Ka ndodhur

Sherr në një lokal në Tiranë, 37-vjeçari godet një person me qytën e pistoletës

Gazeta Si – Një konflikt mes dy personave në Laprakë përfundoi me arrestimin e një 37-vjeçari, pasi dyshohet se ka përdorur një pistoletë që e mbante pa leje për të goditur një 47-vjeçar.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 24 gushtit, rreth orës 21:45, në rrugën “Eshref Frashëri”. Pas marrjes së njoftimit për konfliktin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, mbërritën në vendngjarje dhe ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Sipas hetimeve paraprake, 37-vjeçari I. K., banues në Krujë, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me qytën e pistoletës 47-vjeçarin A. M., banues në Laprakë, Tiranë.

Gjatë veprimeve policore u sekuestrua arma e zjarrit, së bashku me krehrin dhe fishekët. 37-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për veprat penale që lidhen me ngjarjen dhe mbajtjen pa leje të armës. Ndërkohë, 47-vjeçari është proceduar në gjendje të lirë për “Moskallëzim të krimit”.

Policia njofton se po punon për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe motivet që çuan në përplasjen mes personave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë