Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa obeziteti po shndërrohet në një nga sfidat më të mëdha shëndetësore në Europë, Shqipëria vijon të renditet mes vendeve me normat më të ulëta të këtij fenomeni.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2022, 12.6% e shqiptarëve mbi 18 vjeç klasifikoheshin si obezë. Kjo përqindje është dukshëm nën mesataren e Bashkimit Europian, e cila arrin në 16.3%, dhe më e ulët se në shumicën e vendeve të rajonit.
Në Ballkanin Perëndimor, vetëm Mali i Zi ka një normë më të ulët, me 7.8%, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina regjistron 15.7%, Maqedonia e Veriut 15.4% dhe Serbia 13.6%. Edhe Greqia (12.8%) dhe Rumania (12.9%) renditen pak mbi Shqipërinë.
Në nivel europian, Malta kryeson listën me 26.6% të të rriturve obezë, e ndjekur nga Letonia (24.6%), Islanda (24.2%), Finlanda (23.2%) dhe Irlanda (22.1%). Ndërsa normat më të ulëta regjistrohen në Itali (7%) dhe Mal të Zi (7.8%).
Europa po përballet me rritjen e obezitetit
Sipas Eurostat, obeziteti është në rritje të vazhdueshme. Përqindja e të rriturve obezë në BE u rrit nga 15.2% në vitin 2014 në 16.3% në vitin 2025.
Nëse përfshihen edhe personat mbipeshë, më shumë se gjysma e popullsisë së rritur në Bashkimin Europian ka peshë mbi normalen. Ekspertët e lidhin këtë prirje me jetën gjithnjë e më sedentare, mungesën e aktivitetit fizik dhe ndryshimin e zakoneve ushqimore.
Obeziteti matet përmes Indeksit të Masës Trupore (BMI). Sipas metodologjisë së Eurostat, një person konsiderohet obez kur BMI është 30 ose më i lartë, ndërsa vlerat nga 25 deri në 29.9 klasifikohen si mbipeshë. Të dhënat bazohen në popullsinë mbi 18 vjeç dhe mblidhen përmes Anketës Europiane të Shëndetit (EHIS) dhe statistikave të kushteve të jetesës (EU-SILC).

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje