Gazeta Si – Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 20-vjeçarin Kristjan Sterjo, i cili akuzohet për vrasjen e shokut të tij të fëmijërisë Johan Zukos.
Ai mbërriti në gjykatë këtë të mërkurë nën masa të rrepta sigurie, i akuzuar për veprën penale vrasje me paramendim si dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit.
Sipas burimeve brenda gjykatës, 20-vjeçari ka qenë i qetë gjatë gjithë seancës për caktimin e masës së sigurisë. Në përfundim të dëshmisë së tij, Sterjo ka deklaruar se është penduar për atë që ka bërë.
Ai ka treguar para gjykatës se mes tij dhe Johan Zukos kishte pasur konflikte edhe më herët, por ka mohuar se kishte shkuar drejt përballjes me qëllimin për ta vrarë.
Viktima Johan Zuko, ishte pjesë e Forcave të Armatosura. Para hetuesve, autori i dyshuar ka deklaruar se me Zukon ishte konfliktuar dy javë para vrasjes, për shkak se viktima i kishte ngacmuar një mikeshë të tij. Gjatë debatit midis të rinjve, 20-vjeçari e kishte goditur me shuplakë Zukon.
Sipas dëshmisë së 21-vjeçarit, të shtunën, rreth mesditës, ai kishte parë 20-vjeçarin që po kalonte me një automjet Mercedes-Benz, me ngjyrë të zezë dhe i ka folur, pasi donte të sqaronte konfliktin që kishin pasur.
Johan Zuko ka ndaluar automjetin dhe kur Sterjo është afruar pranë dritares së drejtuesit, ai pretendon se 20-vjeçari është përpjekur ta godasë me një thikë.
Madje, konflikti ka vijuar për disa minuta dhe Zuko, i ndihmuar nga një shok i tij që ishte me të, ka tentuar sërish ta godasë me thikë, duke e ofenduar rëndë, por disa persona që ndodheshin aty kanë ndërhyrë dhe i kanë ndarë të rinjtë.
Pas këtij sherri të ri, autori ka rrëfyer se në gjaknxehtësi e sipër ka shkuar në banesë dhe ka marrë një pushkë dhe është nisur në kërkim të Zukos.
E ka gjetur 20-vjeçarin pranë lagjes 14, ku ai banonte përballë një marketi. Sipas dëshmisë së Sterjos, viktima e ka sharë përsëri dhe është larguar me vrap.
21-vjeçari është vënë në ndjekje të tij dhe kur Johan Zuko ka hyrë në një pallat, Sterjo ka dëshmuar se ka qëlluar me armë në drejtim të tij, duke synuar nga ana e këmbëve dhe më pas është larguar në drejtim të lagjes së tij.
Kur ka mbërritur te Fusha e Drurëve, e ka fshehur armën duke e vendosur në disa shkurre. Pasi ka fshehur armën, ai ka shkuar në banesë, është ndërruar dhe rrobat që kishte veshur i ka futur në lavatriçe.
Pas kësaj, ka dalë nga banesa dhe ka qëndruar në një banesë të pabanuar që ndodhet pranë shtëpisë së tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje