Gazeta Si – Lazër Bashi, i plagosuri, i cili arriti t’i mbijetojë atentatit të rëndë në Dukagjin, ku u vranë babë e bir, Prelë dhe Lekë Gjoni, ka treguar momentet e sulmit me armë zjarri.
Ai rrëfen se arriti të dilte nga automjeti i bërë shoshë nga plumbat dhe të ecte rreth dy kilometra në terren të vështirë malor për të kërkuar ndihmë.
Bashi, i cili ndodhej në pjesën e pasme të automjetit bashkë me dy viktimat, u qëllua gjatë breshërisë së plumbave dhe mbeti i plagosur në shpatull.
Në momentin e sulmit, ai është shtrirë në makinë, duke tentuar t’u shpëtonte plumbave. Pasi autorët janë larguar, Bashi ka qëndruar për disa minuta i fshehur brenda automjetit, derisa është siguruar se nuk kishte më rrezik.
Automjeti kishte humbur kontrollin dhe kishte përfunduar i kthyer në njërën anë. I plagosuri arriti të dilte prej tij dhe mori me vete telefonin, me qëllim që të kërkonte ndihmë.
Por zona malore ku ndodhi atentati nuk kishte sinjal telefonik. Për këtë arsye, Bashi u detyrua të nisej në këmbë në terren të vështirë, duke përshkuar rreth dy kilometra për afro 40 minuta, deri sa arriti të gjente ndihmë.
I plagosur dhe duke humbur gjak, ai ka nisur të ecë në terrenin e vështirë malor, derisa ka mbërritur në një lokal pranë kryqëzimit ku rruga e Pultit lidhet me atë të Shoshit.
Nga aty, Bashi ka mundur të telefonojë një të afërm, të cilit i ka treguar për atentatin dhe se Prelë e Lekë Gjoni kishin mbetur të vrarë në vend.
Në pritje të ndihmës, ai ka pastruar në një çezmë pranë lokalit gjakun që i rridhte nga plaga. Më pas është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut, Bashi është dërguar më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas dëshmisë së tij, autorët kanë qëlluar me dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një MP5. Në vendngjarje janë gjetur mbi 50 gëzhoja.
Dëshmia e të mbijetuarit pritet të ndihmojë grupin hetimor në zbardhjen e dinamikës së atentatit dhe identifikimin e autorëve, të cilët ende nuk janë bërë të ditur.
Një nga pistat që po hetohet është ajo e hakmarrjes, e lidhur me një ngjarje të ndodhur vite më parë. Megjithatë, grupi hetimor po verifikon edhe pista të tjera.
Mes tyre po hetohet edhe mundësia e konflikteve që mund të lidhen me parcelat e kanabisit në zonë, ndonëse deri tani nuk ka të dhëna konkrete që viktimat të kenë qenë të përfshira në veprimtari të tilla.
Gjithashtu, grupi hetimor po verifikon nëse divorci i Lekë Gjonit, rreth tre muaj më parë, mund të ketë ndonjë lidhje me ngjarjen. Megjithatë, familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për konflikte të kohëve të fundit që mund të çonin në atentatin e rëndë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje