Analize

Trump po provon një qasje të re në luftën me Iranin

Nga Gazeta ‘Si’- Pas javësh përpjekjesh për të nxitur një marrëveshje me Iranin, Presidenti amerikan Donald Trump duket se po ndryshon strategji. Të martën, ai urdhëroi ekipin e tij negociator të ndalojë bisedimet me Teheranin, ndërsa administrata amerikane po shqyrton një qasje më afatgjatë për të ushtruar presion mbi Iranin.

Sipas një zyrtari amerikan, Trump u ka kërkuar të dërguarve të tij të mos angazhohen më me Iranin. Ndërkohë, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë u kanë komunikuar aleatëve politikë se strategjia po kalon nga “godite Iranin sa më shpejt” te “mbyti ekonomikisht me kalimin e kohës”.

Ndryshimi vjen pasi përpjekjet për të rinisur diplomacinë kanë mbetur në vendnumëro. Ndryshe nga deklaratat e mëparshme, kur Trump pretendonte se negociatat po përparonin dhe një marrëveshje ishte pranë, të martën ai deklaroi se nuk ka aktualisht asnjë bisedim me Iranin.

“Me Republikën Islamike të Iranit nuk po zhvillohen dhe nuk janë planifikuar bisedime apo komunikime”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Megjithatë, situata në terren nuk përputhet plotësisht me deklaratën e presidentit. Trafiku përmes ngushticës së Hormuzit vijon në nivele minimale dhe anijet që përshkojnë këtë rrugë strategjike vazhdojnë të përballen me sulme nga Irani.

Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një nga pikat qendrore të konfliktit. Trump kërkon rikthimin e qarkullimit të lirë të anijeve, siç ishte përpara luftës, ndërsa një marrëveshje që po diskutohet mes Iranit dhe Omanit mund t’u japë të dyja vendeve një rol më të madh në menaxhimin e trafikut detar.

Kjo marrëveshje ka shkaktuar shqetësim në Shtëpinë e Bardhë. Disa zyrtarë amerikanë besojnë se propozimi mund të forcojë kontrollin e Iranit mbi ngushticën, ndërsa Trump është shprehur veçanërisht kundër çdo forme pagese apo tarife për anijet që kalojnë në këtë korridor ndërkombëtar.

Pak ditë përpara deklaratës së Trump, Jared Kushner kishte dhënë një vlerësim më optimist për kontaktet me Iranin. Ai tha se komunikimet ishin “ndoshta më intensive se kurrë”, duke shtuar se pala amerikane po komunikonte me persona të ndryshëm brenda regjimit iranian.

Irani, megjithatë, ka mohuar vazhdimisht se po zhvillon negociata të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara.

Presion ekonomik në vend të negociatave

Administrata Trump pritet të vendosë së shpejti sanksione të reja të ashpra ndaj Iranit, ndërsa zyrtarë amerikanë të mbrojtjes kanë deklaruar se forcat amerikane në rajon janë të gatshme të zbatojnë bllokadën ndaj porteve iraniane për një periudhë të pacaktuar.

Strategjia e Trump duket se bazohet te ideja se presioni ekonomik do ta detyrojë përfundimisht Teheranin të pranojë kushtet amerikane për përfundimin e luftës.

Por edhe Irani e sheh situatën nga e kundërta: zyrtarët iranianë besojnë se Trump është nën presion politik për t’i dhënë fund konfliktit.

Ndërkohë, presioni po rritet edhe brenda ushtrisë amerikane. Prania e zgjatur e trupave dhe mjeteve ushtarake amerikane në rajon, përfshirë aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, ka ngritur shqetësime për lodhjen e forcave dhe pajisjeve.

Trump ka pranuar gjithashtu se rezervat amerikane të municioneve më të avancuara nuk janë në nivelin që ai do të dëshironte pas gjashtë muajsh lufte.

Megjithatë, presidenti amerikan deri tani i ka rezistuar thirrjeve, përfshirë nga republikanë, për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit, duke këmbëngulur se nuk është nën presionin e kohës.

Në një tjetër postim të martën, Trump publikoi një hartë të ngushticës së Hormuzit, mbi të cilën shkruhej “Territor i SHBA-së”-një deklaratë që nuk lë të kuptohet se administrata amerikane po planifikon të tërheqë së shpejti forcat nga rajoni/ CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë