Futboll

Holanda i befason të gjithë, zgjedh Xavi-n për drejtimin e kombëtares

Gazeta Si – Holanda ka bërë një zgjedhje të befasishme për stolin e përfaqësueses, duke emëruar spanjollin Xavi Hernandez si trajnerin e ri të kombëtares.

Ish-mesfushori i Barcelonës do të marrë drejtimin e “Tulipanëve” pas largimit të Ronald Kuman, duke nisur një kapitull të ri për përfaqësuesen holandeze.

Xavi, 46 vjeç, rikthehet në pankinë pas një periudhe pushimi që prej largimit nga Barcelona në vitin 2024, ku mbylli aventurën e tij pas tre sezonesh në drejtimin e skuadrës katalanase.

Tashmë, për të nis një sfidë krejtësisht e re, pasi për herë të parë do të drejtojë një kombëtare. Emërimi i Xavit është gjithashtu interesant për shkak të filozofisë së tij të futbollit.

I formuar në akademinë e Barcelonës dhe i ndikuar nga ideja e lojës së bazuar te posedimi, qarkullimi i topit dhe futbolli ofensiv, ai pritet të përpiqet t’i japë Holandës një identitet të qartë dhe më modern në fushë.

Pikërisht këtë filozofi ai e përmend në fjalët e para si trajner i tulipanëve. “E konsideroj një nder të jashtëzakonshëm të bëhem trajner i ekipit kombëtar holandez. Si dikush që është stërvitur në akademinë e Barcelonës, me ndikime të forta nga Johan Krujf dhe Rinus Mishels ndër të tjerë, ndiej një lidhje të veçantë me futbollin holandez. Mund të thuash se jam paksa bir i futbollit holandez. Trajnerë të tjerë të shkëlqyer, veçanërisht Luis van Gal, nën drejtimin e të cilit debutova në Barcelonë dhe Frank Rajkard, gjithashtu luajtën një rol të rëndësishëm në formësimin tim si lojtar dhe trajner”, tha Xavi.

Për Xavin, kjo është një mundësi e rëndësishme për të rikthyer emrin e tij në skenën e madhe të trajningut, ndërsa për tulipanët nis një epokë e re me objektiva ambiciozë, me një trajner joholandez pas 48 vitesh.

Debutimi i tij në stol do të jetë kundër Gjermanisë në Ligën e Kombeve, më 24 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë