Bota

Rama: Shqipëria në momentin më të mirë drejt BE-së

Nga Gazeta ‘Si’- Pas më shumë se një dekade pa pranuar asnjë anëtar të ri, Bashkimi Europian po përballet me një moment vendimtar për politikën e zgjerimit, ndërsa Shqipëria renditet mes vendeve që kanë shënuar përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit.

Në një analizë të gjatë të publikuar nga Financial Times, thuhet se ndryshimet gjeopolitike, lufta në Ukrainë dhe sfidat e sigurisë kanë rikthyer zgjerimin në qendër të agjendës së Brukselit.

Megjithatë, brenda BE-së vazhdojnë debatet nëse blloku është realisht gati të pranojë anëtarë të rinj.

Shqipëria përmendet si një nga vendet që ka ecur përpara në negociata, krahas Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë.

“Ne kemi një rrugë të qartë drejt Bashkimit Europian. Vendi ndodhet në momentin më të mirë në shumë drejtime”, citohet të ketë deklaruar për Financial Times kryeministri Edi Rama.

Sipas gazetës londineze, Mali i Zi mbetet vendi më pranë anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka nisur mbylljen e kapitujve të parë të negociatave, duke u renditur mes vendeve me ritmin më të shpejtë të reformave.

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, argumenton se zgjerimi nuk shihet më vetëm si një proces ekonomik, por gjithnjë e më shumë si një çështje sigurie.

“Zgjerimi nuk është më vetëm që vendet kandidate të arrijnë nivelin tonë. Sot ai është edhe një politikë sigurie. Ka të bëjë me mënyrën se si ne, evropianët, mund të punojmë së bashku në realitetin e ri botëror”, shprehet Kos.

Megjithatë, analiza thekson se brenda Bashkimit Europian vazhdojnë të ekzistojnë dilema për mënyrën se si duhet të zhvillohet zgjerimi.

Franca dhe Gjermania kanë propozuar një model integrimi gradual, ku vendet kandidate do të përfitonin pjesërisht nga anëtarësimi gjatë zbatimit të reformave, ndërsa disa vende kandidate kanë shprehur shqetësimin se kjo mund ta zgjasë edhe më shumë procesin.

Sipas Financial Times, muajt e mbetur të vitit 2026 konsiderohen vendimtarë për të ardhmen e zgjerimit.

Nëse Mali i Zi arrin të mbyllë kapitujt e mbetur dhe Bashkimi Europian dakordësohet për reformat e brendshme, blloku mund të hapë rrugën për një fazë të re të zgjerimit.

Në të kundërt, paralajmërojnë autorët, rrezikohet të dëmtohet besueshmëria e vetë Bashkimit Europian ndaj vendeve aspirante.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë