Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq administratorin, kryetaren dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit (FAF sh.a.).
Pas mbylljes së hetimeve nga prokuroria, I.M., A.K., Ll.P., D.Q., A.C., M..L., O.D. dhe E.Xh janë akuzuar për shpërdorim detyre.
Në qendër të hetimeve është edhe blerja e një automjeti nga FAF sh.a. për 1.6 milionë lekë me TVSH. Sipas Prokurorisë, procedura është kryer pa miratimin e ministrit të Financave të asaj kohe, ndërsa në dosjen e tenderit mungonte argumentimi i kritereve të veçanta të kualifikimit.
Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se automjeti i blerë nga shoqëria kishte qenë më parë në pronësi të I.M., kryetare e Këshillit Mbikëqyrës të FAF sh.a. dhe ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas vendimit të asamblesë, automjeti i ri do të zëvendësonte punën e gjashtë mjeteve. Prokuroria arriti në përfundimin se një automjet i vetëm nuk mund të mbulonte nevojat e 30 degëve të shoqërisë në 30 rrethe të vendit.
Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF Sh.a është Subjekt Financiar Jobankë që jep kredi direkt të Individëve dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje