Bota

Meloni regjistron zërin si markë në BE për t’u mbrojtur nga audiot e rreme

“Unë jam Giorgia Meloni!” Kryeministrja italiane ka ndërmarrë një hap të pazakontë për t’u mbrojtur nga teknologjia e inteligjencës artificiale. Ajo ka depozituar zyrtarisht timbrin e zërit pranë Zyrës së Bashkimit Evropian për Pronësinë Intelektuale (EUIPO), me qëllim që askush të mos mund ta përdorë për të krijuar audio apo video të rreme ku duket sikur flet ajo.

Meloni kishte paralajmëruar edhe më herët për rrezikun e këtyre teknologjive. Në muajin maj ajo publikoi një fotografi të manipuluar me inteligjencë artificiale, ku shfaqej me të brendshme, e cila u përdor në rrjetet sociale për ta diskredituar. Në atë rast deklaroi se “deepfake”, pra përmbajtjet e rreme të krijuara me inteligjencë artificiale që imitojnë fytyrën ose zërin e një personi, janë një mjet i rrezikshëm që mund të mashtrojë, manipulojë dhe të godasë këdo.

“Unë mund të mbrohem. Shumë të tjerë jo”, ishte mesazhi i saj.

Sipas Palazzo Chigi, regjistrimi i një marke zanore në Bashkimin Evropian i jep pronarit të drejtën ekskluzive për përdorimin e atij zëri në të 27 vendet anëtare. Kjo synon të pengojë përdorimin e zërit të saj të falsifikuar nga inteligjenca artificiale për mashtrime financiare, manipulime politike apo edhe qëllime diplomatike.

Në bazën e të dhënave të EUIPO rezulton se kërkesa e Melonit, e paraqitur përmes një studioje ligjore në Romë dhe një kompanie të specializuar në mbrojtjen e pronësisë intelektuale, është ende në fazën e shqyrtimit. Regjistrimi lidhet me tre kategori shërbimesh, që përfshijnë përmbajtje multimediale të shkarkueshme, aktivitete kulturore dhe organizimin e veprimtarive politike.

Meloni nuk është figura e parë publike që ndjek këtë rrugë. Më herët kanë regjistruar zërin e tyre edhe aktori i njohur i dublimit Luca Ward, i famshëm si zëri italian i Russell Crowe, si dhe këngëtarja Giusy Ferreri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë