Nga Gazeta ‘Si’- Një gjykatës në shtetin amerikan të Nju Meksikos ka urdhëruar kompaninë Meta, pronare e Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Threads, të paguajë edhe 567 milionë dollarë për mosparalajmërimin e publikut mbi rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët.
Ky është vendimi më i madh ndaj kompanisë për çështje që lidhen me sigurinë e të miturve.
Gjykatësi Bryan Biedscheid e cilësoi Metën si një “shqetësim publik”, duke e krahasuar me ndotjen e ajrit nga një fabrikë. Ai urdhëroi që fondet të përdoren për reduktimin e dëmeve të ardhshme të shkaktuara nga platformat e kompanisë.
Vendimi i së enjtes i shtohet një gjobe prej 375 milionë dollarësh që Meta ishte urdhëruar të paguante më herët në të njëjtën çështje, duke e çuar shumën totale në 942 milionë dollarë.
Gjykatësi e krahasoi Metën me një fabrikë, ku reklamat dhe përmbajtja janë “produkti”, ndërsa “dëmtimi psikologjik dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve” janë ndotja që duhet të eliminohet.
Meta reagoi duke deklaruar se nuk pajtohet me vendimin dhe se do ta apelojë atë.
“Punojmë fort për të mbajtur njerëzit të sigurt në platformat tona dhe kemi qenë transparentë për sfidat në identifikimin dhe heqjen e përmbajtjeve të dëmshme”, tha një zëdhënës i kompanisë.
Çështja në Nju Meksiko nisi nga një padi e vitit 2023, ku autoritetet e shtetit argumentuan se Meta duhet të mbante përgjegjësi për mënyrën se si platformat e saj ekspozonin fëmijët ndaj përmbajtjeve seksuale dhe kontakteve me persona të rrezikshëm.
Në fazën e parë të procesit, gjykata vendosi se Meta kishte shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin e Nju Meksikos për praktikat e padrejta, pasi algoritmet e rekomandimit të kompanisë i drejtonin përdoruesit e rinj drejt përmbajtjeve dhe kontakteve të dëmshme.
Në vendimin e dytë, gjykatësi tha se dëmet e shkaktuara nga platformat e Metës kishin arritur nivelin e një “shqetësimi publik”, pasi ndikimi i tyre nuk mbetej vetëm brenda platformave, por prekte shoqërinë më gjerë, përfshirë fëmijët, familjet, shkollat dhe institucionet shëndetësore.
Nga fondi prej 567 milionë dollarësh, rreth 420 milionë dollarë do të përdoren për trajtimin e pasojave të shkaktuara te të rinjtë, përmes programeve klinike dhe shërbimeve të shëndetit mendor. Pjesa tjetër do të shkojë për programe ndërgjegjësimi dhe trajnime për mësues, profesionistë shëndetësorë dhe komunitetin.
Gjykata urdhëroi gjithashtu një seri masash të reja ndaj Metës, mes tyre:
–të mos rekomandojë llogari të përdoruesve nën 18 vjeç tek të rriturit;
-të ndalojë kontaktet direkte mes të rriturve dhe përdoruesve të mitur në raste të caktuara;
-të ndalojë dërgimin ose marrjen e përmbajtjeve nudo nga përdoruesit nën moshë;
-të zbatojë një politikë “një shkelje” ndaj të rriturve të përfshirë në shfrytëzim seksual të fëmijëve.
Gjykatësi urdhëroi gjithashtu që Meta:
–të heqë numërimin e pëlqimeve (“like”) për përdoruesit nën 18 vjeç;
–të kufizojë njoftimet automatike gjatë orëve të natës dhe gjatë orarit tipik të shkollës;
–të vendosë një kufi përdorimi prej 90 orësh në muaj për përdoruesit nën 18 vjeç në Instagram dhe Facebook.
Meta aktualisht përballet me mijëra procese gjyqësore në SHBA-të për akuza të ngjashme. Javën e ardhshme pritet të nisë një tjetër proces i rëndësishëm në Kaliforni, ku afro 30 shtete amerikane kanë ngritur akuza ndaj kompanisë për shkelje të ligjeve që mbrojnë privatësinë e fëmijëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje