë.

Kjo është një strategji terapeutike e mirëstudiuar për menaxhimin e depresionit. Dhe ju mund ta vini në zbatim menjëherë, duke kërkuar diçka që u sjell kënaqësi shqisave tuaja në mjedisin që ju rrethon në këtë çast.

Hidhni një vështrim përreth. Ndoshta është fotografia e një njeriu të dashur? Ndoshta është karta e ditëlindjes nga një mik i shtrenjtë, e vendosur mbi tavolinën pranë jush? Ndoshta është zogu i ulur në degën e pemës jashtë dritares suaj? Ndoshta është shija që mbetet pas një pijeje të ngrohtë apo të ftohtë që sapo keni pirë, së bashku me kujtimet pozitive që ajo sjell me vete? Mundësitë për të përjetuar kënaqësi gjenden kudo. Thjesht duhet t’i dalloni ato mes rrëmujës së brendshme dhe asaj të jashtme.

*Shkruar nga Francine Toder, Ph.D., pedagoge emerite në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në Sacramento dhe psikologe klinike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë