Ngjarje

Protesta kundër reformës territoriale të PS, banorët e Belshit, Klosit, Divjakës e Selenicës kundërshtojnë shkrirjen e bashkive

Nga Gazeta ‘Si’- Propozimi i Partisë Socialiste për reformën e re territoriale ka nxitur reagime dhe protesta në disa prej 15 bashkive që parashikohet të shkrihen. Banorët e Belshit dhe Selenicës kanë dalë kundër ndryshimeve të propozuara, duke kërkuar që njësitë e tyre vendore të mbeten të pandryshuara.

Në Belsh, qytetarët protestuan me pankarta kundër bashkimit me Bashkinë Elbasan. Mesazhet e tyre ishin kundër humbjes së autonomisë lokale dhe reduktimit të shërbimeve, me thirrje si: “Më shumë shërbime, jo më pak bashki”, “Bashkia jonë nuk është thjesht një numër” dhe “Jo reformës që zbraz komunitetet”.

Edhe banorët e Selenicës kundërshtojnë bashkimin me Vlorën, duke argumentuar se largimi i qendrës së vendimmarrjes do të sjellë më pak shërbime, më pak investime dhe harresë të zonës.

“Duhet të ketë diskutim me komunitetin. Reforma nuk mund të bëhet pa dëgjuar qytetarët”, u shpreh një banor i Belshit, ndërsa një tjetër nga Selenica e cilësoi projektin si një rrezik për identitetin territorial, kulturor dhe ekonomik të zonës.

Kundër propozimit janë shprehur edhe përfaqësues vendorë. Anëtarja e Këshillit Bashkiak të PS në Selenicë, Aleksandra Zhiaj, deklaroi se do të ngrihet zëri për ruajtjen e bashkisë ekzistuese, ndërsa drejtuesi politik i PD për qarkun e Vlorës, Aurel Bylykbashi, mbështeti kërkesën e banorëve për të mos u bashkuar me Vlorën.

Në Divjakë gjithashtu ka protesta, të cilët refuzojnë bashkimin me Lushnjën. Kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea, u shpreh se ndihet i tradhtuar dhe se ende nuk e beson dot këtë lajm.

Ndërkohë, në qendër të Klosit janë mbledhur qytetarë që kundërshtojnë projekt-hartën e re administrativo-territoriale të Partisë Socialiste, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.

Sipas propozimit të PS për ndarjen e re territoriale, 15 bashki do të shkrihen, 33 do të mbeten të pandryshuara dhe 28 do të pësojnë ndryshime. Projekti parashikon gjithashtu krijimin e një niveli të ri të qeverisjes vendore për qytetet me status të veçantë ligjor.

Ndërkohë, drafti i Partisë Demokratike propozon një model tjetër me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone, duke argumentuar se shtimi i njësive vendore do të sjellë shërbime më të afërta për qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë