Bota

Shefi i CIA-s shkoi në Moskë për të paralajmëruar Rusinë të mos sulmojë NATO-n!

Gazeta Si – Duke iu referuar burimeve të saj anonime, “Wall Street Journal” raportoi se vizita e shkurtër dhe e papritur e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë të martën, kishte për qëllim të shkurajonte Rusinë nga sulmet ndaj vendeve të NATO-s – veçanërisht atyre në rajonin baltik – në të ardhmen.

Edhe faqja “Politico” dha të njëjtin informacion, duke u mbështetur gjithashtu në burime anonime. NATO është aleanca ushtarake e udhëhequr nga SHBA-ja, e cila përfshin shumicën e vendeve perëndimore.

Shërbimet e inteligjencës amerikane vlerësojnë se, i frustruar nga ngërçi në Ukrainë, regjimi rus mund ta zgjerojë fushatën e tij aktuale të sabotimit dhe inkursioneve me dronë nëpër Evropë, apo edhe të ndërmarrë një sulm të drejtpërdrejtë – ndonëse të kufizuar – për të testuar reagimin e mundshëm të NATO-s.

Traktati i aleancës përcakton se një sulm ndaj cilitdo shtet anëtar konsiderohet si sulm ndaj NATO-s në tërësi, duke i detyruar anëtarët e tjerë t’i vijnë në ndihmë (ndonëse jo domosdoshmërisht përmes ndërhyrjes ushtarake).

Të mërkurën, në një intervistë për një podkast konservator, presidenti Donald Trump e minimizoi rëndësinë e udhëtimit të Ratcliffe-it, duke e cilësuar atë si “gjysmë-rutinë”.

Trump deklaroi se udhëtimi lidhej në njëfarë mënyre me luftën në Ukrainë: “Mund të dalë diçka prej tij. Ne po punojmë fort për t’i dhënë fund luftës dhe, sinqerisht, në këtë pikë, të dyja [vendet] duan ta shohin atë të përfundojë”. Me sa dihet, negociatat kanë ngecur prej muajsh.

Zëdhënësi i regjimit rus, Dmitry Peskov, tha se Ratcliffe u takua me zyrtarë të sigurisë, por jo me Presidentin Vladimir Putin, ndonëse ky i fundit u informua mbi bisedimet.

Kohëzgjatja e shkurtër e vizitës – e cila zgjati vetëm pak orë – dhe fakti që ajo nuk ishte vërtet sekrete (avioni Boeing C-17A i Forcave Ajrore që përdori Ratcliffe mund të gjurmohej në faqet e internetit që monitorojnë fluturimet), kishin bërë që ekspertët e inteligjencës të spekulonin se udhëtimi kishte për qëllim përcjelljen e një mesazhi dhe jo nisjen e negociatave.

Ka arsye të ndryshme që mund të shpjegojnë pse vizita u zhvillua pikërisht në këtë kohë: ndër to, shterimi i rezervave të armëve amerikane për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe mundësia e një mobilizimi të ri rus pas zgjedhjeve legjislative të 18-20 shtatorit.

Ish-diplomati britanik në Moskë, John Foreman, i tha BBC-së se “zakonisht, amerikanët nuk dërgojnë zyrtarë të tillë të nivelit të lartë në Moskë pa paralajmërim, përveç rasteve kur po ndodh diçka specifike”.

Vizita e së martës ishte udhëtimi i parë i njohur i Ratcliffe-it në Rusi. Vizita e fundit e një drejtori të CIA-s gjatë presidencës së Joe Bidenit u zhvillua vetëm pak muaj para se të fillonte lufta: në nëntor të vitit 2021, William Burns shkoi në Moskë për të tentuar – pa sukses – ta bindte regjimin që të mos e sulmonte Ukrainën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë