Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të zhvillojë vizitën e parë zyrtare në Beograd më 8 gusht, njoftoi zyra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Ende nuk ka detaje për vizitën në Beograd, por dy presidentët u takuan për herë të fundit në mes të korrikut në Kiev, në kuadër të samitit Ukrainë-Europa Juglindore.
Vuçic gjatë qëndrimit në kryeqytetin ukrainas konfirmoi se ishte i vetmi pjesëmarrës në samit që nuk e kishte nënshkruar deklaratën e përbashkët për vazhdimin e mbështetjes politike, ushtarake, financiare dhe të sigurisë për Ukrainën, si dhe për forcimin e presionit ndaj Rusisë.
Në këtë dokument, ndër të tjera, Rusia akuzohet për agresion të paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar ndaj Ukrainës dhe i bëhet thirrje që menjëherë t’i japë fund luftës, si dhe të tërheqë plotësisht dhe pa kushte trupat dhe pajisjet ushtarake nga i gjithë territori i Ukrainës.
Serbia e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, që nisi më 2022, por refuzon t’u bashkohet sanksioneve që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Moskës për shkak të luftës.
Edhe pse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia për gati pesë vjet nuk ka hapur asnjë kapitull të ri negociues.
Dy muaj pas hapjes së kapitullit të fundit në negociatat për anëtarësim filloi lufta në Ukrainë, ndërsa Serbia nuk e harmonizoi politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian dhe nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë. Në atë kohë, kjo ishte arsyeja kryesore për ngecjen e negociatave të anëtarësimit, teksa ndërkohë Beogradi ka pasur përkeqësim edhe në fushën e sundimit të ligjit.
Në Beograd së fundmi ka qëndruar edhe zëvendëskryeministri i Ukrainës, Taras Kachka, i cili me Vuçicin ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe vazhdimin e negociatave për marrëveshjen për tregti të lirë.
Një ditë para takimit me Kachkan, Vuçiç ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Zelensky, dhe pas bisedës ka deklaruar se Serbia dhe Ukraina “janë të vendosura për përmirësimin e marrëdhënieve përmes dialogut”.
Të dyja vendet janë kandidate për anëtarësim në BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje