Bota

Vdes në burg ‘Kasapi i Bosnjës’ dhe krimineli serb i luftës, Ratko Mladić

Gazeta Si – Ratko Mladić, ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës i dënuar për krime lufte, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare në një spital burgu në Hagë, pas disa goditjeve në tru. Këtë e raportoi transmetuesi shtetëror serb, RTS.

Mladić njihej me nofkën “Kasapi i Bosnjës” për shkak të rolit të tij në masakrën e Srebrenicës të vitit 1995, një nga episodet më të tmerrshme të luftës në Ballkan.

Masakra në Srebrenicë ishte kulmi i një lufte që kishte zgjatur më shumë se tre vjet, në të cilën gjenerali e godiste kryeqytetin e rrethuar Sarajevën çdo ditë me artileri, tanke, mortaja dhe mitralozë të rëndë të ushtrisë së tij nacionaliste serbe, duke vrarë 10 000 njerëz.

Mlladiç ka qenë i dënuar përjetë pasi është shpallur fajtor për gjenocid, 5 akuza për krime kundër njerëzimit dhe 4 akuza për krime lufte në Hagë në vitin 2017, më shumë se 20 vite pasi ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë.

Familjarët e tij kishin kërkuar lirimin për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore, por autoritetet kanë refuzuar vazhdimisht.

Sipas familjes gjendja e tij ishte përkeqësuar në mënyrë të pakthyeshme. Djali i tij, Darko Mlladiç , tha se javët e fundit i ati pothuajse nuk fliste më.

Sipas tij, mjekët i kishin nisur trajtimin me fentanil, një opioid i fuqishëm që përdoret për lehtësimin e dhimbjeve të forta, ndërsa qëndrimi i gjatë në shtrat i kishte shkaktuar plagë në trup.

Familja pretendon se gjithçka nisi më 10 prill, kur Mlladiç pësoi goditjen e parë në tru. Sipas Darkos, mjekët nuk e diagnostikuan siç duhej dhe një muaj më vonë ai pësoi edhe një goditje të dytë, e cila ia përkeqësoi gjendjen. Prej gushtit të vitit 2024, ai nuk ishte ngritur më në këmbë dhe lëvizte vetëm me karrocë.

Darko Mlladiç tha se babai i tij vuante gjithashtu nga probleme me zemrën, veshkat dhe diabeti. Sipas tij, mjekët e kishin njoftuar familjen se ai mund të vdiste brenda pak ditësh, ndaj u bë edhe një kërkesë e fundit për lirimin e tij për arsye humanitare. Kërkesa u refuzua.

Ratko Mlladiç vdiq në moshën 84-vjeçare, duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë.

Gjykata e shpalli fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke e mbajtur përgjegjës për vrasjen e mbi 8 mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë, si edhe për rrethimin e Sarajevës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë