Ka ndodhur

Vrasja e dyfishtë në Dukagjin, babë e bir u ekzekutuan me rreth 50 plumba kallashnikovi

Gazeta Si – Lekë dhe Prel Gjoni (57 vjeç 82 vjeç), babë e bir, u ekzekutuan në Mgull të Dukagjinit pasditen e të dielës me mbi 50 plumba kallashnikovi drejt drejt fuoristradës ku udhëtonin.

Autorët dyshohet se janë larguar me një automjet fuoristradë, ndërsa disa kilometra larg vendit të ngjarjes është gjetur një makinë e djegur, e cila dyshohet se mund të jetë përdorur prej tyre.

Dy viktimat po ktheheshin nga shtëpia e vjetër në Dukagjin drejt Shkodrës, kur ende pa dalë nga rruga e fshatit Xhan, dy persona ende të paidentifikuar qëlluan në drejtim të tyre duke lënë të vdekur babë e bir dhe duke plagosur një tjetër.

I plagosuri u dërgua në spitalin e Shkodrës dhe më pas drejt Tiranës për mjekim të specializuar, ndërsa ndodhet në gjendje jashtë rrezikut për jetën. Lazër Bashi i shpëtoi mrekullisht këtij atentati ndërsa ndodhej në pjesën e pasme të fuoristradës.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën dhjetëra forca policie dhe efektivët e RENEA duke nisur kontrolle në zonë për identifikimin e më pas gjetjen dhe kapjen e autorëve.

Policia ka konstatuar në vendngjarje mbi 50 gëzhoja plumbash ndërsa janë përdorur dy armë, një automatik kallashnikov dhe një MP5 duke konfirmuar se të paktën dy persona kanë qëlluar në drejtim të fuoristadës ku ndodheshin dy viktimat.

Të afërmit e viktimave kanë treguar për policinë se Prelë dhe Lekë Gjoni nuk kishin konflikte dhe sipas tyre nuk kanë asnjë ide se kush mund të jenë autorët e vrasjes.

Familjarët konfirmuan se një ditë para vrasjes babë e bir kishin shkuar në banesën e vjetër, ku mbajnë disa bletë dhe se po ktheheshin normalisht drejt Grudës në Shkodër ku banojnë.

Dyshimet momentale të policisë për këtë vrasje janë te divorci i 57-vjeçarit tre muaj më parë me bashkëshorten e tij, me të cilën ka 4 fëmijë.

Megjithatë ende nuk ka prova konkrete që e lidhin vrasjen me divorcin, por kjo është pista ku grupi hetimor është fokusuar menjëherë pas vrasjes së dyfishtë.

Lekë Gjoni punonte me një kamion dhe ditët e fundit kishte ngarkuar materiale ndërtimi për një banesë në fshatin Gjuraj të Dukagjinit dhe po ashtu kishte edhe një eskavator bashkë me një shtetas tjetër të zonës që po ashtu punonin. Për policinë nuk njihej si person problematik, ndërsa nuk ka informacione për konflikte të jashtme të mundshme.

Policia vijon hetimet bashkë me prokurorinë për zbardhjen e plotë të ngjarjes ndërsa lidhja e provave me autorët e mundshëm mbetet e vështirë për shkak të terrenit të thyer malor, mungesës së sinjalit telefonik atje dhe faktit që rrugët dhe pyjet nuk kanë monitorim nga kamera sigurie.

Ngjarja mendohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, ndërsa policia mori njoftim për vrasjen në orën 17:20 pas një telefonate nga banorët e zonës për ngjarjen e rëndë.

Në vendngjarje efektivët mbërritën rreth orës 19:00 për shkak të largësisë duke i dhënë kohë autorëve mjaftueshëm që të largohen pa lënë gjurmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë