Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti amerikan Donald Trump deklaroise Rusia nuk do të sulmojë territorin e vendeve anëtare të NATO-s, duke hedhur poshtë raportet se Uashingtoni është i shqetësuar për një përshkallëzim të mundshëm rus në Evropë.
Deklarata e Trump vjen dy ditë pasi drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, zhvilloi një vizitë të pazakontë në Moskë, ku u takua me zyrtarë të shërbimeve ruse të inteligjencës.
I pyetur nëse presidenti rus Vladimir Putin i kishte dhënë garanci se Rusia nuk do të sulmonte vendet e NATO-s, Trump u përgjigj: “Kam pasur bisedime të mira me të. Ai nuk do të sulmojë territorin e NATO-s.”
Trump nuk pranoi të komentonte nëse Ratcliffe kishte shkuar në Moskë për t’i përcjellë Rusisë një paralajmërim të tillë. “Nuk dua të komentoj për këtë, por ata nuk do të sulmojnë”, tha ai.
Presidenti amerikan minimizoi gjithashtu rëndësinë e vizitës së shefit të CIA-s në Moskë, duke thënë se bisedimet kishin të bënin kryesisht me luftën në Ukrainë. Ai mohoi raportet se Ratcliffe kishte diskutuar me palën ruse çështjen e NATO-s apo fushatën amerikane kundër Iranit.
“Është një mision pak a shumë rutinë. E di që kjo mund t’i zhgënjejë disa njerëz, por ne duam që lufta në Ukrainë të përfundojë”, tha Trump në një intervistë me prezantuesin konservator Glenn Beck.
Kremlini: “Histori për të frikësuar njerëzit”
Edhe Kremlini ka mohuar raportet se Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cilësoi këto raportime si “histori për të frikësuar njerëzit”, duke thënë se ato “nuk kanë lidhje me realitetin”.
Ndërkohë, kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme ruse, Sergei Naryshkin, konfirmoi se takimi me homologun amerikan kishte ndodhur, por tha se nuk kishte pasur “asgjë të pazakontë”. Sipas tij, të dyja palët diskutuan një sërë çështjesh që lidhen me veprimtarinë e shërbimeve të inteligjencës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje