Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria ka miratuar për herë të parë Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, duke synuar eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030, në përputhje me objektivat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, deklaroi se plani synon forcimin e parandalimit, rritjen e testimit dhe diagnostikimit të hershëm, si dhe përmirësimin e aksesit në trajtim.
Sipas saj, dokumenti nuk është vetëm një strategji, por një angazhim konkret për zgjerimin e shërbimeve shëndetësore dhe afrimin e kujdesit më pranë qytetarëve.
Plani parashikon forcimin e qendrave të specializuara, zhvillimin e shërbimeve rajonale, përmirësimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe zgjerimin gradual të kritereve për trajtim, në mënyrë që pacientët të marrin kujdes në faza më të hershme të sëmundjes.
Hepatitet virale konsiderohen ndër shkaktarët kryesorë të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë e konsideron luftën kundër tyre pjesë të rëndësishme të strategjisë për uljen e rasteve të kancerit.
Sipas ministres Sala, objektivat kryesorë janë ulja e infeksioneve të reja, rritja e numrit të diagnozave dhe trajtimeve në kohë, si dhe reduktimi i rasteve të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë.
Zbatimi i planit kërkon angazhim afatgjatë, investime dhe bashkëpunim mes institucioneve vendase, ekspertëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje