Bota

Trump shpall “luftë ekonomike” ndaj Iranit, paralajmëron izolim të paprecedentë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar një ofensivë të re ekonomike ndaj Iranit, duke e cilësuar atë si operacionin më të ashpër ekonomik të ndërmarrë ndonjëherë kundër një vendi.

Përmes një deklarate në rrjetin e tij social Truth Social, Trump tha se SHBA-ja do të vendosë një nivel të paprecedentë presioni ekonomik dhe izolimi ndaj Teheranit. Ai e përshkroi nismën si një “luftë ekonomike” dhe paralajmëroi pasoja të rënda për vendet apo subjektet që do të vazhdojnë të mbështesin Iranin.

Trump paralajmëroi veçanërisht institucionet financiare, bizneset, aeroportet dhe strukturat shtetërore të vendeve të tjera që mund t’i ofrojnë Iranit mbështetje ekonomike. Sipas tij, çdo përpjekje për t’i siguruar Teheranit një “linjë shpëtimi” do të përballet me pasoja të mëdha ekonomike.

Presidenti amerikan ka kërkuar gjithashtu ndalimin e aktiviteteve që lidhen me kontrabandën e naftës, transfertat financiare, këmbimet valutore, regjistrimin e anijeve dhe përdorimin e kompanive ndërmjetëse për të shmangur sanksionet.

Nga ana tjetër, reagimi nga Irani ka qenë i menjëhershëm. Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, deklaratat e Trump për një “luftë ekonomike” janë thjesht vazhdim i fushatës së mëparshme amerikane të “presionit maksimal”, të cilën Teherani e konsideron të dështuar.

Tasnim i ka cilësuar deklaratat e presidentit amerikan si “të bujshme dhe të ekzagjeruara”, duke sinjalizuar se Irani nuk duket i gatshëm të dorëzohet përballë presionit të ri ekonomik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë